Njerëzit e vaksinuar plotësisht mund të takohen pa maska

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA thanë se amerikanët e vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, mund t’i kthehen një niveli të normalitetit.

Sipas rekomandimeve të reja, ata që kanë marrë dozat e kërkuara të vaksinës mund të vizitojnë njerëz të tjerë të vaksinuar dhe disa njerëz të pavaksinuar.

Njerëzit konsiderohen të mbrojtur dy javë pasi të marrin dozën përfundimtare të vaksinës së tyre, thanë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Deri më tani, mbi 30 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht.

Zyrtarët shëndetësorë i paraqitën udhëzimet e reja gjatë një konference të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.

Disa prej udhëzimeve thonë:

  • Takohuni në ambiente të mbyllura me persona të tjerë plotësisht të vaksinuar, pa maska ose distancë fizike.
  • Takohuni në ambiente të mbyllura me njerëz të pavaksinuar të së njëjtës familje, nëse ata janë në rrezik të ulët për sëmundje të rëndë nga koronavirusi.
  • Shmangni testimin ose karantinën kur ekspozoheni ndaj koronavirusit, përveç nëse ju shfaqen simptoma.

Sipas udhëzimeve të reja, atyre që janë vaksinuar iu kërkohet ende t’i ndjekin masat bazike të sigurisë, si: veshja e maskave dhe distanca fizike në publik, si dhe shmangia e turmave të mëdha.

Mbi 90 milionë vaksina janë administruar deri më tani në SHBA.

Tri vaksinat e miratuara atje janë: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson.

Dy të parat duhet të jepen me nga dy doza, ndërsa e fundit vetëm me një dozë.

Zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan të hënën se koronavirusi vazhdon të mbetet shqetësim serioz në SHBA.

“Mbi 90% e popullsisë nuk është vaksinuar ende”, tha drejtorja e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky.

“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi – në kontekstin e 60,000 rasteve të reja në ditë – që i mbrojmë ata që janë të cenueshëm”, shtoi ajo.

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar mbi 29 milionë raste me koronavirus dhe mbi 525,000 viktima./REL

SHKARKO APP