Organizata që gjallëron femrat shqiptare në Greqi

“Të edukosh një burrë, ke edukuar një familje. Të edukosh një grua, ke edukuar një komb”-Rabindanat Tagora

Një shoqëri e emancipuar nuk mund të bëjë pa femrat dhe këtë e tregoi më së miri Organizata e Gruas në Greqi “JETA” në një organizim të mrekullueshëm me mbështetjen e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi. Në ekskursionin një-ditor “Jeta” tregoi se pavarësisht fjalës së urtë popullore; “Femra e zbukuron botën, ndërsa mashkulli e ndryshon atë”, femra është forcë e madhe e lëvizjes shoqërore, në të gjitha aspektet e jetës: ekonomike, politike, sociale e kulturore.
“Jeta” po i jep një imazh krejt ndryshe dhe dinamikë të re femrës shqiptare në Greqi, ku në një kohë rekord bashkoi gratë shqiptare dhe ka krijuar shumë degë të saj si në Athinë, Selanik, Patra, Veria, etj. Kjo, falë punës së palodhur edhe të përfaqësueseve të saj, si presidentes së organizatës, znj. Elona Kataro, kryetares së degës Athinë, znj. Zamira Pilinci, kryetares së degës së Selanikut, znj. Iris Hajdinaj, përfaqësimit dinjitoz të Patrës me znj. Afrodhiti Triha, e cila veç të tjerash, ka edhe përkrahjen e shoqatës “Emigranti” Patra, me qëllim që të ketë rreth vetes sa më shumë gra të qytetit bregdetar, por edhe të znj. Resmie Cota, mësuese të gjuhës shqipe, e cila do ta përfaqësojë “Jetën” në Veria.

300 veta, 5 qytete në një festë të përbashkët

29 maji ishte një ditë shumë e veçantë për shumë bashkëatdhetarët tanë në Greqi, me një aktivitet me përmasa përtej pritshmërive. Mbi 300 veta kaluan një ditë të bukur në shoqërinë e njëri-tjetrit, ku nuk rreshti kënga dhe vallja shqiptare. U organizuan që të katërt degët e krijuara të organizatës “Jeta”, në aktivitete të përbashkëta, të cilat përcollën një mesazh të fuqishëm uniteti dhe bashkëpunimi.
Kështu, plot katër autobusë me nga 50 persona u nisën nga kryeqyteti helen drejt ishullit të bukur të Poros, në një ekskursion mbresëlënës që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Në ishull iu bashkëngjitën edhe një autobus tjetër që kishte ardhur enkas nga Patra për ta kaluar të dielën sëbashku. Aty na prisnin gratë mikpritëse të ishullit me të cilat u zhvillua një bisedë konstruktive, me qëllim çeljen e degës së organizatës aty, për t’u qëndruar pranë grave të Porosit dhe zonave përreth.
Përfaqësueset e degëve të Athinës dhe Patrës, Zamira Pilinci, Afrodhiti Triha në bashkëpunim me Elona Kataron, Panorea Gjolikun, Eleni Dhimojani etj. i dhanë gjallëri aktivitetit me fjalën e tyre të fuqishme, me organizimin dhe argëtimin.
Ndërkohë që një autobus me 50 gra dhe vajza nga Selaniku, të udhëhequra nga kryetarja e tyre, znj. Iris Hajdinaj, u nisën drejt qytetit të Verias, me qëllim që të kalonin një të diel argëtuese aty, në shoqërinë e znj. Resmie Cota dhe grave të qytetit verior. Ishte një aktivitet shumë i bukur, ku nuk munguan suprizat që veç Iris Hajdinaj, Fatima Menalla, Anila Rexha, Kristina Demiri dhe grupi i tyre i punës dinë të organizojnë, me qëllim për t’i dhënë sa më shumë ngjyra jetës së çdo gruaje. Ishte ky një aktivitet i përbashkët, që i shkëputi gratë nga rutina e përditshme dhe u fali atyre momente të gëzuara.

Një copëz atdhe në ishullin e Poros

Grupet e polifonisë “Vllazërimi” me zëëmblën Vasilika Sakaj dhe z.Kastriot Lekdushi, “Lot Kurbeti”, me solistin e tij Shezo Bushi, rapsodët e veriut “Zëri i Vendlindjes” me rapsodin e shquar Bardhok Ndoci, këngëtarja e famshme me zërin e mrekullueshëm Teuta Pango Zhapa përveçse argëtuan dhe mallëngjyen të pranishmit e shumtë, sollën pranë tyre dhe një pjesë nga mëmëdheu. Morën pjesë në këtë ekskursion dhe figura të shquara të komunitetit si publicisti i njohur, poeti, prozatori shkrimtari, përkthyesi z. Iliaz Bobaj, kryetarja e Shoqatës “Emigranti Patra”, znj. Kristiana Veliu e kudogjendur dhe e palodhur, një femër model në shoqërinë tone, kryetari i Shoqatës “Vëllazërimi” Athinë z. Mihal Dusha, shoqatës më të vjetër shqiptare, kryetari i sapozgjedhur I Shoqatës “Vatra Labe” z. Shezo Bushi, kryetari i “Shoqatës Emigranti” Athinë me një përfaqësi të saj, z. Arben Cani dhe shumë figura të shquara të Komunitetit Shqiptar në Greqi që tashmë me përpjekjet e shumta dhe me përfaqësimin dinjitoz nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi po shpalosin dita-ditës vlerat e mëdha etnikokulturore që ka kombi shqiptar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, z. Etmond Guri, u shpreh: “Gruaja është epiqendra e botës, është qenia më inteligjente, është vetë Jeta! Urimet më të përzemërta organizatorëve që janë të shumtë dhe u përcjell falenderimet më të ngrohta, më të përzemërta dhe me meritë përulemi para tyre që na dhuruan këto momente kaq të bukura dhe na bënë të ndjehemi krenarë si shqiptarë e të tregojmë se ne dimë, ne mundemi, ne kemi fuqinë të ndryshojmë dhe bëjmë progres!”

“JETA” po shtrihet në të gjithë Greqinë

Organizata e gruas “JETA”, edhe pse ka shumë pak kohë që është krijuar, po luan një rol mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Greqi. Ajo u themelua më 8 mars 2016 dhe tashmë ka degët e saj në Athinë, Selanik, Patra e Veria, ndërsa shumë shpejt do të çelet edhe në Janinë dhe ishullin Poros e në zonat përreth.
Kësaj organizate të gruas, që i mungonte prej kohësh komunitetit shqiptar, i janë bashkuar një numër i konsiderueshëm emigrantesh shqiptare, mësuese, mjeke, gazetare, farmaciste, rrobaqepëse, punëtore e të shumë profesioneve të tjera. Të gjitha me një qëllim të përbashkët, për të ofruar vullnetarisht ndihmesën e tyre, me butësi, me mirësi, me buzëqeshje. Sepse ky është edhe qëllimi i kësaj organizate, të jetë pro gruas, pro familjes, pro fëmijëve. Dhe roli i saj do të jetë gjithmonë për të vlerësuar figurën e femrës emigrante, gruas intelektuale, të sakrificës.
Siç ka thënë dhe nëna e kombit tonë, Nënë Tereza, “ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Ndaj dhe shumë shpejt, “Jeta” do të organizojë Konferencën e Parë të Gruas Shqiptare në Greqi, ku të pranishme do të jenë femra nga krahina të ndryshme të shtetit helen. Mikrofoni do t’u drejtohet të gjithave, me qëllim që të dëgjohet fuqishëm zëri ynë. Sepse jemi ato që kemi ndërthurur më së miri kulturat e dy vendeve greko-shqiptare, sepse rritim, edukojmë dhe përcjellim gjuhën tone amtare tek brezat e rinj, sepse jemi ne, ambasadoret e paqes në botë.

Fatime Menall

SHKARKO APP