Në mos ardhsha nga tetori, pritmë tutje nga nëndori

Nga Hyskë Borobojka
Ti e di, i shumëdashuri Kozma, se miku yt i vjetër, Hyskë Borobojka, i mban premtimet si amanet që s’e tret dheri e nuk del nga fjala e dhënë. S’futet në vallen e deputetëve e qeveritarëve, që gjatë fushatave elektorale premtimet i kanë me thasë të mëdhej e vjeljet e tyre me trasta të vogla apo me xhepin, ku vendosin shamin e mëndafshtë.
Të premtova se në muajin e dytë të kësaj vjeshte, kur vilen rrushtë e plugohen tokat, do vija në “kasollen” tënde, të kujtonim ditët e bukura në nahijen e Myzeqesë. Kështu vendosa dhe me të hyrë tetori, u nisa. U stolisa dhe e mbajta frymën në stacionin, ku nisen autobusët për në qytetin tënd. Por çfarë të të rrëfejë miku yt?! Sa futa këmbën e djathtë (për mbarësi) në stacion, dëgjoj nga radioja e vogël që mbaja në xhep, se një autobus kishte marrë zjarr. Dhe ky nuk na qenka autobusi i parë që ishte përvëluar, por i treti apo i katërti, ku ta dish sa të tjerë e kanë pësuar nga flaka. Kur dëgjova këtë lajm zeher, edhe pse e mbaj veten për burrë të zotin, u tremba, më ngriu gjaku e thashë me vete: “Sikur (larg qoftë) të merrte zjarr autobusi në të cilin do të udhëtoja për të ardhur tek ty!? Në vend të vija shëndoshë e mirë, tërë gaz e hare, do të sosesha i zhuritur për në spital apo do të bëhesha “qytetar nderi” në banesat e përjetshme. Ti do më qortosh e do të më thuash se miku yt, Hyska, është trim përmbi trima e s’trembej edhe ahere kur i binte vendit brinjë më brinjë, nga Veriu në Jugë e nga Lindja në Perëndim. Të drejtë ke, por bota s’të pyet si ke qenë në rini, por si je në pleqëri.
Në stacion mësova nga disa udhëtarë se për vënien e zjarrit në autobusët, kishte hamendje e dyshime. Mynafiku ishte konkurrenca ndërmjet kompanive të transportit, të shtyra nga interesi personal, për t’u bërë të kamur sa më parë. E di që do më thuash: “Mos u bëj zemër pulë dhe mos e vraj mendjen me dyshime e thashetheme, pasi pronarët e autobusëve të shkrumbuar kanë bërë denoncime në polici. Kjo e fundit ka ngritur disa pista për t’i zbuluar qafirët zjarrvënës e për t’i prangosur. Por unë, i shumënderuari Kozma, ia qaj hallin policisë së gjorë, që ka një mal me denoncime e s’di nga ta fillojë më parë. Më zjarret që kanë marrë pyjet e shkurret e s’kanë të sosur, një fiket, dy ndizen. (Si dikur, një bije, dy ngrihen). Me vetëvënësit e flakës për interesat personale, që ai viran interesi personal është shtuar e përhapur si fara e hithrës. Thonë, por unë s’e besoj, se këta myteberë fshihen pas shpinës të qeveritarëve. Asaj i duhet të gjejë nga zhduken në drejtim të paditur nishanllinjtë që të qëllojnë për vdekje dhe çajnë ferrën. Dhe këta bumbashirë s’janë një, dy e tre, por mbi 100 e ca, që s’u dihet traga. Mos harrojmë edhe ata që i prangosin sot e lirohen nesër për njëqind e një arsye të mos arsyes. U lodhën e u këputën policët e gjorë e nuk i zbulojnë e pikasin gomonet e varkat, që transportojnë drogë drejt brigjeve të Italisë. Pasi radarët e vendosur me bujë për këtë puna, janë të prishur.
Me se të merret më parë policia në këtë kohë të trazuar?! Të lërë pushkët e koburet e të marrë kosoret e hanxharët të korrë kanabisin të selitur nëpër vende të fshehta. Kë të zbulojë më parë, drogën nëpër gomone për ta shpërndarë në Evropë, apo kanabisin e fshehur në vilat qeveritare?!
Policisë, i shumëdashuri miku im, i janë ngjitur si rrodhe vjeshte problemet e kusuret, që kanë pllakosur vendin. Asaj i duhet të regjistrojë ata që i thanë rri me shëndet kësaj bote nga breshëritë e kallashnikovit, nga plumbat e kobureve me leje e pa leje, nga thikat e mprehta, nga sopatat, çekiçët, madje edhe nga sqeparët. Të hapë sytë e t’i bëjë katër për të dalluar makinat moderne të blinduara të trafikantëve nga ato të qeveritarëve të lartë e deputeteve. Kush më siguron i shumënderari Kozi se kur të zë ndenjësen e makinës për të ardhur tek ti, të përplasë e të përmbys makina e blinduar e trafikantit, dhe e pëson si zëvendësdrejtori i policisë të Elbasanit. Forcave të Rendit u bije barra të merren edhe me “eksportuesit” e “mishit të bardhë” drejt Evropës e nga Kontinenti i vjetër në vendin tonë. Asaj i duhet të gjurmojnë e të ndalojë ata që nisen si “turistë” për azil e punësim?! Me sakrifica të mëdha prangosin njërin dhe shpall në kërkim dy të tjerë. Duhet t’i hapë sytë e veshët, të mos bëhet syleshe me ata që kalojnë kufirin me dokumente të falsifikuara. Këta jallanë “turistë” refugjatë nuk janë një, dy e pesë, vetëm në muajin gusht të këtij viti janë pikasur e regjistruar 177 shtetas. Policinë s’e lënë të qetë edhe disa burra “trima të fortë”që rrahin, (ku të dhemb e bamb), gratë e “dobëta”. Dhe këta firaunë s’janë fort të rrallë Vetëm brenda një dite janë shfaqur gjashtë “trimëri” të tilla. Sa burra janë nga ky soj që ushtrojnë “trimërinë” ndaj grave të tyre, do t’i gjesh të regjistruar në defterët e Komisariateve të Policisë. Ti e di, kur përleshen dy vetë, hyn një i tretë t’i ndajë, që në shumë raste është policia, siç ndodh shpesh në stadiumet e fushat e topit të këmbës. Asaj i duhet të zbulojë në ç’drejtim të paditur ka ikur bodigardi i një lokali në Beltojë të Shkodrës, pasi përshëndeti me një plumb vdekjeprurës në kokë një të ri 21-vjeçar. Nga do të vërtiten forcat e rendit, do të ndeshën me paudhësi. Ato shkojnë të shikojnë vjeljet dhe mbjelljet e vjeshtës, por në vend të tyre “përshëndeten” nga selitja e paketimet e kanabisit. Policia nuk e ha kollaj sapunin për djathë. Ajo në një banesë private të pabanuar pranë detit në Vlorë zbuloi 49 pako të mëdha me drogë. Ndërsa pranë banesës, në det zbulon tre trafikantë me një gomone që po përgatiteshin ta transportonin drejt Italisë. Por ç’e do, sapo u paraqit policia ata çanë ferrën në det me gjithë gomone, duke u thënë: “Mirë u pjekshim” ndërsa policia po vazhdon ndjekjen. (zëre lepurin t’i zbathësh opingat).Po të tregoj edhe një ndodhi tjetër. Një i ri, 21-vjeçar, vetën në Tiranë kishte bërë 20 vjedhje të ndryshme. Edhe pse ishte dënuar një herë sa për të shkuar radhën, ujku qimen ndërron po zakonin s’e harron. Vazhdoi traditën në Pukë. Por kësaj radhe ra si miu në çark. E izoluan në një dhomë të Komisariatit sa të bënin gati dokumentt për ta çuar në dhomat e izolimit në Shkodër. Por harruan ta prangosnin, duke i dhënë mundësinë të tregonte forcën, të shqyente hekurat e dritareve e të arratisej në “drejtim të paditur”, Policia nuk ndenji duarkryq. Në vend të tij prangosi e çoi në dhomat e izolimit dy policë Forcat e rendit duhet të gjejnë edhe burrin e “zotë” që “kollit” kallashnikovin në ajër në Shijak, që ta marrin vesh se ky qytet ka “trima”
Këto që të rrëfeva qofshin të shkuara të harruara. Prandaj të jap fjalën e s’do dal më prej saj. Me të zbuluar e prangosur vënsit e zjarrit në autobusët e qytetit tënd, do ta largoj frikën e do vij tek ti. Këtu jemi, më shumë ditë vijnë se sa shkojnë.

SHKARKO APP