Otto Skorzeny: “Pse nuk e morëm Moskën?”
Kujtimet e oficerit gjerman shpjegojnë se çfarë e ka shkaktuar humbjen e Wehrmacht gjatë luftës
Çdo pranverë, në periudhën përgatitore të Ditës së Fitores, televizioni fillon të transmetojë filma kushtuar Luftës së Madhe Patriotike. Ndershmërisht: pjesa më e madhe e këtyre filmave kufizohet thjesht në shfrytëzimin e subjektit të madh. Kanë nevojë që t’i shesin diçka “interesante” spektatorit të ulur me një birrë në dorë përpara televizorit, diçka të pëlqyeshme për sytë e tij, që janë bërë letargjikë për shkak të jetës së qetë të tij. Ky është mjedisi ku shfaqen spektakle si “Luftëtari”, tema kryesore e të cilit vërtitet rreth asaj se kush do të arrijë të bjerë në shtrat me piloten – funksionari politik i “keq” apo djali i “mirë” i një aristokrati të shtypur pararevolucionar, që mban në sqetull një libër të vogël të Gëtes në gjermanisht dhe interpretohet mrekullisht nga aktori Xhushev? Ata që nuk luftojnë dhe që nuk kanë bërë as ushtrinë u thonë joluftëtarëve të tjerë se lufta është magjepsëse dhe erotike. Është edhe koha – kështu thonë që një ushtar rus të lexojë Gëten. Ndershmërisht, këto filma ma shpifin. Janë imoralë dhe falsë: aq false sa edhe filmi “Pearl Harbour”. Sepse mbështeten mbi të njëjtat klishe, që janë lufta dhe femrat. Këto filma nuk bëjnë që të rritet kuptimi ynë për pyetjen: atëhere pse kanë fituar tanët? Në fund të fundit, gjermanët qenë aq të organizuar, aq të mirëarmatosur dhe me një sistem të tillë komandues, sa që një “realist” nuk do të mund të bënte gjë tjetër përveçse të dorëzohej. Kështu, Çekosllovakia u dorëzua (pa luftuar), Polonia (thuajse pa luftuar), Franca (në mënyrë të bukur e të lehtë, ashtu si një prostitutë parisiane i “dorëzohet” një klienti), ashtu si Belgjika, Danimarka, Norvegjia, Jugosllavia, Greqia… Por një gjë e tillë nuk ka funksionuar në Lindje. Gjithçka ka ecur keq dhe, për disa motive, nuk ka përfunduar në Moskë, por në Berlin. Aty ku gjithçka kishte filluar.
Më duket se kujtimet e Obersturmbannfuhrer të SS-ëve Otto Skorzeny, komandosi dhe supersabotatori më i botuar i botës, mund të ndihmojnë që të sqarohet çështja. Ky i fundit, çliruesi i Mussolini, kidnapuesi i Admiralit hungarez Miklos Horthy dhe gjuetari i Titos, ishte i njëjti njeri që pasi ka nuhatur erën e barutit ka marrë pjeë në fushatën sulmuese të vitit 1941 kundër Bashkimit Sovjetik. Ka qenë pjesë e Divizionit SS “Das Reich”, që i përkiste grupit Panzer të Heinz Guderian.
Spastrimet e vitit 1937 e forcuan Ushtrinë e Kuqe
Otto Skorzeny ishte mu në mes të trupave të Frontit Jugor në Ukrainë, kishte avancuar nëpërmjet Brestit e Lejnjas dhe admironte nëpërmjet një dylbie kupolat e largëta të Moskës. Por nuk arriti kurrë atje. Dhe pyetja – si ka mundësi që nuk e kanë marrë Moskën? – e ka “ngrënë” Obersturmbannführer-in në pension gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës. Në fund të fundit, ishte ajo që donin dhe qenë të përgatitur, qenë djem shumë të përgatitur: me një ndjenjë të thellë kënaqësie, Skorzeny tregon sesi kishte kryer një marshim të detyruar prej 12 kilometrash me pajime të plota lufte dhe kishte qenë në gjendje të qëllonte pa e çuar bosh as edhe një goditje. Por jeta e tij ka përfunduar në Spanjën e largët – në mërgim, i kërkuar nga drejtësia gjermane e pasluftës, që hakërrehej kundër tij me “denazifikimin” pedant dhe tipikisht gjerman me të njëjtën mënyrë që një shtëpiake shtyp një buburrec!
Kujtimet e Skorzeny nuk janë përkthyer kurrë në Ukrainë. Në Rusi, vetëm pjesë, sidomos ato episode që përshkruajnë operacionet speciale. Versioni rus i kujtimeve fillon në pikën ku Skorzeny përfundon në spital si pasojë e aventurave të tij afër Moskës, por në origjinal ka 150 faqe që i paraprijnë kësaj pike. Flasin për rrugën drejt Moskës dhe se në çfarë mënyre, sipas mendimit të autorit, është arritur tek turpi.
Sipas veteranit të SS-ëve, sabotimi i fshehur midis gjeneralëve gjermanë kishte qenë një prej arsyeve të humbjes së gjermanëve: “Pikërisht në zemër të sistemit të vjetër prusian – në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë – një grup i vogël gjeneralësh ishte akoma i paqartë midis traditës dhe formave të reja, disa fatkeqësisht nuk ia pranuan benefitet… Për shembull, ishte e vështirë për këta njerëz, Beck dhe pasuesin e tij Halder, që t’i bindeshin një personi që disa e quanin “tetari bohem”. Skorzeny i kushton shumë vëmendje konspiracionit ushtarak dhe mendon se ekzistonte si formë kundërshtimi sekret ndaj Führer shumë më përpara vitit 1944.
Autori i kujtimeve e sheh Stalinin në 1937 si një shembull për Hitlerin: “Spastrimi masiv i ushtarakëve, i kryer pas ekzekutimesh të shumta midis politikanëve, nuk e ka shtyrë në gabim vetëm Heydrich dhe Schellenberg. Shërbimet tona sekrete politike qenë të bindur se kishim siguruar një fitore vendimtare dhe vetë opinioni publik pranohej nga Hitleri. Por, në kundërshtim me besimin popullor, Ushtria e Kuqe nuk ishte dobësuar, por forcuar… oficerë të rinj – komunistë të bindur – kishin marrë postet e komandantëve të eliminuar nga ushtria, nga korparmatat, nga divizionet, nga brigadat, nga regjimentet e nga batalionet. Dhe konkluzioni: “Pas spastrimit në total të 1937 është shfaqur një ushtri e re politike ruse, në gjendje që t’u rezistonte betejave më brutale. Gjeneralët rusë u bindeshin urdhrave, por nuk merreshin me konspiracione dhe tradhti, siç ka ndodhur shpesh në nivelet tona më të larta”.
Është e pamundur të mos jesh dakord me këtë. Në ndryshim nga Hitleri, Stalini kishte krijuar një sistem totalisht të nënshtruar ndaj tij. Për këtë motiv në vjeshtën e 1941, kur gjermanët qenë afër Moskës, nuk ekzistonte asnjë komplot midis gjeneralëve të Ushtrisë së Kuqe. Por 3 vite më pas pati një në Wehrmacht – edhe pse Berlini në atë moment ishte më larg nga fronti. Është e paimagjinueshme të mendohet se Stalini do të ishte hedhur në erë nga një prej të “tijëve” në Kremlin, ashtu si Koloneli Stauffenberg kishte provuar të bënte për shumë të dashurin Führer në Wolfsschanze.
Abwehr nuk kishte sinjalizuar asgjë të rëndësishme
“Në luftë”, shkruan Otto Skorzeny, “ekziston një aspekt tjetër pak i njohur, por shpesh vendimtar: ai i punës nën koperturë. Po flas po ngjarje që zhvillohen larg nga fusha e betejës, por që kanë impakt të madh mbi rrjedhën e luftës – kanë shkaktuar një humbje të madhe pajisjesh, vuajtjesh dhe vdekjen e qindramijëra ushtarëve europianë… Më shumë se çdo luftë tjetër, Lufta e Dytë Botërore qe një luftë makinacionesh dhe komplotesh”.
Skorzeny dyshon qartë për Admiralin Canaris, shefin e Abwehr (inteligjencës ushtarake gjermane), se punonte fshehurazi për anglezët. Qe pikërisht Canaris ai që bindi Hitlerin në verën e 1940 se zbarkimi në Britaninë e Madhe ishte i pamundur: “Më 7 korrik i dërgoi Keitel një raport sekret ku e informonte se 2 divizione mbrojtëse të vijës së parë dhe 19 divizione rezervë do t’i prisnin trupat gjermane në momentin e zbarkimit në Angli. Megjithatë, në atë kohë anglezët kishin të gatshme vetëm një njësi për betejë – Divizionin e III e Gjeneralit Montgomery. Gjenerali e kujton këtë në memoraët e tij… Qysh nga fillimi i luftës dhe në momentet kyçe të saj, Canaris u soll si armiku më i keq i Gjermanisë”.
Sikur Hitleri ta kishte ditur për dizinformimin që i kishte bërë shefi i inteligjencës, Britania e Madhe do të ishte mundur. Dhe në verën e 1941 Hitleri do ta kishte bërë luftën jo në dy fronte, por vetëm në një: frontin lindor. Duhet pranuar se në këto rrethana shanset që të merrej Moska do të kishin qenë shumë më të larta. “Kam folur tri apo katër herë me Canaris”, kujton Skorzeny, “dhe nuk m’u duk si një person diplomatik apo kushedi se çfarë inteligjent, siç shkruajnë disa për të. Nuk ka folur kurrë hapur, ishte hipokrit e që nuk e kuptoje dhe kjo nuk është e njëjta gjë”. Gjithsesi: “Abwehr nuk ka sinjalizuar asgjë realisht të rëndësishme apo domethënëse për Komandën e Lartë”.
“Nuk dinim”
Kjo është një prej ankesave më të zakonshme e sabotuesit të madh: “Nuk e dinim që rusët kishin përdorur pajime të vjetëruara dhe jo ushtarët më të mirë në luftën me Finlandën. Nuk e kishim kuptuar se fitorja e tyre e arritur me çmim të lartë ndaj ushtrisë kurajoze finlandeze ishte vetëm një bllof. Po flasim për të forcë të madhe të mbajtur të fshehur, e aftë për sulm dhe mbrojtje, për të cilën Wilhelm Canaris – shefi i shërbimeve sekrete gjermane – të paktën duhej të dinte diçka”.
Si pjesa tjetër e jona, Skorzeny mbeti i goditur nga “T-34 e mrekullueshme”. Gjermanët u detyruan deri që të hedhin shishe plot me benzinë kundër tankeve. Në film, një episode i kësaj natyre karakterizon imazhet e ushtarit heroik sovjetik i detyruar që të luftojë praktikisht me duar. Por në realitet nganjëherë ishte e kundërta. Bile shpesh ishte kështu: “Armët antitanke sovjetike, që mund t’i shkatërronin lehtësisht tanket e klasit T-26 dhe BT qenë të pafuqishme ndaj T-34 të rinj, që shfaqeshin papritur me tërbim nga arat me grurë e tërshërë. Kështu që ushtarëve tanë ju desh që t’i sulmonin me “bomba Molotov” – shishe të zakonshme benzine me një fitil të ndezur, në vend të një tape. Nëqoftëse shishja binte mbi pjastrën e çeliktë që mbronte motorin, tanku do të ndizej flakë… “Fishekët Faust” u shfaqën shumë më vonë dhe është për këtë arësye që në fushatat e para disa tanke ruse mund të ndaleshin me zjarrin e drejtpërdrejtë e artilerisë tonë të rëndë”.
Me fjalë të tjera, e gjithë artileria antitank e Rajhut rezultoi e kotë ndaj tankut të ri rus, që mund të mbahej nën kontroll vetëm nga topa të rëndë. Por oficeri u impresionua jo më pak nga njësitë xheniere të Ushtrisë së Kuqe dhe nga pajisjet relative të tyre: mund të ndërtonin një urë 60 metërshe, duke bërë të mundur transportin e mjeteve të transportit deri në 60 tonelata! Wehrmacht nuk e dispononte një teknologji të tillë.
Mungesë uniformiteti teknik
I gjithë projektimi i doktrinës gjermane bazohej mbi mobilitetin e lartë e njësive të motorizuara. Megjithatë, motorët kërkonin pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje konstante dhe në ushtrinë gjermane nuk kishte asnjë procedurë për këtë. Diversiteti i tipave të mjeteve në një division ishte problem. “Çdo kompani automobilistike gjermane po bënte akoma modele të ndryshme të markës së vet, ashtu siç kishte bërë përpara lufte, ankohet Skorzeny, duke kujtuar përvojën e tij në Divizionin “Das Reich” në vitin 1941. Një numër i madh modelesh nuk është përshtatur me krijimin e një magazine korresponduese pjesësh këmbimi. Në divizionet e motorizuara kishte rreth 2000 mjete me nganjëherë 50 tipa dhe modele të ndryshme, edhe pse nga 10 në 18 do të kishte qenë mjaftueshëm. Veç kësaj, regjimenti ynë i artilerisë kishte më shumë se 200 kamionë, me 15 tipa të ndryshëm. Në shi, baltë apo ngrica nuk ishte e mundur as për specialistin më të mirë që të kryente një riparim me cilësi të lartë”.
Dhe ky qe rezultati. Pak jashtë Moskës: “Më 2 dhjetor kemi vazhduar të avancojmë dhe kemi arritur të marrim Nikolaev, që gjendet 15 kilometra larg Moskës – në mot të pastër mund të shikoheshin kupolat e kishave të saj me dylbi. Trupat tona avancuan në periferinë e kryeqytetit, megjithatë nuk kishim më mjete transporti për artilerinë”. Nëse ishin akoma topat, por mjetet e transportit qenë “të gjitha jashtë përdorimit”, kjo do të thotë se “super teknologjia” gjermane duhej të ishte lënë si relike në rrugë. Nuk mund të tërhiqen vetë armët e rënda.
Ushtria gjermane arriti në Moskë absolutisht e cfilitur: “Më 19 tetor ka nisur të bjerë shi pandërprerë dhe Gruparmata e Qendrës ka ngecur në baltë për 3 ditë… Ishte një skenë e tmerrshme: një autokolonë qindra kilometra e gjatë me mijëra automjete në radhë në 3 kolona, të ngecur në baltë nganjëherë deri në karroceri. Kishte mungesë benzine dhe municionesh. 3 javë të çmuara dhe sasi të mëdha pajisjesh kanë shkuar dëm… me kosto pune të rëndë dhe duke thyer kurrizin, kemi arritur që shtrojmë 15 kilometra rrugë me trungje… Ëndërronim që të vinte sa më shpejt ngrica”.
Por kur nga 6 deri më 7 nëntor erdhi ngrica dhe divizioni ku shërbente Skorzeny u furnizua me municion, karburant dhe pak ushqime e cigare, doli se nuk kishte asnjë lloj karburanti dimëror për automjetet dhe armët – motorët nisën të kenë probleme. Në vend të uniformave dimërore, trupave ju dhanë komplete ngjyrë rëre të destinuara për Afrika Korps dhe pajime të të njëjtës ngjyrë. Ndërkohë temperature kishte zbritur në -20° dhe deri në -30° Celsius. Me habi të sinqertë, oficeri i trupave SS-e përshkruan uniformat dimërore të ushtarëve sovjetikë – kapota të shkurtra peliçeje dhe çizme po prej peliçeje: “Ka qenë një surprirzë e keqe – në Borodino kemi luftuar për herë të parë me siberianët. Këta qenë njerëz luftarakë – ushtarë të përkryer, të armatosur mirë; qenë veshur me kapota dhe kapele peliçeje dhe mbanin në këmbë çizme gjithashtu prej peliçeje”. Gjermanët mësuar vetëm nga robërit e luftës rusë se këpucët dimërore duhet të ishin pak më të mëdha, nëqoftëse nuk donin që t’u ngrinin këmbët: “Pas një studimi të vëmendshëm të çizmeve të siberianëve kurajozë, të kapur afër Borodino, kemi kuptuar, për shembull, se nuk është nevoja të veshësh çizme lëkure. Gjëja më e rëndësishme është që çizmet të jenë të gjera dhe të mos shtrëngojnë këmbët. Kjo ishte e njohur për të gjithë skiatorët, por jo për shërbimin tonë të specializuar të veshjeve. Thuajse të gjithë ne vishnim çizme prej peliçeje të marra nga ushtarë rusë të vrarë”.
Inteligjencë e shkëlqyer ruse
Sipas Skorzeny, arësyeja pothuajse kryesore për humbjen e ushtrisë gjermane qe inteligjenca e shkëlqyer ruse. Rrjeti i spiunazhit “Orkestra e Kuqe” në Europë – për më tepër e përbërë nga anitnazistë të zjarrtë – e furnizonte Shtabin e Përgjithshëm rus me informacione lidhur me synimet strategjike gjermane. Ai kujton se superspiuni Richard Sorge, informacionet e të cilit se Japonia nuk do të hynte të luftë, çuan në dislokimin në Moskë e 40 divizioneve nga Lindja e Largme.
“Strategjia ushtarake e Rajhut ishte superiore”, thotë Skorzeny, “dhe gjeneralët tanë kishin një imagjinatë më të fuqishme. Megjithatë, nga ushtari i thjeshtë deri tek komandanti i kompanisë, rusët qenë baraz me ne – kurajozë, guximtarë, konspiratorë të lindur. Rezistonin mizorisht dhe qenë gjithmonë të gatshëm ta sakrifikonin jetën e tyre… Oficerët rusë nga komandanti i divizionit e poshtë qenë më të rinj e më të vendosur se tanët. Nga 9 tetori deri më 5 dhjetor, Divizioni “Das Reich”, Divizioni i X i Blinduar dhe njësitë e tjera e Korparmatës së XVI kanë humbur 40% të personelit të tyre. 6 ditë më pas, kur pozicionet tona janë sulmuar serish nga divizionet siberiane e sapoarritura, humbjet tona kanë kaluar 75%”.
Pra, ja përgjigja pyetjes: pse gjermanët nuk e kanë marrë Moskën? Thjesht janë mundur. Vetë Skorzeny nuk ka luftuar në këtë front. Nuk ishte budalla dhe e ka kuptuar se nuk ekzistonte as shansi më i vogël të mbijetonte në atë kasaphanë dhe kështu e kapi rastin që të transferohej në shërbim të njësisë komanduese të SS-ëve. Fronti nuk e tërhiqte më – rrëmbimi i diktatorëve ishte më i pëlqyeshëm dhe më i sigurt sesa të gjendeshe përballë siberianëve, që luftonin nën mbrojtjen e tankeve T-34 dhe me shërbimin e inteligjencës më të mirë të botës.
(nga “Istoricheskaja Pravda”)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / bota.al