Parà për të bërë investime apo investime për të bërë parà?!

Nga  Jonild Hoxhaj*

Me një përgjegjësi kushtetuese, ligjore dhe institucionale Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime të përputhshmërisë, financiare, performance, të Teknologjisë së Informacionit si dhe auditime të kombinuara duke synuar mirë përdorimin e fondeve publike, pronës publike si dhe duke informuar publikun nëpërmjet raporteve të auditimit. Koherenca e gjashtë viteve të fundit të këtij institucioni ndaj problemeve konkrete që prekin financat dhe interesin publik, është një progres i arritur më së miri, tregues i të cilës janë rritja në vazhdimësi e zbatimit të rekomandimeve të KLSH si dhe e numrit të ankesave që kërkojnë trajtim nga audituesit. Pavarësia dhe transparenca janë dy komponentë të cilët shoqërojnë punën audituese që nga koha e planifikimit, realizimit e deri tek raportimi i gjetjeve. Të qenit prezent në media dhe identifikimi i vazhdueshëm i shqetësimeve të publikut, si të individit të thjeshtë ashtu edhe të subjekteve ekonomike, e bën KLSH – në një faktor kyç në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Me qëllim zhvillimin e një sistemi të përshtatshëm të menaxhimit financiar KLSH nuk ka lënë pas propozimet për ndryshimet në Ligj, Udhëzime apo Rregullore. Një nga drejtimet jo me pak risk që KLSH auditon nëpërmjet programeve të miratuara nga vetë Kryetari është ajo e lidhjes dhe zbatimit të kontratave për punë mallra dhe shërbime. Si një nga shpenzimet që sjellin një ndikim të drejtpërdrejtë për një vend në zhvillim siç është Shqipëria. Investimet publike janë një shpenzim i prekshëm dhe që përmirësojnë ndjeshëm jetën e publikut të thjeshtë por edhe ekonominë dhe kushtet e biznesit në përgjithësi, kontratat e të cilave auditohen me kujdes pikërisht për shkak të riskut të lartë që ato paraqesin. Duke patur parasysh rëndësinë që kanë, investimet kanë qenë dhe do të jenë për një kohë të gjatë në Shqipëri për aq kohë sa vendi do të jetë një rajon në zhvillim, një faktor i përdorur nga vetë pushtetit vendor dhe qendror për promovimin e punës ndaj një elektorati të synuar. Si një institucion Kushtetues i pavarur dhe me objektiva të qarta për rolin që mbart, pa u përfshirë dhe pa u bërë pjesë e lëvizjeve luajale të politikës, në këtë garë mes forcave të ndryshme, KLSH kërkon të hedhë dritë dhe mandej të bëjë me dije publikun dhe palët e interesit se çfarë qëndron realisht brenda letrave dhe cilat janë ato fakte që bien në kundërshtim me sa shkruhet e thuhet nëpër podiume. KLSH kërkon gjithashtu ta njohë publikun me faktet konkrete dhe ta informojë atë jo vetëm mbi shkallën e zbatueshmërisë së ligjit por edhe të dobisë eficiencës dhe ekonomicitetit të investimeve nëpërmjet auditimeve të performancës për të arritur në konkluzionin nëse janë realizuar investimet e duhura me paratë e nevojshme dhe jo përtej. Pikërisht prej sa më sipër, KLSH e shikon veten si një mbështetje për interesat e publikut dhe një dritare komunikimi lehtësisht e aksesueshme për trajtimin e ankesave me qellim shmangien e keqpërdorimit të parasë dhe interesit publik.

Por, pse lind keqpërdorimi i investimeve publike???

   Si në çdo profesion tjetër edhe nga auditimi fitohet ajo lloj eksperience nëpërmjet të cilës audituesi krijon një gjykim dhe një tablo të qartë të mjedisit të audituar, kjo bazuar në një punë profesionale përgjatë viteve. Nëse do të përshkruanim shkurtimisht historikun nëpër të cilin kalon një investim do të vërenim se aktorët kryesorë që marrin pjesë janë gjithmonë:

Titullari i Autoritetit që synon të investojë dhe për këtë realizon një procedurë prokurimi (tender); Hartuesi i projektit të zbatimit; Sipërmarrësi apo firma zbatuese e punimeve; Mbikëqyrësi i punimeve; Kolaudatori i punimeve të përfunduara; Grupi i marrjes në dorëzim; Të ndodhur në kushte kur një punësim për çdo kënd është një domosdoshmëri nga jetike, sociale e deri në personale, të gjithë synojnë të përmbushin këtë diapazon domosdoshmërie. Duke mos përgjithësuar por duke bërë një përmbledhje nga ato çka eksperienca audituese ka treguar në drejtim të auditimit të investimeve, nuk mund fshihet, nuk mund të mbyllen sytë e as nuk mund të bëhet sikur askush nuk e kupton se një investim është kthyer në një “tortë” ku secili kërkon të marrë pjesën e vetë e madje edhe më tepër dhe i vetmi që nuk mund të flasë, të kërkojë atë që i takon me të drejtë dhe të ngre zë është vetë ai, investimi! Në një situatë të tillë, duket sikur investimi merr vëmendje vetëm në momentin e emërtimit të tij si objekt dhe përcaktimit të objektivave që ai mbart. Kështu promovohet e transmetohet nga investitorët (Bashkia, Ministria, Drejtoria etj.) tek qytetarët, banorët, nxënësit, drejtuesit e mjeteve, pra të gjithë përdoruesve të drejtpërdrejtë të investimit, puna që parashikohet të kryhet. Jo rrallë herë ndodh që fondi i vënë në dispozicion të investimeve është i tej fryrë në vlerë duke nisur kështu një procedurë tenderi me një dëm ekonomik që në momentin e lidhjes së kontratës me firmën e zbatimit. Megjithatë, edhe nëse çdo punë do të realizohej konform projektit të zbatimit, për financat publike do të kishim në kushtet kur “puna e kryer na kushtoi më shtrenjtë nga c’duhej”. Por ajo çka ndodh shpesh me investimet është deformimi i objektivave që ka investimi dhe heqja dorë në mënyrë të njëpasnjëshme nga këto objektiva deri sa e gjithë puna rezulton në as më pak e as më tepër se ajo nga çka ka mbetur nga ndarja e “tortës”. Heqja dorë në mënyrë të njëpasnjëshme nënkupton së pari uljen e cilësisë së punës deri në atë masë sa ky investim me siguri do ti nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje në një periudhë shumë të shkurtër. Në mungesë të një planifikimi të mirëfilltë investimesh konkrete, me një boshllëk ligjor për sa i përket garancisë shumë vjeçare të punimeve lind kështu cenimi i interesit publik i cili duhet të ishte primar si çdo investim tjetër. Për nga ana financiare do të ishim në kushtet kur  “puna e kryer me një cilësi më të ulët nga c ‘kërkohej na kushtoi shumë më shtrenjtë nga c ‘duhej”. Së dyti dhe akoma më e rëndë janë diferencat në volume pune të pakryera por të likuiduara në fakt ndaj firmave të zbatimit të cilat sjellin jo vetëm cenimin e parasë publike por edhe lindjen e domosdoshmërisë për një investim të ri në një të ardhme jo të largët. Kjo domosdoshmëri lidhet me faktin se mungesa e punimeve nëntokësore për rrugët sjell amortizimin e akseve dhe domosdoshmërinë për rikonstruksionin e tyre, mungesa e një shtrese izolimi për tarracën e një shkolle të re sjell domosdoshmërinë e rikonstruksionit të të gjithë shkollës prej problemeve të lagështisë dhe amortizimit total në të ardhmen e kështu me radhë. Në këtë rast, për sa i takon financave do të ishim në kushtet kur  “puna e pa kryer krejtësisht dhe me një cilësi më të ulët nga c ‘kërkohej na kushtoi më shumë më shtrenjtë nga c ‘duhej”.

Sa më sipër nuk është aspak një deformim dhe as një ekzagjerim faktesh por një realitet i dokumentuar i cili rezulton nga eksperienca audituese, shkaktarë i së cilës nuk është në veçanti as njëra por janë të gjitha së bashku. Këta gjashtë aktorë, qoftë nëpërmjet shmangies së detyrimeve, qoftë prej të qenit pjesë e zinxhirit të korrupsionit apo qoftë edhe nëpërmjet neglizhencës profesionale, krijojnë një platformë të tërë fiktive ku ligji zbatohet formalisht, ku dokumentet shkruhen sepse duhen dhe ku puna përdorët për të bërë parà e jo paràja për të bërë punë!

*Auditues i Lartë, KLSH

 

SHKARKO APP