Për bamirësi Shqipëria e 105-ta në botë? S’ka mundësi

Në dallim nga vitet e mëparshme, këtë vit, Charities Aid Foundation nuk publikoi listën e shteteve më bamirëse përgjatë 2019-s, por një agregim të listave të realizuara përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Studimi u bën tre pyetje atyre që interviston: A ke ndihmuar një të panjohur kur kishte nevojë për ndihmë? A ke dhuruar para për bamirësi? A ke shërbyer si vullnetar për një organizatë jo-fitimprurëse? Në bazë të përgjigjeve, përpilohet një mesatare që kontribuon në renditjen e shtetit në listë.

Këtë dhjetëvjeçar, Shqipëria u rendit në vendin e 105, nga 125 shtete të studiuara. Si shqiptarë, kjo renditje tingëllon absurde. Ne e kemi të rrënjosur në kulturë mikpritjen dhe ndihmën e atyre në nevojë. Kur dikush sëmuret në rrugë, nuk e lë njeri të vuajë. Kur një kushëri i largët kërkon një vend për të ndenjur në shtëpinë tënde, sigurisht që i lirojmë një krevat. Kur shohim që fqinjët kanë probleme ekonomike, u zgjasim një dorë.

Këto sjellje u vunë re më së shumti dhe rrënjët e tyre u përforcuan gjatë tragjedisë së 26 nëntorit dhe ditët që pasuan. Me qindra njerëz dolën vullnetarë për t’u ardhur në ndihmë të prekurve, me qindra hapën dyert e shtëpive për t’i strehuar, me qindra mijëra dhuruan financiarisht dhe mblodhën rreth 10 milionë dollarë. Bamirësia e bërë pas tërmetit as nuk i afrohet bamirësive të bëra përgjatë gjithë dekadës nga shqiptarët. Aq monumentale ishte.

Sidoqoftë, nuk paska pasur ndonjë ndikim në renditjen e Shqipërisë në listën e CAF. Por kjo ka një arsye. Pyetja në lidhje me dhurimin financiar dhe në lidhje me kohën vullnetare kanë marrë përgjigje negative nga të intervistuarit shqiptarë sepse nuk janë ende pjesë të kulturës sonë. Siç e shpjeguam më lart, u gjendemi pranë në mënyra të tjera, ndoshta më njerëzore, atyre që kanë nevojë për ndihmë. Gjithashtu, në faqen ku shpjegohet metodologjia, thuhet se në shtetet e vogla janë intervistuar përreth 1000 banorë, një mostër kjo goxha e vogël në krahasim me 3 milion shqiptarët që banojnë brenda territorit. Renditja e dobët e Shqipërisë nuk e portretizon si duhet shpirtin tonë bamirës, por për sa kohë u qëndojmë besnikë vlerave tona, në rregull jemi. /Anabel/

SHKARKO APP