Përfundon faza e parë e projektit zviceran “Aftësi Për Punë”

Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) ka përmbyllur këtë muaj fazën e tij të parë. Në ambientet e Hotel Tirana u zhvillua ceremonia e përmbylljes së një pune trevjeçare, ku qindra sipërmarrje janë bërë pjesë e nismës së projektit, duke sjellë vlerë të shtuar në ofrimin e arsimit profesional cilësor, më pranë nevojave të tregut të punës, për mijëra nxënës. Arsimi i mesëm profesional është prioritet i qeverisë shqiptare dhe institucioneve politikëbërëse në vend. Ai po shihet si një mundësi e drejtpërdrejtë për punësimin e të rinjve dhe furnizimin e tregut të punës me profesionistë. Hoteleri-Turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit dhe Tekstili janë disa nga sektorët e identifikuar me potencial zhvillimi.

6 shkolla të mesme profesionale në Shkodër, Lezhë, Berat, Vlorë e Tiranë dhe 1 qendër profesionale në Vlorë kanë zhvilluar projekte pilot në këtë drejtim, duke siguruar rezultate mbresëlënëse falë mbështetjes së S4J.

Çfarë ndodhi gjatë Fazës së I-rë?

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, tha se, “projekti “Aftësi për Punë” ka krijuar dhe pilotuar instrumenta të ndryshëm, për shembull për orientimin në karrierë dhe për zhvillimin e praktikave profesionale pranë bizneseve, të cilat mund t’i aplikojmë edhe në institucione të tjera të AFP-së”.

Gjatë fazës së parë, projekti i qeverisë zvicerane, i zbatuar nga organizata Swisscontact ka mbështetur institucionet partnere ofruese të Arsimit të Formimit Profesional në disa drejtime. Konkretisht:

Janë nënshkruar 433 marrëveshjeve me bizneset e sektorit privat, lider të industrisë në shkallë lokale dhe kombëtare. Bizneset kanë ofruar praktika dhe stazhe profesionale, sponsorizime, trajnim të mësuesve me standardet e industrisë, dhe janë përfshirë në procesin e përditësimit të kurrikulave;

1422 nxënës e kursantë janë angazhuar në praktikave dhe stazhe profesionale;

Janë pilotuar ‘Mënyrat e Reja të Mësimdhënies’ dhe përfshirja e teknologjisë në orën e mësimit, për të bërë mësimin më tërheqës dhe të prekshëm për nxënësit;

Është ngritur sistemi i gjurmimit për të diplomuarit nga institucionet e AFP-së, me qëllim mbledhjen e të dhënave për situatën e tyre të punësimit pas përfundimit të shkollës ose kursit profesional;

Janë pilotuar Qendrat e Karrierës, si pjesë e strukturës së institucioneve ofruese të AFP-së, fillimisht me 5 funksione. Tashmë kjo qendër, e parashikuar në ligjin e ri për AFP-në, njihet me emrin ‘Njësia e Zhvillimit’ dhe përfshin 7 funksione (orientimin dhe këshillimin e karrierës, marrëdhëniet me bizneset, zhvillimin e kurrikulës së shkollës, marketingun institucional, sistemin e gjurmimit, zhvillimin e stafit, zhvillimin e projekteve).

Me ndërmjetësimin e “Aftësi për Punë”, shkollat kanë nënshkruar marrëveshje binjakëzimi me shkolla zvicerane, si dhe kanë marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare për nxënësit, ku janë vlerësuar vazhdimisht me çmime.

Projekti ka marrë përmasat e një lëvizje për nga numri i nxënësve, mësuesve, prindërve dhe sipërmarrësve të përfshirë.

Gjatë ceremonisë në Tiranë, drejtuesit e projektit theksuan se tre vite më parë, u desh të përballeshin me ndryshimin e mendësisë së shumë aktorëve në treg për të treguar se arsimi i mesëm profesional është një zgjedhje e zgjuar, praktike dhe në dobi të familjes dhe ekonomisë së vendit.

Duke e njohur si një lëvizje, Henry Leerentveld, Drejtori i Swisscontact për Europën Lindore tha se, “është koha të kalojmë në më shumë shkolla për të modernizuar edukimin profesional në Shqipëri”.

Projekti do të vijojë edhe me një fazë të dytë, e cila pritet të fillojë në Maj 2019 dhe do të zgjasë 4 vjet.

Për të parë përmbledhjen e eventit klikoni Këtu.

Ja çfarë do të ndodhë në fazën e II-të

Ndër objektivat kryesore të fazës së ardhshme të projektit janë:

1- Transferimi i praktikave të mira të aplikuara në gjatë fazës së parë në institucione të tjera ofruese të AFP-së;

2-Fuqizimi i institucioneve dhe krijimi i një kulture për ta kthyer ndryshimin si pjesë konstante të punës së tyre dhe

3- Sjellja e sektorit privat në zemër të institucionit, për ta futur sektorin privat qoftë në bordin drejtues të shkollës, në proceset e konsultimit të kurrikulave dhe programeve të ndryshme mësimore dhe në realizimin e praktikës profesionale në kompani, duke e kthyer këtë të fundit në normë.

Në ceremoninë përmbyllëse të fazës së parë, u certifikuan 16 mentorë të bizneseve partnere nga Shkodra dhe Lezha, të cilët kishin marrë pjesë në një trajnim të dedikuar për rolin e mentorit në ofrimin e praktikave profesionale cilësore.

Për të parë përmbledhjen e eventit klikoni Këtu.

Rreth projektit ‘Aftësi për Punë’ (S4J)

‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga organizata zvicerane Swisscontact. Ky projekt është pjesë e Sferës së Zhvillimit Ekonomik të Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran për Shqipërinë (2014-2017 dhe 2018-2021), me fokus të veçantë tek promovimi i mundësive për punësim dhe zhvillimin e aftësive.

‘Aftësi për Punë’ (S4J) u projektua për të adresuar sfidat kryesore në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP), të tilla si: cilësia dhe statusi i ulët, financimi i pamjaftueshëm, orientimi i dobët nga tregu i punës dhe angazhimi i dobët i sektorit privat. Projekti i adreson këto sfida duke mbështetur ofruesit e AFP-së në Shqipëri për të përmirësuar ofertën e tyre duke futur në përdorim metoda novatore për mësimdhënien, praktikat profesionale në biznes dhe shërbimet e orientimit dhe këshillimit të karrierës, për të siguruar një kalim më të lehtë nga shkolla në tregun e punës. Përdorimi i teknologjisë në orën e mësimit, aplikimi i metodave të të nxënit të kombinuar dhe të individualizuar dhe mësimi nëpërmjet punës qëndrojnë në thelb të punës së projektit “Aftësi për Punë” (S4J).

Projekti fokusohet në 4 sektorë me potencial për rritje dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri: Hoteleri-Turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Tekstili dhe Ndërtimi (me fokus tek teknikat moderne dhe eficenca në ndërtim).

SHKARKO APP