Një varr për Ali Demin tek “Nëna Shqipëri”

 

Nga Hyqmet Zane

Simboli i dëshmorëve dhe heronjve të kombit është ndoshta më i arrituri në historinë e simboleve që na la sistemi i kaluar. Është vërtet një nderim i madh që i bëhet të gjithë atyre që luftuan për atdheun dhe dhanë jetën në çdo kohë. Kam dijeni se pikërisht heronjtë e kombit kanë gjetur prehje pranë përmendores “Nënë Shqipëri” që është simbolikisht përfaqësuesja e nënës, asaj nëne shqiptare që rriti djem e vajza të denjë për të mbrojtur dhe luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, për t’i dhënë atdheut prosperitet dhe të ardhmen e brezave dhe ky është sublimiteti i një vepre madhore që çdo brez e nderon sepse heronjtë e kombit janë lavdia jonë.

Ndërkohë që i përkas asaj pjesë të krahut të shqiponjës që erdhëm nga Çamëria e përjashtuar nga harta fizike e kombit, si pjesë e padrejtësisë historike të Konferencës së Londrës, kontributet e bijve të kësaj treve që dhanë jetën në këto 103 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë, nuk kanë merituar atë vëmendje të merituar si të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e popullit.Në forma dhe mënyra të ndryshme, me ose pa dashje, në kohë dhe në hapësirë, luftëtarët e Çamërisë dhe dëshmorët e saj duket sikur kanë mbetur jetimë, të pavlerësuar, a thua se kontributet e tyre nuk i duheshin kombit. Tipik është rasti i Heroit të Popullit Ali Demi, djalit nga Filati i Çamërisë nga fisi i dematëve që, jo vetëm kanë nxjerrë personalitete që e nderojnë kombin, por u bë në shembull i sakrifikimit të jetës për hir të Shqipërisë së lirë dhe demokratike.

Jetëshkrimi i këtij Heroi të Popullit është padiskutim i veçantë që të vë në mendim ashtu si edhe momenti i asaj dite të zezë ku ai ra heroikisht në Kaninë. Por fjalën nuk e kam për të bërë replikë me ndonjë historian apo pushtetar, sepse biografinë e jetës së tij ai e shkroi vetë ashtu siç kishte idetë, ashtu bëri edhe veprat. Pas 70 vjetësh ne krenohemi me emrin e Ali Demit. Në çdo 5 maj do të doja që, ashtu si motrat dhe të afërmit e tij që e duan shumë dhe e kujtojnë me nderim, të vendosja një tufë lule në varrin e këtij heroi tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por ai dhe varri i tij nuk ndodhen atje. Thonë se ndodhet në Vlorë. Çamëria nuk ka aq shumë heronj siç ka heroizmat e saj në vite dhe në shekuj, por ai që e ka merituar këtë titull, Ali Demi, varri i tij duhet të jetë një simbol tek Nëna Shqipëri, se edhe ai është bir i kësaj nëne, si dhe dëshmorët e tjerë të CCamërisë që dhanë kontributet e tyre për kombin.

Ndoshta këto rreshta do të shërbenin si trokitje në portën e atij pushtetari që për një moment të vetëm atje përballë nënës Shqipëri, të kërkojë edhe ai të vendosë një tufë lule tek varri i një heroi të popullit nga Çamëria.

Po cili është aktiviteti i Ali Demit ?

Ali Demi lindi në Filat, në 18 janar të vitit 1918. Në Filat përfundoi edhe shkollën fillore. Në vitin 1927, nëpërmjet një burse studimi vazhdoi studimet në konviktin “Çamëria” të Sarandës, ku kishte filluar të frekuentohej nga fëmijë çamë të cilët mësonin në gjuhën amëtare. Më pas, ai ndoqi për katër vjet gjimnazin në Gjirokastër, ku organizoi edhe shoqatën “Skënderbeu” dhe “Qepa”. Pas ngjarjeve të kryengritjes antizogiste të Fierit, një vit më vonë, bashkë me shokët e tij Themo Vasi dhe Njazi Demi, Ali Demi organizoi revoltën e nxënësve për kushtet e këqija të jetesës, por Ministria e Arsimit i përjashtoi të tre nga shkolla. Pas kësaj ngjarjeje, u regjistrua në gjimnazin e Tiranës ku njihet me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton dhe anëtarësohet në Grupin Komunist të Shkodrës. Me përfundimin e studimeve, u bë punonjës provizor në Post-Telegrafën e Tiranës.

Në fillim të luftës italo-greke, Ali Demi u angazhua në batalionin shqiptar “Tomorri” dhe shkoi në front, por qëllimi i tij ishte organizimi i sabotimit të kësaj lufte. Ai ishte një nga organizatorët e manifestimit të madh antifashist në Tiranë. Më 7 prill të vitit 1942 bie në sy të spiunëve të kuesturës, të cilët e arrestuan dhe torturuan. U dënua me 23 vjet burg. Në shtator të vitit 1942 u organizua demonstrata e madhe e grave dhe e popullit të Tiranës para burgut, ku u vra edhe Mine Peza. Atje ai organizoi hapjen e kanalit nga të burgosurit politik dhe më 29 prill të vitit 1943, në tentativën e dytë për arratisje Ali Demi ia arriti qëllimit.

Më tej, për të filloi një jetë e re si komisar i batalionit “Çermenika” ku mori pjesë në disa aksione. Pas një udhëtimi të gjatë në malet e Çermenikës, në vitin 1943, Ali Demi arriti në Vlorë në kohën e vështirë të luftës, ku u caktua sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Komitetit të Partisë së Qarkut të Vlorës, një nga qarqet më të mëdha të luftës së frontit nacional-çlirimtar. Në 19 dhjetor të vitit 1943, në një bazë të Kaninës së Vlorës, u rrethua nga ballistët dhe u qëllua për vdekje. Ali Demi vdiq në vitin 1943, në moshën 25-vjeçare.

Në 5 korrik të vitit 1945 u shpall “Hero Kombëtar” nga Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar, me motivacionin “Udhëheqës dhe punëtor i palodhur, shembull heroizmi dhe obligacioni të pashoq gjatë luftës nacional-çlirimtare. Ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të sotëm dhe të së ardhmes së popullit shqiptar”. Më tej, u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Urdhëri i Flamurit”, “Medalja e çlirimit”,” Medalja e Trimërisë”,” Medalja e Kujtimit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë, si edhe në institucione të ndryshme kombëtare. Në përkujtimin e veprës së tij janë ngritur disa buste.

Epilog

E drejta e heronjëve që ndodhen sot pranë varrëzave të dëshmorëve të kombit në Trianë nuk është përcaktuar nga vetë heronjtë, pro nga një komision për këtë rast. Lind pyetja se si është e mundur dhe kush nuk e ka dëshiruar Ali Demin si Hero të Popullit që eshtrat tij të prehen pranë Nënës Shqiëpri? Këtë pyetja do ta kenë bërë ndoshta edhe motrat dhe të gjithë ata që e duan këtë figurë të luftës antifashiste. Ndërsa përgjigjen do të ishte mirë që ta jepnin ata që mendojnë se janë drejtësia vetë ose ata që kanë merita më shumë për këtë vend (!?!), nëse mendojnë realisht se edhe bijtë e Çamërisë janë pjesë e kombit që dhanë jetë për lirinë dhe vatanin.

SHKARKO APP