Nxënësit e mi më të mirë dolën duke qarë… Shqetësimi i një mësuesje për Testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Jam një mësuese letërsie që sot, pas provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, pashë nxënësit e mi më të mirë, nxënës që çdo mësues do ishte me fat t’i kishte në klasë, të dilnin duke qarë.

Qanin sepse ju, njerëzit tuaj, vendosët që jo vetëm të ishit të pandjeshëm ndaj situatës që fëmijët, arsimi kaloi këtë vit, por, për çudinë e të gjithëve, të hartonit një tezë edhe më të vështirë se tezat e kaluara.

Sivjet, më shumë se kurrë më parë, të gjithë ne, e sidomos nxënësit tanë, shpresonin, prisnin dhe kishin nevojë për një tezë mature më të lehtë, por rezultoi krejt e kundërta.

Së pari, pjesa e gjuhës nuk ishte e hartuar sipas testit provë. Nuk kishte dy tekste, por disa. Për të mos folur më pas për mënyrën e hartimit të pyetjeve e alternativave, që dukshëm bëhen me logjiken “i ngecim e jo i masim njohuritë”.

Së dyti, pjesa e letërsisë, ndryshe nga vitet e kaluara, kishte 2 tekste poetike. Dikush që e njeh letërsinë dhe që ka qenë mësuese qoftë dhe disa muaj, e di mirë që teksti poetik është më i vështirë se ai në prozë.

Së treti, në test përfshihet Lasgush Poradeci, autori më i vështirë në të gjithë programin e maturës.
Mund ta dimë ne dhe nxënësit tanë, pse?!

Pse, pa pikë përgjegjshmërie, ju shkatërroni ëndrrat e nxënësve më të mirë të Shqipërisë? Digjni shansin, mundësinë për më të mirët tanë, që synojnë mjeksinë, Gjermaninë…?!
Kur një pjesë e madhe e Europës anullon provimet e maturës, ju bëni të kundërten, jo vetëm që i bëni provimet, por hartoni një test të tillë… Më vjen keq për të rinjtë e këtij vendi që po i jepni arsye, çdo ditë e më shumë, të heqin dorë nga ëndrrat e tyre…

Më vjen keq që vazhdohet tallja me mundin e mësuesit!

Në emër timin e të nxënësve të mi, kërkoj PATJETËR që të pakten të rishikoni uljen e pragut për notat 8, 9 dhe 10.

Më shumë se kurrë e keni në dorë mos të shkatërroni të ardhmen e nxënësve më të mirë të vendit tonë, tuaj… e një brezi që brenda pak muajve ka jetuar tërmete të fuqishme, pandemi , vdekje, probleme ekonomike, mësim online…

* Shkruar nga R. Haxhia, mësuese e Letërsisë

/Ora News

 

SHKARKO APP