Për shpirtin e kryeveprës, polifonisë

Nga Kristo Çipa/Brenda Kombit shqiptar gjuha dhe polifonia kanë qenë përballë rrezikut për ekzistencën e vet e para se nuk shkruhej dhe e dyta nuk pentagramizohej.  Të dyja e kanë një mit, atë të prejardhjes prej Perëndive. Sot, gjuha është ulur në fronin e saj (shkolla, universitete, akademi) e dyta rron e sëmur nëpër shpirtrat e njerëzve që e mbartin duke bërë lëvizje kaotike si vet ata.

Thonë se polifonia po tretet si vesa mbi fijet e barit. A duhet besuar!? Nuk na rezulton e vërtetë. Ndoshta se është e jona apo ka diçka më thelbësore të lidhur me ekzistencën tonë dhe nuk mund të na lëshojë edhe në këtë maratonë globalizimi?! Nga ana tjetër ka edhe diçka mistike dhe të pashpjegueshme që ndodhet mes reales e sureales, tokësores dhe qiellores,trupit dhe shpirtit.

Thonë se ajo ka lindur një vakt para zjarrit dhe tenton përjetësinë! Pa akorde, dirigjent, muzikë, ajo mbështjell mijëravjeçarët me mjegullimin bekues nëpër trojet e lëngatës që kurrë s’gjetën prehje, por me dashje apo padashje unifikon një të tërën shpirtërore edhe pse të ndarë gjeopolitikisht. Ajo është histori, dritë, besim dhe frymë. Koha punon për ta tretur, por e shkuara nuk e lejon. Misioni i saj hyjnor po e ngre nga lëngimi për të ekzistuar.

E sëmurë por kurrë e plakur. Sa herë e dëgjojmë na duket  se kalojmë portën e botës mistike dhe e kërkojmë ta kapim  megjithëse është brenda nesh, në mish e në shpirt. E gjitha e jona. Bëhet fjalë për një kryevepër të njerëzimit, polifoninë! Thënë ndryshe, kënga e vendit me shumë zëra.  E kemi të gjallë nëpër duar dhe nuk e kuptoj pse i hedhim sytë nëpër imazhet e rreme, artificiale për kulturën tonë kombëtare. Vet e nëpërkëmbim, të tjerët na e lavdërojnë dhe e kërkojnë. Kur i shikon se si e dëgjojnë, shijojnë  dhe e vlerësojnë,thua ,a ekziston mes nesh apo bëhet fjalë për një vlerë të ndonjë planeti tjetër? Por kur e përkëdhel nëpër duar shumë shpejt i dallon plagët që  ka . Dhe nuk kërkon mjekim të gjatë e të kushtueshëm. Më shumë vëmendje dhe respekt. Ky “himn njerëzor” lindi nga dëshira popullore  me një  harmoni perfekte  dhe unitet  muzikor  e shpirtëror unikal dhe është po kjo dëshirë që e mbart nëpër shekuj  së bashku me ekzistencën e vet.

Edhe pse armë skish në vetvete  ka qenë arma më e fuqishme që s’ka lejuar asimilimin. Ndoshta se lindi larg instrumenteve apo më saktë përpara instrumenteve muzikor qëndron e madhërishme në fronin e saj, Labërinë, midis njerëzve dhe perëndive. Ndonëse ka marrë një pasaportë kryediplomati në UNESCO ajo e kërkon mbrojtjen dhe institucionin atje ku lindi dhe rron, në mëmëdheun e saj.  Por gjatë viteve të  vështira të tranzicionit e ka pasur një engjëll mbrojtës që e shikonte  jo vetëm  nëpër skena e festivale por edhe kur pushonte në gjumin e saj nanuritës. Bujar Leskaj ka qenë i dashuruar i marrosur i kësaj magjie dhe i ka qendruar si kalorësi Princeshës në çdo hall dhe lëngatë  të saj.  Nuk ka këngëtar, krijues, interpretues të  iso-polifonisë që nuk ka ndier ndihmën e madhe këmbëngulëse të Bujarit dhe përkujdesjen pa kusht për gjithçka që i duhet këngës dhe këngëtarëve. Kur është midis tyre ai ka një dehje polifonike si në vargjet homeriane.

Kënga Polifonike është e shenjtë dhe kush e ndihmon dhe e dashuron atë shenjtërohet edhe  vet. Që kjo këngë  mos ti lihet  spontanitetit dhe përkujdesjes së të dashuruarve duhet patjetër të  mbrohet me Institucion. Qëllimi i këtij shkrimi nxitja e një debate se si  mund ta ruajmë, zhvillojmë e transmetojmë këtë vlerë  universale që në procesin e europianizmimit t’ja çojmë të  kristaltë botës së vlerave. 1. Mendoj se ka ardhur koha që Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit  dhe Akademinë e Shkencave të planifikojnë që në  programet mësimore në shkollat 9-vjeçare, brenda orës së muzikës të bëhet mësimi i këngës iso-polifonike në trevat ku ajo këndohet. Për trevat e tjera ajo pjesë e folklorit që trashëgohet. Duke marrë shembuj nga vendet fqinje mëson se pikërisht në bankat e shkollës merret vallja dhe kënga e popullit tënd. Për fatin e mirë sot ende jetojnë bartës të kësaj kënge iso-polifonike që kanë mundësi fizike për t’jua transmetuar këtë këngë brezave duke siguruar  vazhdimësinë e saj ,ngulitjen në gjoks dhe mendjen e fëmijëve. Duke punuar kështu, shekulli që  jemi  ka të garantuar  këtë vlerë.  Dhënien e këtij mësimi UNESCO dhe BE  mund ta  financojnë me  projektet e tyre.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike duhet të jetë një institucion me buxhet të pavarur dhe të  ketë ekskluzivitetin e organizimit të veprimtarive folklorike, të përgatis projekte specifike për iso-polifoninë. Në këto projekte kam parasysh edhe  vet  programin mësimor në shkolla, organizimin e festivaleve të veçuara rajonale të iso-polifonisë dhe polifonisë. Vlerësimin e krijuesve dhe interpretuesve  të  kësaj mrekullie. Me këtë rast gjej momentin ti drejtoj një  falënderim të veçantë Presidentit Nishani për vlerësimin e herë pas hershëm  që u ka bërë interpretuesve të polifonisë dhe njohjen e thellë që ka për iso-polifoninë

Në kuadrin e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj kryevepre të njerëzimit, përgatitja e një ligji të veçantë për të disiplinuar fenomenin e rrezikshëm të imitimit dhe huazimit të motiveve e karakterit specifik nga njëra trevë në tjetrën duke pasur parasysh aspektin burimor dhe elementët përbërës karakteristik të saj, do të ishte me shumë interes. Që kjo këngë të mos mbetet relikë arkaike por të jetë bashkëkohore, ligji duhet të  ndërtohet mbi kritere shkencore rigorozisht të kontrolluara nga Akademia e Shkencave me qëllim që e nesërmja e Polifonisë të jetë më e shndritshme se e sotmja.

Ka ndodhur shpesh që frytet e mrekullueshme të kësaj kënge ti vjelin “xhambaz e matrapaz” që kurrë nuk kanë pasur lidhje me polifoninë që s’kanë bërë këngë e s’kanë ndërtuar një tekst. Gjithashtu janë zhvilluar festivale e janë dhënë tituj me emra që s’kanë pasur lidhje me iso polifoninë. Për këtë mendoj se njerëzit që duhet të merren me gatitjen e brumit folklorik të jenë këta krijues që ndjeshmërinë për këngën e kanë në shkallën sipërore dhe çdo deformim të saj nuk do ta lejojnë. Pikërisht këta njerëz duhet të përzgjidhen nga institucioni përkatës Sugjerime e mendime që mund ta pasurojnë organizimin në institucion të këngës iso-polifonike , janë te mirëpritura e të debatueshme në çdo moment.

Shpesh floriri mbahet i fshehur nëpër errësirat e tokës dhe skuta të kohës , ndërsa ari i polifonisë është i ekspozuar nga qielli në toke  në formë të ylbertë që vetëm mbi tokën shqiptare e ka kaq të shndritshëm shkëlqimin dhe shumë të pakët fitimin. Sot është herët, nesër do të jetë vonë për të të mos e lejuar tretjen e të përjetshmes.

SHKARKO APP