Nexhmije Hoxha numëron ‘gabimet’ e Mehmet Shehut: Bashkëpunoi me agjenturën e huaj, njihej me kodin BAB-008

Ndërsa po prek një shekull jetë, Nexhmije Hoxha shprehet se vetëvrasja e Mehmet Shehut është e pafalshme.

Duke lënë mënjanë aspektin politik që shoqëroi këtë akt të Kryeministrit të kohës, e veja e diktatorit shprehet se ajo nuk do t’ia falë atij këtë akt, sepse shkaktoi vdekjen e parakohshme të njeriut të saj të shtrenjtë.

Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha i kushton mjaft hapësirë raportit të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këtij të fundit i numëron të gjitha “gabimet”, që kishin shkaktuar edhe çarje në marrëdhëniet mes dy njerëzve më të pushtetshëm në Shqipëri, për të arritur në aktin fatal, në vetëvrasjen e tij, mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981.

Ndërsa përshkruan “përpëlitjet” e Enver Hoxhës në tentativë për të gjetur arsyet e vërteta që e shtynë Mehmet Shehun të vriste veten, ajo nënvizon se e vërteta ishte krejt tjetër. Vetëm më vonë do të botoheshin raportet që Shehu kishte pasur me agjenturën e huaj, angleze dhe amerikane, që në kohën kur ai kishte qëndruar në kampin francez. Sipas saj, Mehmet Shehu njihej nga Intelligence Service me kodin BAB-008.

Ajo thotë që më herët Enver Hoxha nuk kishte pasur dijeni për këtë veprimtari të Mehmet Shehut, edhe pse gjatë viteve të luftës dhe më pas numëroheshin një sërë gabimesh të tij, për të mos folur për karakterin e tij të vështirë. Sipas Nexhmije Hoxhës, ai kalonte nga ekstremi në ekstrem, duke vrarë fshatarë të varfër e robër lufte.

NEXHMIJE HOXHA/ 

Enver Hoxha ka qenë i bindur se Ramizi është treguar i vendosur dhe i mprehtë gjatë gjithë bashkëpunimit të ngushtë me të në luftën kundër revizionizmit modern, titist e hrushovian. Nën drejtimin e R. Alisë u botuan 12 vëllime me artikuj kundër revizionizmit, të shkruar nga Enveri, nga Ramizi dhe nga grupi i punës i ngarkuar për këtë qëllim, ku bënin pjesë në fillim Sofo Lazri dhe Javer Malo dhe pastaj, me largimin e këtij të fundit si ambasador në Paris, u aktivizua Foto Çami.

Po ashtu, Ramizi kishte treguar vendosmëri në zbatimin dhe në mbrojtjen e vijës së Partisë edhe nëpër mbledhje e konferenca ndërkombëtare, si në atë të Moskës, në mbledhjet e KNER-it etj. Akuza e M. Shehut ndaj Ramiz Alisë ishte një fakt më shumë që tregon se Mehmeti, duke e përmendur atë në letrën që la para vetëvrasjes, tentoi të ngjallte tek Enveri dyshim dhe mosbesim për Ramizin dhe të krijonte përçarje në udhëheqjen e Partisë. Të tillë e konsideroi Enveri.

I zhytur në mendime, pas një pushimi, duke tundur kokën ai tha: “Jo, jo, ky s’ka qenë në vete kur i ka shkruar këto, ose i ka shkruar me qëllim të keq për të krijuar turbullira në udhëheqje, për të krijuar dyshime në mendjen time, duke u hakmarrë me të gjithë, duke hedhur sfidën: Apres moi le deluge”. Kështu e tha Enveri, në frëngjisht, atë që në shqip do të thotë: “Pas meje u bëftë kiameti”.

Atë natë, duke ndjekur në çdo çast dhe në çdo veprim Enverin, shihja se nga ato që lexonte, ai nervozohej. Këtë nervozizëm e shfaqi edhe në një moment, kur shpërtheu duke thënë: “Ky njeri na këshillon edhe si ta trajtojmë pas vdekjes dhe që nderimet t’i bëhen si Nako Spirut (!) Por kur u vetëvra Nako Spiru, Partia e dinte se shkak për këtë qenë akuzat e jugosllavëve, që e quajtën Nakon armik, agjent etj., kurse Mehmet Shehu nuk u akuzua për gjëra të tilla (tjetër gjë që i dogji miza nën kësulë).

Shfaqja e këtij nervozizmi tek Enveri tregonte përveç të tjerave edhe se vetëvrasjen e Mehmetit, edhe letrën që i la, ai po i përjetonte shumë rëndë, me shumë emocion dhe me trishtim të thellë. Ai ndihej tepër i shqetësuar për ta zgjidhur enigmën e kësaj ngjarjeje. Kjo bëri që gjendja e tij shëndetësore të rëndohej përsëri, t’i rëndohej sëmundja e zemrës, aq sa ajo e vuri poshtë, i përsëritej shpesh derisa pas 3-4 vjetësh i shkaktoi goditjen fatale. Enveri u ndie keq edhe për faktin se vetëvrasjen e Mehmetit e konsideroi dhe e përjetoi edhe si një tradhti, që ai i bënte miqësisë dhe dashamirësisë që Enveri kishte treguar në dekada ndaj Mehmetit.

Kjo e vrau shumë dhe, siç e kam përmendur, për këtë arsye Enveri ndjeu një zhgënjim tronditës. Por dua të them se akti i vetëvrasjes që kreu Mehmet Shehu, përveç aspektit politik, qe i pafalshëm jo vetëm për Enverin, por edhe për mua personalisht, për çka i shkaktoi familjes sime, sepse shpejtoi humbjen më të madhe dhe të pazëvendësueshme të njeriut tim të shtrenjtë.

Dalin anët sekrete të Mehmet Shehut Atë natë, kur komentonte letrën që i la Mehmeti, Enveri ende nuk i njihte motivet e vërteta që e shtynë të vriste veten, as nuk po nxirrte nëntekstin e letrës. Edhe më pas, Enveri bënte pyetjen: “Pse? Pse e bëri këtë Mehmeti?!” Dhe me një përqendrim intensiv kujtonte dhe analizonte të gjitha ngjarjet e përjetuara së bashku me të dhe debatet që kishin bërë. Enveri sillte ndër mend që Mehmeti kishte gabuar shpesh, si gjatë luftës, edhe pas çlirimit.

Ai ishte kritikuar disa herë në Byro dhe në Plenume të KQ. Këto gabime, atëherë Enveri i kishte shpjeguar me karakterin e vështirë, të vrazhdë dhe të papërmbajtur të Mehmetit, me prirjen e tij për të kaluar nga një ekstrem në tjetrin, me ambiciet dhe mendjemadhësinë, që nxirrnin kokë tek ai. E kisha dëgjuar shpeshherë Enverin të thoshte: “S’e korrigjoi veten ky njeri?!” Por tani, duke lexuar letrën e Mehmetit, Enveri nisi të shfaqë dyshime për të, bënte lidhjen e shumë fakteve dhe të veprimeve të tij dhe përpiqej të depërtonte më thellë në të fshehtat që mund të kishte ai njeri, por që kishin mbetur të pazbuluara.

Me vetëvrasjen që bëri, Mehmet Shehu zgjonte vetë dyshime rreth jetës dhe veprimtarisë së vet. Tani po bëhej e qartë se diçka e mundonte atë, diçka për të cilën ai kishte frikë. Ai linte të kuptohej se kjo gjë e kishte munduar edhe më parë, gjatë gjithë kohës. Siç edhe doli, kjo diçka ishte: mëkati që ai kishte bërë dikur, kur e vuri veten në shërbim të agjencive të huaja inteligjente dhe frika mos zbulohej, e ka ndjekur gjithë jetën.

Prandaj, gabimet e shumta që ai kishte bërë gjatë luftës dhe në punë, qëndrimet e lëkundura të tij në kundërshtim me vijën e Partisë, mospranimi prej tij i kritikave, shpërthimet e tij të nervozizmit kur e kritikonin, kalimi nga një ekstrem në tjetrin etj. etj., nuk lidheshin vetëm me karakterin e tij, por kishin shkaqe më të thella. Shumë gjëra dolën në dokumentet sekrete dhe në botime të arkivave të huaja pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut e më vonë. Ato flasin për implikimin e Mehmetit në veprimtarinë armiqësore.

Por para se ato të zbuloheshin, Enver Hoxha as nuk kishte si t’i dinte dhe as nuk i kishte lexuar ato dokumente, ndaj nuk ka pasur dijeni që Mehmet Shehu të ishte pleksur me agjentura të vendeve të ndryshme. Këtë gjë e ka thënë vetë Enveri në një deklaratë të bërë publikisht, kur është folur për veprimtari agjenturore të Mehmet Shehut. Në këtë rast, ai ka thënë: “Jo, nuk kishim dijeni”.

Sigurisht, për një kohë kështu mund të ishte e më pas, me kalimin e kohës, Enver Hoxha është njohur me të kaluarën e Mehmetit. Dinte, për shembull, që ai kishte ndjekur Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë dhe kishte qenë “beniamini” i drejtorit të saj, Harri Fullc, mbështetjen dhe favorizimin e të cilit ai nuk ai nuk e ka fshehur.

Për këtë ka folur edhe vajza e Fullcit në kujtimet që ka shkruar. Gjithashtu, dihej, jo vetëm nga Enveri, por edhe nga Partia dhe nga qytetarë të zonës së Mehmet Shehut, që ky vajti më pas në Itali, në Kolegjin Ushtarak të Napolit dhe prej andej shkoi vullnetarisht në Spanjë, u arratisën nga kampi francez, Mehmet Shehu ndenji aty-tre vjet.

Megjithëse Shqipëria në prill të 1939-s u pushtua nga Italia fashiste dhe në nëntor 1941 ishte krijuar Partia Komuniste e Shqipërisë, çuditërisht Mehmet Shehu nuk u nxitua të kthehej në atdhe, ndonëse bashkëluftëtarë të tij në Spanjë tregojnë se i bënë disa herë thirrje të niseshin bashkë. Po çfarë të dhënash kishte Enveri për kohën e qëndrimit të Mehmetit në kamp? Përveç atyre që vetë Mehmeti kishte shkruar në autobiografinë e tij, disa gjëra të reja u mësuan vetëm në fillim të viteve ’50, kur u diskutua për letrën e Sokrat Bufit.

Atëherë u mor vesh se në vitin 1942, kur Mehmeti qe kthyer në Shqipëri dhe ishte vënë në lidhje me PKSH, Sokrati që ishte sekretar i celulës ku do të pranohej Mehmeti, kishte këmbëngulur shumë që ai të sqaronte disa pika të errëta, si: për qëndrimin e tij në kampin e refugjatëve, pse nuk ishte larguar bashkë me shokët e tjerë shqiptarë, luftëtarë të Spanjës, për t’u kthyer në Shqipëri; të sqaronte për ngjarjet gjatë udhëtimit, për arrestimin në Itali, për qëndrimin në kampin e Ventimiljes, për arrestimin e tij në Tiranë, për ndërhyrjet e personaliteteve zyrtare që ishin në shërbim të pushtuesve fashistë italianë, për lirimin e tij etj.

Për qëndrimin e Mehmet Shehut në kampin francez të refugjatëve ka treguar edhe Qamil Çela në kujtimet e tij, të cilat gjenden në Arkivin Qendror të PPSH. Ky komunist i vjetër, një nga emigrantët revolucionarë që mori pjesë aktive në KONARE (Komiteti Nacional Revolucionar), me qendër në Paris, në kujtimet e tij e paraqet Mehmet Shehun me tipare dhe sjellje negative në marrëdhëniet me shokët, si me ata të kampit, ashtu edhe me ata të Parisit, si njeri kokëfortë, egoist, fodull dhe që grindej lidhur me shpërndarjen e ndihmave që u vinin nga Shqipëria dhe nga shqiptarët në emigracion.

Ndoshta për këtë arsye, Mehmet Shehu u hakmor ndaj Qamilit, duke i trilluar ndonjë gjë. Ndaj ky mbeti i mënjanuar në qytetin e vet, Elbasan, pa u aktivizuar dhe pa u nderuar siç e meritonte. Kaq të dhëna ishin bërë të njohura për Mehmetin, lidhur me atë periudhë. Siç shihet, nuk doli atëherë ndonjë e dhënë që të bënte me dije për ndonjë lidhje agjenturore të tij.

Nuk pati atëherë ndonjë fakt a dokument që të dëshmonte se Mehmeti ishte rekrutuar agjent nga shërbimi i fshehtë anglez që kur ishte i mbyllur në kampin francez, apo dhe nga ai amerikan, ndoshta edhe më parë. Vetëm pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kur u hap dosja sekrete, e mbetur në kasafortën e Hysni Kapos, u gjetën kopje të dokumenteve që flasin se pikërisht në atë kamp refugjatësh Mehmet Shehun e kontaktoi Inteligjenc Servisi anglez dhe e rekrutoi atë si agjent.

Aty del angazhimi i tij agjenturor, me pseudonimin BAB-008. Mes këtyre dokumenteve kishte kartela të firmosura nga Mehmeti, që dëshmojnë se atij i janë dhënë të holla nga qendra e spiunazhit, ishte edhe shënimi i nxjerrë nga informacione të oficerëve anglezë, që kishin qenë në Shqipëri gjatë Luftës dhe kishin mbajtur lidhje me Mehmet Shehun deri në vitin 1953.

Pas këtij viti jepej udhëzimi: “Tani që Sheu u bë Kryeministër, të lihej i qetë, të mos ngacmohej më tej”. Në këto dokumente del edhe se në këtë veprimtari agjenturore Mehmeti nuk ka qenë i vetëm, pasi është zbuluar se në Shqipëri, përveç BAB-008, kishte edhe agjentë të tjerë, si ndërlidhësi, me pseudonimin BAN-053.

Ky ishte një person që gjatë Luftës kishte pasur një funksion të lartë në drejtim të reparteve të mëdha partizane. Në vitin 1953, ai informonte qendrën se “BAB-008 po forcon pozitat e tij”. Krahas këtyre të dyve, figuron gjithashtu edhe agjenti BAB-002, i cili ishte kushëri i Mehmetit dhe kryetar i degës së Sigurimit në Korçë. Në vitin 1953, kryetar i Degës së Brendshme (siç quhej atëherë) ka qenë Feçorr Shehu.

Pra, del që Feçorri ka qenë agjent qysh para vitit 1953, jo vetëm i UDB-së, me rekomandimin e Kadri Hazbiut, por edhe i Inteligjenc Servisit, me rekomandimin e Mehmet Shehut, përderisa i qe vënë një pseudonim nga po ai shërbim sekret, BAB-021.

Dihej, gjithashtu, që Mehmeti, me t’u kthyer në atdhe, u angazhua në njësitë partizane të Mallakastrës dhe u lidh me Komitetin e Partisë për Vlorën, i cili e zgjodhi Sekretar Organizativ, ndërkohë që Sekretar Politik ishte Hysni Kapoja. Më pas, në disa letra të Enverit dhe në dokumente të Partisë, të kohës së Luftës, kanë qenë bërë të njohura disa qëndrime dhe veprime të dobëta dhe të gabuara të Mehmetit. Si udhëheqës i Partisë, Enveri i ka kritikuar ato.

Gjithashtu, janë kritikuar në atë kohë edhe disa prirje të M. Shehut, herë majtiste, kur ai i quajti këshillat nacionalçlirimtarë-sovjetike; herë ekstremiste, kur pushkatonte dhjetëra fshatarë të thjeshtë dhe disa italianë robër lufte etj. disa dukuri të tjera, si debatet e Mehmetit në Konferencën e parë të vendit, në Labinot, mars 1943 dhe të tjera,

Enveri i ka cilësuar si tendenca të Mehmetit për të treguar veten se është mbi të tjerët. Këto fakte e të dhëna nuk jepnin indicie që të kuptohej për ndonjë lidhje agjenturore të Mehmet Shehut, ndaj dhe nuk e penguan Enver Hoxhën ta vendoste atë komandant të Brigadës së Parë Sulmuese, duke i vënë në krah Tuk Jakovën si komisar dhe Fiqret Sanxhaktarin zëvendëskomisare, të cilët njiheshin për karakterin e tyre të butë dhe që mund të ndikonin në zbutjen e karakterit të papërmbajtur të Mehmet Shehut.

SHKARKO APP