“Një ciceron për historinë”, dokumentari i Saimir Kumbaros për kinemanë shqiptare
Rruga që ka përshkuar kinemaja shqiptare që prej fillimeve të saj në vitin 1911 deri në ditët e sotme është në qendër të dokumentarit, “Një ciceron për historinë” të skenaristit dhe regjisorit Saimir Kumbaro.
Filmi i promovuar ditët e fundit, përkoi edhe me 65-vjetorin e krijimit të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ai është një financim i Qendrës Kombëtare Kinematografike, me mbështetje edhe të Radio-Televizionit Shqiptar.
Dokumentari përfshin fillesat e shfaqjes së filmave të parë në vitin 1911, 16 vite pas shpikjes së kinemasë nga vëllezërit Lymier, kohë kur në mungesë të kinemave filmat shfaqeshin nëpër bar-kafe e Koli Dromeno ishte një nga distributorët e parë të filmave në Shqipëri.
E duke vijuar me filmat e realizimit socialist, ku nuk mungojnë kinematë e shndërruara në gjyqe kundër armiqve të popullit. E populli një ditë qeshte me Çaplinin e ditën tjetër duartrokiste dënimet me vdekje apo i këndonte diktatorit.
Njëra pas tjetrës për 60 minuta shfaqen në film ngjarjet më të rëndësishme që ka kaluar Shqipëria, e që janë fiksuar përjetësisht nga breza kineastësh me famë apo anonimë, një prej të cilëve edhe kineasti i njohur që u kujtua për gjithë kolegët e tij, Saimir Kumbaro.