Pas në kohë me muzikë të bukur, “Albanian Pop Rock Duets” ngjiten në Amfiteatrin e Tiranës
Një tjetër iniciativë për të mos e lënë këngën shqipe të harrohet; pas sjelljes në kohë të muzikës së viteve ‘90-të me “Albanian Pop Rock 90’s” dhe repertorit të vajzave e grave, në “Albanian Pop Rock Ladies”, gazetarja Kozeta Kurti, ka një tjetër ide, në vazhdim të kësaj linje: “Albanian Pop Rock Duets”.
Duetet më të mira të muzikës së lehtë shqiptare deri në fund të viteve ‘90-të, do të vijnë me orkestracione të reja, mbrëmjen e 2 qershorit në Amfiteatrin e Tiranës.
Repertor i zgjedhur nga Aleksandër Gjoka e Aurela Gaçe, Ledina Çelo e Sabri Fejzullahu, Fitnete Tuda, Parashqevi Simaku, Nertila Koka etj, do te interpretohen nga një gjeneratë më e re këngëtarësh, midis të cilëve Orgesa Zaimi, Evi Reçi, Kamela Islamaj, Era Rusi, Mateus Frroku, Luiz Ejlli, etj..
Elegancë harqesh dhe forcë instrumentesh elektrike, bashkojnë në këtë ngjarje muzikore artistët e rinj përballë krijuesve të këtyre këngëve të arta të muzikës shqiptare, të cilët këtë herë, janë spektatorë të rradhëve të para, duke ndjekur me emocion se si kënga e tyre mund të jetojë gjatë në kohë e të zërë vend në breza të rinj.
Biletat gjenden në myticket.al dhe sportelin e Amfiteatrit. Për kontakt: 0674055500.