Pandemia Covid-19/ Si të shmangim “bombardimin” e informacionit

Janë të shumtë ata që përafrojnë situatën e krijuar nga pandemia me një luftë të vërtetë, por kundrejt një armiku të padukshëm. Gjithsesi, përtej viktimave, kjo luftë edhe “bombardime” që mund të cenojnë seriozisht psikologjinë secilit prej nesh, në kushte që nuk jemi mësuar të përjetojmë kurrë. Bëhet fjalë për sasinë e tej madhe të informacionit me të cilin kemi të bëjmë çdo ditë, i përqendruar kryesisht në shifra dhe hipoteza të ndryshme mbi përhapjen e COVID-19. Psikologët dhe studiuesit e ndryshëm që merren me teknologjitë dhe rrjetet sociale kanë filluar të japin disa këshilla të thjeshta që mund të lehtësojnë jo pak stresin e këtyre ditëve të mbyllura në shtëpi. Këshilla e parë është ajo që të rindërtojmë “marrëdhënien” që kemi me internetin dhe të kontrollojmë sërish se ku, si dhe kur të marrim informacionet që duam.

Duhet të dimë që në logjikën mediatike, lajmet e këqija përhapen më shpejt në rrjetet sociale sesa ato pozitive, dhe tendenca e personave është të shpërndajë këtë tip lajmesh më shumë tek miqtë e tyre. Një mundësi e mirë për t’iu përgjigjur, sipas ekspertëve të universitetit të Oksfordit, është vendimi për t’u njoftuar vetëm në disa momente të caktuara të ditës, dhe jo në mënyrë të vazhdueshme. Një zgjedhje e mirë, sipas tyre, është edhe përcaktimi i dy ose tre burimeve maksimalisht nga ku rrjedh ky informacion, në mënyrë që të shmangen edhe lajmet e rreme ose që thjesht kërkojnë të gjenerojnë klikime me tituj që e dramatizojnë situatën më shumë sesa ç’ duhet.

Në raste të jashtëzakonshme si kjo që po përjetojmë me koronavirusin, do na duhen edhe disa njohuri të vogla teknologjike, për të përballuar këtë bombardim informacionesh. “Egërsia” e rrjeteve sociale mund të “zbutet” me përdorimin e opsioneve “mute” dhe “unfollow” në miqtë e Facebookut ose në grupet private në Whatsapp ulë ndjeshëm sasinë e informacionit të panevojshëm që vjen edhe nga persona të rëndësishëm për ne, pa qenë nevoja t’ i eliminojmë ata në mënyrë të përhershme. Për ata që përdorin Twitter, një mënyrë tjetër është pezullimi i disa fjalëve kyçe, që në një moment të caktuar rrisin stresin dhe gjenerojnë ankth. Ka edhe disa programe të caktuara që thjeshtësojnë këto veprime. Një aplikacion i quajtur Freedom pezullon një seri rrjetesh sociale për një periudhë të caktuar, një tjetër si Moment, tregon në mënyrë të detajuar sesi shpenzojmë kohën tonë online. Në momente të vështira, ka elementë teknologjikë që na shërbejnë edhe për t’ u relaksuar.

SHKARKO APP