Një libër që ngacmon sedrën e studiuesve

Nga Artan Lame

“Lufta është vazhdimi i politikës me mjetet e dhunës”. Na e ka lënë të shkruar von Clausewitch-i dy shekuj të shkuar. Edhe vrasja është vazhdim i politikës me mjetet e dhunës, por kur s’ke këllqe të bësh luftë – do shtoja unë. Dhe me ç’duket kjo ka ndodhur edhe në këta 100 e kusur jetë shtetërore të shqiptarëve ku, më shumë se me luftra me të tjerët, jemi vrarë e prerë mes vedit.

Në historinë tonë shtetërore ka shumë vrasje që, në një vend tjetër, do të mund të klasifikoheshin si vrasje politike apo ideologjike. Për fat të keq, më duhet të pranoj se në rastin tonë, me tepër se vrasje ideologjike, ato janë thjesht vrasje për pushtet. Unë dua të arrij këtë apo atë pikë të pushtetit, apo të karriges. Atë pushtet a karrige e ke ti, ose ti më pengon ta arrij atë. Unë të vras ty dhe gjëja e karrig’ja jote bëhet e imja. Ky është mekanizëm tribal që vjen që nga kohët parahistorike. Ti ke një copë mishi, apo një lëkurë ariu, apo një gjerdan me dhëmbë fildishi. Unë nuk i kam dhe i dua por ti s’mi jep. Unë të vras ty dhe, mish, lëkurë e fildish bëhen të miat. Mekanizmi i veprimit në një shoqëri parashtetërore, siç janë ato ballkanike, është brutalisht ky.

Kjo është ajo që ndodh në çdo ambient ku nuk përplasen idetë por njerëzit. Idetë kur përplasen nuk derdhin gjak, por zhvillojnë një shoqëri që pastaj përzgjedh lirisht mes tyre atë që i duket në e mira. Ndërsa kur përplasen njerëzit gjaku është i pashmangshëm. Hasan Riza pasha ishte komandant legjitim i Shkodrës dhe mirë keq atij i takonte të vendoste se çdo të bëhej. Esad Pasha donte të merrte atë pushtet që e kishte Hasan Rizaja (siç i thonin shkodranët që moti). Këtu nuk ka vend për debat idesh, se nuk mund të fitonte kurrë dhe natyrisht që e vetmja mënyrë për të arritur ishte vrasja dhe e vrau.

Me thënë të drejtën, unë kam vërejtjet e mia (dhe jam i bindur që do i ketë çdo këndonjës) me listën e përzgjedhur për të rreshtuar qindshen e vrasjeve. Historia jonë është shumë bujare kur vjen puna për të tilla ndodhi dhe, secili prej nesh mund të hartojë lista me 100 apo 500 të tjera. Mirëpo në këtë punë vetë Rolandi që na i mbyll gojën, duke thënë “sepse kështu mendoj unë”. Bash siç bënte vaki një shekull e gjysmë më parë në Parlamentin e atëhershëm grek (që kish më shumë arvanitë se grekër) ku, pasi avranitët e sertë të shndrruar në deputetë thoni ndonjë gjë, pyetjes po pse kështu, i përgjigjeshin me tërsëllimë shqiposh “se kështu thom u”.

Dhe përpos kësaj, Rolandit i do njohur merita që ja ka dalë të bëjë bashkë ata për të cilët Noli thosh se “është më kollaj të bësh bashkë një grusht me miza sesa 5 shqiptarë”, paçka se për t’ia dalë kësaj pune i është dashur të punojë njëzet vjet mbi dosje dhe të presë të ndërrojnë jetë më parë.

Duke qenë gazetar i kronikës, në shumicën e vrasjeve të pas vitit ’90, Rolandi i ka ndjekur ato gati në kohë reale, ka qenë në vendngjarje ku ndoshta ende nuk ishte përtharë gjaku, ka pyetur njerëz ende të freskët nga ndodhia dhe kjo e bën edhe më të besueshëm analizën e tij. Për ngjarjet e mëparshme, aha, ka arritur “me vonesë” në vendngjarje, diku 30 e 40 e diku edhe 100 vjet me vonesë, ndaj analiza i është dashur të bëhet veç mbi dokumenta dhe dëshmi të shkrojtura. Dhe si për të plotësuar këtë prekje të vendngjarjes, shërbejnë skicat e momenteve të fundit që shoqërojnë secilin rast, skica që të fusin gati brenda ambientit të zymtë ku, trokitja e hapave të fundit shoqërohet me zhurmën e të shtënave. Edhe nga kjo pikëpamje, ky libër është kontribut për kujtimin e gjithë këtyre njerëzve që nuk janë më.

Ka të paktën nja 30 vjet (e kujtoj që e thonim midis nesh studentëve, që në fund të viteve ‘80) që, sa herë gjendemi përpara një barriere politike të pakalueshme, themi me psherëtimë “ah si nuk doli një Avni Rustem”. Por kombet që përpiqen ti zgjidhin problemet e tyre me Avni Rustemë, duhet të pranojnë se kanë paaftësinë ti zgjidhin problemet me zhvillim gradual. Anglia herën e fundit që i ka zgjidhur hallet e saj me Avni ka qenë diku në shekullin XVII, kur vranë mbretin (sidoqoftë për të vënë prapë një mbret në krye). Pas kësaj ja dolën të ndërtojnë një sistem vlerash shoqërore të balancuara, “check and balances” siç i thonë ata vetë, ose siç i thonë italianët “tira e mola”. Në shoqëri si të tyret, ky lloj sistemi nuk lejon që tensionet të shpërthejnë, por zbuten dhe shfryhen brenda sistemit, duke mos lejuar që tenxherja të shpërthejë.

Edhe ne shqiptarëve pleqtë e urtë na e kanë lënë llafin, “tërhiq e mos këput”, por për fat të keq nuk e zbatojmë kurrë, ose më së paku shuuumë rrallë. Shoqëritë ballkanike janë ende tribale ku ai që fiton i merr të gjitha dhe ai që humbet e pret vrima e zezë. Dhe natyrisht pastaj që ai i vrimës së zezë, thjesht veç ditën që të përmbysë situatën, me një plumb të dhënë kur ti dalë në shteg. Ndërkaq, ata që heqin e vuajnë po nuk kanë këllqe, veç luten e presin për Avninë e rradhës.

Në librin ethshëm të lexueshëm të Qafokut, ka edhe gabime, pasaktësi, apo interpretime të diskutueshme. Unë vetë gjeta të tilla, ndërsa lexoja faqe pas faqeje jetët që ndërpriteshin beftas mes plumbave, thikave, bombave apo litarëve. Por ky nuk është problem, përkundrazi është meritë. Kjo për dy arsye.

E para është se tani e kemi një libër që duhet të ngacmojë sedrën e plot studiuesve të tjerë për t’u thelluar në secilën prej vrasjeve të përshkruara në librin e tij, duke patur këtu parasysh edhe faktin që secila prej këtyre vrasjeve është indicie për një libër më vete. Arsyeja e dytë është fakti se, duke e shkruar librin edhe me pasaktësi, Rolandi po u jep shqiptarëve mundësinë të ushtrohen me sportin e tyre kombëtar, të flasin e shajnë punën e tjetrit. Ashtu si Kristoforidhi një shekull e ca më parë, që thyente vezët e shitësve pleq nëpër kalldrëmet e Elbasanit dhe pastaj me kujdes hidhte në letër të sharat e fjalët që merrte pas. Vërtet e shanin, por ai pasuronte fjalorin e shqipes që po shkruante.

Uluni tani e diskutoni mbi fletët e librit të Rolandit, që pastaj ky t’i mbledhë e t’i përpunojë për të saktësuar kështu 100 faqe të përgjakura të historisë sonë shtetërore. Dhe një gjë të fundit. Siç më ka treguar vetë z. Qafoku, për secilën ngjarje ai ka patur dosje të veçanta me fakte, dokumente, dëshmi, dosje që i ka pasuruar e sistemuar vit pas viti, ka nxjerrë sytë nëpër arkiva e biblioteka, ka takuar dëshmitarë e pasardhës të të ndjerëve. Por nuk mjafton kjo për të qenë i paanshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla, protagonistët e të cilave nuk flasin dot më.

Secili prej nesh duhet të mbajë vazhdimisht në mëndje që fantazmat e të vrarëve rrotullohen ndonjëherë edhe përjetësisht atje ku kanë dhënë shpirt, që ata në mënyrën e mistereve të Zotit ndjekin punët tona veçan kur merremi me ta dhe, nga kjo anë është përgjegjësi e madhe të shkruash për ta. Një ditë të gjithëve do na duhet të japim llogari përpara Krijuesit për ç’kemi bërë në jetë e, në qofshim të pakujdesshëm kur shkruajmë për punët e të tjerëve, do na duhet t’i japim llogari edhe hijeve e shpirtrave të tyre. Miq, unë besoj në këto që them dhe kam besim se edhe Rolandi e ka përgjegjësinë përballë të gjallëve që lexojnë fjalën e tij, por edhe përballë të vdekurve që nuk mbrohen dot më vetë.

*Parathënia e librit të gazetari Roland Qafoku, “100 vrasjet  më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”

 

SHKARKO APP