Probleme “tekniko-juridike” të aktit për gjobat ndaj maskave

Nga Altin Kaziaj –

Këshilli i Ministrave në datë 12.10.2020. në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës së RSH ka miratuar Aktin Normativ Nr 32 date 12.10.2020, botuar në fletoren zyrtare Nr. 182 datë 14.10.2020.

Ky Akt Normativ është abuziv, diskriminues në formë dhe në përmbajtje, për arsye se:

· Objekti i aktivitetit të Shoqërisë OSHEE është të ofrojë energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes.
· Kontrata që qytetari ka me OSHEE është një kontratë tip e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë me vendimin e bordit të ERE-s nr. 15, datë 10.01.2018, e cila përcakton qartë KUSHTET E PERGJITHSHME TE KONTRATES SE SHERBIMIT UNIVERSAL TE FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE PER KLIENTET FUNDORË.
· Këshilli i Ministrave nëpërmjet detyrimit të sanksionuar në Aktin Normativ Nr. 32 datë 12.10.2020, ndërhyn duke i imponuar palëve kontraktuese (OSHEE dhe Klient fundor/qytetar), detyrime të cilat palët e lidhura në kontratë, nuk i kanë pasur
· Ky akt Normativ është në shkelje flagrante të parimeve si ligjshmëria, proporcionaliteti, drejtësia dhe paanësia, objektiviteti, përgjegjësia, barazia, mos diskriminimi, trajtimi i barabartë, liria për të kontraktuar etj. Per faktin se njëanëshmërisht Këshilli i Ministrave ngarkon OSHEE me ndryshimin e kushteve të kontratës, dhe kjo e fundit detyron drejtëpërsëdrejti Klientin Fundor që në rast mos pagimi të masës administrative të përcaktuar në këtë akt, furnizimi i tij me energji elektrike (edhe se duhet të ishte vetem ky shërbimi i kërkuar dhe ofruar), do të bëhej i pa mundur.
Eshtë rregull i përgjithshëm i të Drejtës Civile kontraktuale, që në një kontratë me të drejta dhe detyrime të mirë përcaktuara, me një objekt shërbimi të mirë përcaktuar, ndryshimi i kushteve duke ndërhyrë në mënyrë të njëanëshme pa vullnetin e palës tjetër e bën nul atë pjesë të kontratës.
Akti Normativ Nr. 32 datë 12.10.2020 në pjesën ku bën diferencime mbi detyrimin e mbajtjes së maskës dhe lejimin e mosmbajtjes të saj, pa pasur asnjë vërtetësi apo provë shkencore, ka karakter diskriminues dhe bie ndesh me dispozitat e Ligjit Nr. Nr.10 221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi,” i ndryshuar, si dhe me parimin e barazisë të sanksionuar në Kushtetutë.
Nëpërmjet këtij akti OSHEE, nga një operator ofrimi të shërbimit të energjisë elektrike, ka marrë tagra të mirëfilltë të karakterit përmbarimor që lidhet me ekzekutimin e detyrimeve që nuk kanë të bëjnë me energjinë elektrike.
Vendimmarrja e këtij akti është e pa justifikuar ligjërisht nga momenti që nuk ndodhemi në Gjëndje të fatëkeqësisë shëndetësore dhe/ose fatëkeqësisë natyrore, ne menyre qe te kufizohet liria po sjellja e pergjithshme e qytetarit.

Pyetjetje që lindin:

1. Nëse një qytetar nuk është kryefamiljar (nuk ka një konstratë të energjisë elektrike me OSHEE) si do të procedohet për vjeljen e gjobës?
2. Për personat pa vëndbanim (pra pa shtëpi), si studentet, ata qe kane banesa me qira kur kontrata e OSHEE eshte ne emer te pronarit te baneses, si do të procedohet për vjelje e gjobës?
3. A janë parashikuar kamatvonesa në rast mos pagimi të masës administrative nga ana e qytetarit dhe çfarë është parashikuar nëse qytetari nuk pagon masën administrative?
4. A është parashikuar masa administrative për shkelje të këtij Akti nga ana e personave të Huaj dhe si do të bëhet vjelja e gjobës në këtë rast?

Vlerësimi është i juaji, por diskriminimin nepermjet nje akti nul, e ka vendosur Këshilli i Ministrave me Aktin Normativ Nr. 32 datë 12.10.2020.

SHKARKO APP