Përplasje mes Jeton Nezirajt dhe Kiço Londos, anulohet shfaqja

Një përplasje mes dramaturgut nga Kosova, Jeton Neziraj, (drejtues i Qendrës Multimedia) dhe drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë që artistët nga Prishtina të anulojnë vënien në skenë të shfaqjes së tyre në kuadër të festivalit “Unë quhem Ballkan”.

Si fillim, Neziraj ka njoftuar në rrjetin social “Facebook” se “Shfaqja e planifikuar të jepet sonte në Tiranë, është anuluar pa vullnetin tonë”, mandej, po aty, ai ka shtuar se: “në lidhje me anulimin e shfaqjes që qe planifikuar të jepej sonte në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për publikun dhe mediat e interesuara në Tiranë, shkaqet e anulimit do t’i bëjmë publike sonte, nga ora 20:00, në oborrin e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ju ftojmë të vini”.

Teatri Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli, në një reagim zyrtar njofoi se: “Shqetësimi i djeshëm i trupës nga Kosova erdhi si rezultat i mungesës së rakordimit të saktë sipas planifikimit me organizatorët. Duhej që skena të ishte e lirë ora 17:00.

Me ndërhyrjen e Ministres së Kulturës u kërkua që orari i lirimit të sallës të shkonte në 15:00. TKEKS ndërpreu aktivitetin e vet dhe në ora 15:00 salla ishte gati për miqtë nga Kosova, të cilët e gjykuan këtë si të papërshtatshëm dhe të pamundur për të zhvilluar aktivitetin e tyre, që ishte planifikuar të fillonte në ora 20:00. Teatri Kombetar Eksperimental mbetet një derë e hapur për çdo prurje të re.”

Jo zyrtarisht mësohet se arsyeja e përplasjes mes palëve ka qenë salla: pala kosovare ka kërkuar ta ketë sallën herët të lirë që të bëjë gati skenografinë, ndriçimin e çdo gjë tjetër që duhej për sa i takon pjesës, ndërkaq, Londo e ka pasur sallën të zënë pasi së bashku me një regjisor italian kanë qenë duke bërë prova për premierën e radhës në TKEKS. Debati është bërë për dy orë, ndërsa Londo kish premtuar që ajo do të lirohej në orën 17:00, pala kosovare e ka kërkuar sallën të lirë në orën 15:00. Dëshmitarët nuk pranojnë të flasin për debatin e zhvilluar.

Deklarata e Nezirajt

Autori i tekstit të pjesës që do vihej në skenë më 27 shtator, Jeton Neziraj ka sqaruar më herët se bëhet fjalë për komedi politike. Shfaqja ka regjinë e Blerta Rrustemi Neziraj, kompozitor do të jetë Gabriele Marangoni, koreografe Adrienne Hart, skenografe Petra Veber, kostumografe Vesa Kraja, ndirçimi Radomir Stamenkovic, ass. regjisore, Enkeleda Simitxhiu Avdiu, menaxhere e skenës Lendita Idrizi.

Ajo është “një shfaqje teatri me 4 aktorë, me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministër, me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” dhe qe paralajmëruar se do të jepej premierë të hënën më 26 shtator në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa të martën me 27 shtator shfaqja do të prezantohej edhe në Tiranë, në Teatrin Kombëtar Eksperimental, në kuadër të festivalit “Quhem Ballkan” që organizohet nga Ema Andrea.

 

Më poshtë, po vëmë të plotë fjalën që Neziraj mbajti të martën në mbrëmjen te pishina, mes dy teatrove, atij Kombëtar dhe atij Eksperimental:

“Sonte, këtu në Teatrin Kombëtar Eksperimental, është dashur ta japim shfaqjen, të cilën e kemi dhënë premierë mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Fatkeqësisht, kemi qenë të shtrënguar ta anulojmë, pa fajin dhe pa vullnetin tonë. Ekipi teknik ka udhëtuar që herët në mëngjes, në mënyrë që të përgatisë dritat, skenografinë dhe zërin e shfaqjes. Atyre u është thënë që skena e teatrit është e zënë deri në ora 17:00. E kemi bërë të qartë që kjo është e pamundur, sepse minimumi që na nevojitet për ta përgatitur shfaqjen është 6 orë. Njerëzve të teatrit ua kemi bërë të ditur këtë gjë dhe u kemi shpjeguar që na duhet kohë dhe se nuk bëjmë kompromis me kualitetin e shfaqjes.

Rreth orës 15:00 më në fund u lajmërua edhe drejtori Kiço Londo, të cilit ia bëmë të qartë se obstruksionet e kësaj natyre janë jo profesionale, të pahijshme dhe e rrezikojnë dhënien e shfaqjes. Ai pastaj është bërë arrogant, ka filluar të na fyej, të na kërcënoj dhe ka qenë i gatshëm të na sulmojë edhe fizikisht. Në këto rrethana fyese dhe në këtë trajtim tepër poshtërues, ne kemi qenë të shtrënguar ta anulojmë shfaqjen.

Është vërtetë e dhimbshme, por që na duhet ta themi: me shfaqjet tona kemi udhëtuar në dhjetëra vende evropiane, por më besoni që, askund tjetër nuk kemi kaq shumë telashe sesa në Tiranë. Nuk po flas për publikun, të cilin e falënderoj që ka ardhur dhe na ka ndjekur vazhdimisht, po flas për këto copë institucione teatri, po flas për burokratët në këto institucione, për të cilët të vjen keq sesi janë katandisur kaq keq në mjerimin e primitivizmin e tyre.Ky teatër ku sonte është dashur të luajmë meriton një drejtor normal. Unë do të lexoj një pjesë fare të shkurtër nga komedia: Çfarë kërkon ky gomar në një institucion publik? Ndihemi të fyer”. /GSh/

SHKARKO APP