“Pasojat zgjasin me muaj”, studimi i Oksfordit: Çfarë ndodh me mushkëritë e të infektuarve
Covid-19 mund të shkaktojë komplikacione në mushkëri, që mbeten të pranishme tek pacientët edhe tre muaj nga infektimi, sugjerojnë studiuesit.
Në një studim, ku kanë marrë pjesë dhjetë pacientë, Universiteti i Oksfordit përdori një teknikë të re skanimi për të identifikuar dëmet që nuk duken nga skanimet konvencionale, shkruan BBC.
Një gaz i quajtur ksenon u përdor gjatë skanimeve me rezonancë magnetike për të krijuar imazhe të dëmtimit të mushkërive. Ekspertët e mushkërive thanë se një test që mund të zbulonte dëmtime afatgjata do të bënte një ndryshim të madh për pacientët me Covid.
Prof Fergus Gleeson, i cili po udhëheq punën, e provoi teknikën e tij të skanimit në 10 pacientë të moshës mes 9 dhe 69 vjeçare.
Tetë prej tyre kishin gulçim dhe lodhje të vazhdueshme tre muaj pasi ishin të sëmurur me koronavirus, edhe pse asnjë prej tyre nuk ishte pranuar në kujdes intensiv ose kishte nevojë për ventilator dhe skanimet konvencionale nuk kishin gjetur probleme në mushkëritë e tyre.
Skanimet treguan shenja të dëmtimit të mushkërive, duke nxjerrë kështu në pah zonat ku ajri nuk rrjedh lehtë në gjak, në tetë personat që raportuan marrje fryme.
Rezultatet e kanë shtyrë Prof Gleeson të planifikojë një test tjetër ku do të marrin pjesë deri në 100 persona për të parë nëse e njëjta gjë ndodh edhe tek personat që nuk u shtruan në spital dhe nuk kanë pasur simptoma serioze. Ai po planifikon po ashtu që të punojë me mjekë të përgjithshëm për t’u bërë skaner personave që kanë rezultuar pozitivë për Covid-19 në të gjithë një grup moshash.
Qëllimi i këtij studimi është që të zbulohet nëse dëmtimi i mushkërive ndodh dhe nëse po, nëse është i përhershëm, apo zgjidhet me kalimin e kohës.
Burimi: abcnews.al