“Nobel 2019” në Fizikë – Tre shkencëtarët kanë transformuar imagjinatën për kozmosin
Kosmologu amerikan James Peebles dhe shkencëtarët zviceranë, Michel Mayor dhe Didier Queloz kanë fituar çmimin Nobel 2019 në Fizikë, për kuptimin e evolucionit të universit dhe zbulimin e planeteve që ndodhen në orbitën e yjeve të largët.
Peebles, nga Universiteti i Princeton në SHBA, mori gjysmën e çmimit prej 910,000 dollarë, ndërsa Mayor dhe Queloz nga Universiteti i Gjenevës në Zvicër dhe Cambridge në Britani, ndanë pjesën e mbetur.
“Fituesit e këtij viti kanë paraqitur një tablo të universit tonë shumë më të çuditshëm dhe mahnitshëm se sa ne mund të imagjinonim”, tha Ulf Danielsson, anëtar i Komisionit të Nobel për Fizikën.
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave deklaroi se hulumtimet e tyre kanë “transformuar mendimin rreth kozmosit”. Akademia bëri të ditur se, nëpërmjet mjeteve teorike dhe llogarive, Peebles arriti të interpretojë gjurmë të radiacionit që prej zanafillës së universit dhe zbulojë procese të reja fizike.
Mayor dhe Queloz kanë lajmëruar zbulimin e parë të një planeti jashtë sistemit tonë diellor, të quajtur ‘eksoplanete’, duke nisur kështu një revolucion në astronomi. Që prej atëherë, janë zbuluar mbi 4,000 eksoplanete në galaksinë tonë.
Akademia deklaroi se ndërsa shumë projekte janë planifikuar për hulumtimin e eksoplaneteve, me kalimin e kohës mund të zbulohet nëse ekziston jeta jashtë tokës. Ndër çmimet Nobel, fizika ka marrë shumë rëndësi, ndërkohë që tek fituesit përfshihen disa nga emrat më të mëdhenj të shkencës si Albert Einstein, Marie Curie dhe Niels Bohr.