Niko Xhufka foli shqip në Berlin

Nga Kristo Mërtiri/Miku ynë i përbashkët nuk doli para mikrofonave e kamerave, nuk foli në podiume e presidiume, nuk u tund e as u shkund nëpër panaire e çaire shtetërore, nuk dha intervista televizive, radiofonike a në shtypin e shkruar. Vetëm njohësit e gjuhës gjermane mund të lexojnë diçka në internet për fotoreporterin e shquar përmetar, Niko Xhufka (?!). Shkurt, ka folur Berlini, por jo Tirana. Nuk janë aspak rastësi reklamat dhe lajmërimet në Grobeenstrabe 98 100. Pamjet tejet mahnitëse që vërshuan natyrshëm nga celuloidi në letra e stenda, i bënë mjaft gjermanë të ngadalësonin hapat dhe të ktheheshin te ajo ekspozitë jo dosido, që si një ishull i vërtetë relaksi e bukurie shqiptare fton cilindo për vizitë. Të fton pa zë tellalli e pa megafona mitingjesh partiake. Se mjaft vlera reale artistike, sot në vendin tonë të drobitur e me Tranzicion rrumpallë, flenë a heshtin përballë zërave bërtitës e të çjerrë të antivlerave. Niko Xhufka, “kjo fototekë e gjallë e një gjysmë shekulli”, nuk reklamoi foto nga familja e vet apo nga farefisi, shokët e miqtë, të njohurit e të panjohurit. Dhe nuk mori udhë nga ndonjë sponsorizim shtetëror, ashtu siç veprohet pa kursim për liderët politikë lokalë e qendrorë, për vjelës e grumbullues të rëndomtë votash në Peshkopi a gjetkë. Flasim kështu, sepse nuk ia dëgjuam gjëkundi zërin Ministrisë së Kulturës! Një heshtje e çuditshme dhe trallitëse për fotoreporterin veteran që me të drejtë disa nga kolegët tuaj e kanë pagëzuar dikur si “Marubi i medias shqiptare”… Po Ministria e Turizmit, a duhet të heshtë përballë këtij ekspozimi tepër cilësor, privatisht e gratis të Rivierës sonë që nga Butrinti e Saranda dhe gjer te kështjella e Skënderbeut në Kepin e Rodonit ? Më konkretisht, po dy ministreshat e “Rilindjes”, minimalisht a e njohin këtë thesar të çmuar për Shqipërizën tonë? Apo të shkojmë më tej : Po Ministria e Mjedisit dhe vetë Kryeministri piktor ose zëvendësi i tij, a duhet të bëjnë të paditurin menefrego e cinik ? Dhe një pyetje jo pa seriozitet e piper : Po Radiotelevizioni Publik shtetëror ose ata privatë, a e kanë begenisur me ndonjë kronikë a emision të posaçëm apo janë mbytur e përmbytur nga vërshimet non -stop të Politikës lumëmadhe e larg njerëzve të thjeshtë e të talentuar ?…

 Miqtë e mi vërsnikë që jetojnë e punojnë midis Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit, flasin shkoqur, pa maska  e shashka. I irriton shurdhmemecëria shtetërore e qeveritare.

niko-xhufkaFotot gati magjike të Niko Xhufkës, kam bindjen se janë vlera të patjetërsueshme për prezantimin dinjitoz të vendit tim në Europë e Perëndim. Dhe janë sa një mijë ftesa e fjalime zyrtare nëpër forume, takime e konferenca pa fund të qeveritarëve tanë jashtë shtetit amë. Vetëm unë dhe dy kolegët e mi të vjetër (Bashkimi e Dhimitri) do shkruajmë në media për këtë fotoreporter që hyri në dekadën e tetë të jetës së vet ?!… Zyrtarët e lartë mburravecë, cinikë, arrogantë e fodullë, për promovimin e Shqipërisë sonë të bekuar nga Zoti dhe të mallkuar nga Politika çerek shekullore pa din e iman, janë shumë larg e shumë poshtë kontributit të mirënjohur të këtij artisti të palodhur. Vallë, kush ua lidh fort sytë, gojën dhe duart ?…

Së pari, dëgjojmë të shushatur e lexojmë të çmeritur gati çdo muaj për shpenzimet marramendëse në fushën e imazhit qeverisës përmes fukarallëkut. Madje, shpesh na verbojnë me shkëlqimin e luksin vrasës dhe na e bëjnë kokën daulle me zhurmën mercenare mediatike. Bie fjala, ditët e fundit mësuam se ishin harxhuar disa miliarda lekë vetëm për rikonstruksionin e ndërtesës dhe të zyrave në Ministrinë e Brendshme (!). Për përurimin pompoz e me nota groteske vajti dora vetë Kryeministri dhe tabori me mikrofonë e kamera televizive etj. Pra, fondet e taksapaguesve të këputur shqiptarë nuk qenkërkan si ajo qesja “sa një kokërr hudhër” ! Apo ujët e detit dhe paret e shtetit nuk firasin kurrë! Po ku shkojnë, te cilat përparësi emergjence dhe përballë kujt shtrese në nevojë e krejt të paprivilegjuar ? A e kapin dot irritimin dhe dëshpërimin e të papunëve, e pse jo zhgënjimin e rënkimin ogurzi të njerëzve të thjeshtë xhepashpuar që bëjnë hesap bukën e përditshme migjeniane ?!…

Së dyti, së paku ju dy “ministresha” në majë të Kulturës e të Turizmit, a e dini sa albume mjeshtërore rrinë e shullëhen vajtimtarë nëpër sirtarët dhe raftet e shtëpisë modeste të fotoreporterit, Niko Xhufka ? Zonja të nderuara, merreni mundimin dhe takojeni sy më sy e larg çdo fodullëku e vizioni mediokër. Ai është lodhur shumë nëpër dyer dikasteresh që e përcjellin me papërgjegjshmëri, pa kulturë e qytetari. Dhe mos harroni atë mençurinë e vjetër : Zoti të rrittë mendjen, se qafën e thyen vetë !…Ju nuk bëni dot as sa emigrantët shqiptarë Lindita e Drini Sakollari në Berlin, çifti përmetar i mrekullueshëm që herë pas here pret e përcjell me zemër e pa qibër disa personalitete krijuese nga Shqipëria pa i lejuar të vënë dorën në xhep në hoteleri e restorante…

Së treti, a po i dëgjoni ndopak, për shembull, trokitjet e 85 vjetorit të lindjes së poetit tonë të dashur kombëtar, Dritëro Agolli ? Tjetër. Nëse nuk e dini, po ua them unë : Niko Xhufka, që ka punuar vite të tëra pranë patriarkut të publicistikës shqiptare, ka përgatitur për të një album të posaçëm e mjaft emocionues. Dhe vazhdon të dergjet në pritje të botimit dhe mes lutjeve e përpjekjeve njerëzore të fotoreporterit profesionist e pensionist që sfidon moshën, skamjen dhe burokracitë trishtuese të administratës së ndryshkur shtetërore. Syri i tij magjik ka dhënë e po jep ende plot zjarr e pasion djaloshar bukuritë e mëmëdheut tonë hallemadh. Ndërsa ca zyrtarë të kollarisur e të livandosur, i zënë shtigjet dhe nuk e lejojnë të takohet me titullarët përkatës. Ditët e fundit, kur po i thoshim të shkonte e të takohej personalisht me dy “ministreshat” që përmendëm më lartë, një miku ynë gazetar i vjetër, buzëqeshi paksa hidhur dhe na u lut të dëgjonim një episod real që i kalon kufijtë e humorit :

 “Poeti Lasgush Poradeci vajti një ditë në Ministrinë e Arsimit dhe kërkoi të takohej me ministrin. Portieri foli me zyrën e ministrit dhe ia tha poetit të moshuar se ministri ishte i zënë dhe nuk mund ta priste.

-Pa shiko !-thirri i inatosur poeti.-Qëkur ministri qenka bërë më i madh se poeti ? I thoni se po hyj ta takoj,-i tha portierit dhe shtyu derën me bastun e hyri brenda”…

Ishte ai burrë e poet i madh që nuk u bë kurrë saç për lakrorin e botës!

SHKARKO APP