Ndërron jetë Prof. Dr. Gjergji Cepa, një ndër themeluesit e Okulistikës Shqiptare

Është ndarë nga jeta Prof. Dr. Gjergji Cepa, një ndër themeluesit e Okulistikës Shqiptare.

Ai ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 81-vjeçare.

Cepa lindi në 1939 në qytetin e Korçës dhe u diplomua mjek okulist në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Leipzigut në Gjermani në vitet 1957, deri në vitin 1963.

Në vitin 1980, fitoi titullin e lartë “Doktor i Shkencave” dhe për shumë vite ishte Pedagog në Universitetin e Tiranës.

Si një ndër themeluesit e Okulistikës Shqiptare, ai botoi mbi 30 libra dhe artikuj të shumtë shkencorë për okulistikën, dhe për kontributet e tij të mëdha në fushën e mjekësisë u nderua me dhjetëra tituj brenda e jashtë vendit.

Botimet e tij janë bërë pjesë edhe të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë dhe Gjermanisë. Prof.Dr Gjergji Cepa është autor edhe i atlasit angjiografik të syrit.

Nga viti 1992 deri në vitin 2003 ka qenë bashkëkryetar i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare dhe nga viti 2003 deri në vitin 2009 ka qenë kryetar i saj.

Deri në moshën 78-vjeçare, edhe pse në pension, ai ushtroi me pasion e dashuri profesionin e tij si mjek okulist në shërbim të qytetarëve.

SHKARKO APP