Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip, më 2 gusht në Durrës

Për pesë ditë me radhë vëmendja letrare mbarëkombëtare do të fokusohet “Panairi Ndërkombëtar i librit shqip”. Organizatorët e aktivitetit të rëndësishëm letrar, shoqata kulturore artistike “DURANA” dhe Bashkia e Durrësit, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e rreth 80 shtëpive botuese nga 7 vende.

Aqif Hysa, drejtues i këtij eventi dhe përfaqësues i shoqatës “DURANA” gjatë konferencës për median ka bërë të ditur se, “rreth 80 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe 7 vende të tjera, ku botohen libra shqip, janë bërë pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Librit, i cili do të mbahet nga data 2 deri më 7 gusht, gjatë shëtitores “Taulantia”.

Synimi i këtij Panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës shqipe në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair i shërben shkëmbimit të vlerave. Panairi ka qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i pari i këtij lloji për këtë qytet.

Adrian Gurra, Drejtor i Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, në Bashkinë e Durrësit ka pohuar se, Panairi Ndërkombëtar i Librit është ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij sezoni veror për qytetin e Durrësit”. Bashkia e Durrësit e ka mirëpritur ftesën e organizatorëve për bashkëpunim për këtë aktiviteti të rëndësishëm për librin shqip. Kjo është një ngjarje për qytetin e Durrësit dhe qytetarët e saj”, ka thënë ai.

Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip do të hapet ditën e martë, ku marrin pjesë shtëpi botuese nga 7 vende si, Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Rumania, të cilët do të promovojnë librat shqip për të apasionuarit pas letërsisë shqipe. Panairi do të qëndrojë i hapur për 5 ditë me radhë nga ora 18:00 deri në orët e vona në shëtitoren “Taulantia”.

SHKARKO APP