Nobeli në letërsi, sekretarja zbulon “pa dashje” njërin prej kritereve

Kur sipërmarrësi Alfred Nobel vendosi të jepte një çmim edhe në letërsi, tha se ai do të shkonte për personin që do të prodhonte punën më të shquar në një drejtim ideal. Se çfarë kuptonte Nobeli me këtë nuk është e qartë dhe po të paqarta mbeten ende sot kriteret e dhënies së çmimit.

Por duket se njërin prej tyre e ka zbuluar sot, ndoshta pa dashje, sekretarja e Akademisë Suedeze Sara Danius. Ka kaluar pa u vënë re nga shumë media, por duke shpjeguar se përse çmimi iu dha anglezit Kazuo Ishiguro, Danius përmendi integritetin moral.

“Shkrimet e tij janë një miks mes Jane Austin dhe Franz Kafkës, duke i shtuar edhe diçka nga Marcel Proust. Por të gjitha këto elementë kanë ardhur jo-të ekzagjeruar. Është një shkrimtar me integritet të lartë moral. Nuk e kemi parë kurrë nëpër ekrane duke reklamuar veprat e tij, por ka ndërtuar një univers estetik në ato libra”, tha Sara Danius.

Pra, përmendja e integritetit moral nuk lë vend për dyshim. Megjithëse flitej prej kohësh, tashmë është e konfirmuar. Së bashku me cilësitë artistike të veprës, për akordimin e Nobelit Akademia Suedeze merr parasysh edhe anën njerëzore të çdo kandidati, duke mos e ndarë “shkrimtarin” nga “njeriu”./TiranaPost/

SHKARKO APP