Propozimet franceze – Reformim apo fund i zgjerimit të BE?

Në tetor presidenti francez, Macron u kritikua shumë, kur bllokoi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Tani nga Parisi vijnë propozime të reja – gjithçka sa për të larë gojën?    

Me një “non-paper” – dokumentin gjashtëfaqësh, një propozim jozyrtar i Francës për reformimin e procesit të zgjerimit të BE, diplomacia franceze përpiqet të zbusë një pjesë të zemërimit, me të cilin u përplas presidenti francez, Emmanuel Macron në tetor. Në samitin e BE-së në Bruksel ai bllokoi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut e me këtë hap ai iu fut qartësisht rrugës së konfrontimit me pjesën tjetër të BE, veçanërisht me Angela Merkelin, dhe presidenten e emëruar të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Shtatë pikërëndesa në vend të 35 kapitujve

Me orë u grindën krerët e qeverive dhe shteteve të BE në samitin e tetorit, nëse duhet të hapeshin negociatat për të dyja vendet kandidate. Në fund Macron mbeti i izoluar, por nuk u dorëzua. Presidentja e emëruar e KE, von der Leyen vetëm pak më vonë në një vizitë në Paris u shpreh: “Ne duhet të mbajmë fjalën dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit.” Një qëndrim i njëjtë me atë të Berlinit, ku pranimi i vendeve të BE shihet si një qëllim i rëndësishëm strategjik.

Tani Parisi ofron propozime reformimi, të cilat presidenti i kishte vënë si kusht që të ndizej sërish motori i zgjerimit të BE. Propozime mjaft të detajuara. Në vend të 35 kapitujve për tematika të ndryshme të anëtarësimit, duhet në të ardhmen të krijohen pikërëndesa, që trajtohen njëra pas tjetrës, thuhet në dokumentin francez.

Frankreich Merkel und Macron wollen bei Krisen zusammenstehen (Imago-Images/IP3press/A. Sciard)Merkel nuk e bindi dot Macron në samitin e tetorit për çeljen e negociatave

Kapitulli I do të përfshinte të drejtat bazë dhe shtetin ligjor, kapitulli II arsimin dhe shkencën, kapitulli III punësimin dhe sistemin social, e kështu me radhë. Nëse njëri nga këta kapituj përmbyllet me sukses, BE do t’i ofrojë vendit përkatës qasje në institucionet e saj -si për shembull si fillim qasje në Eurojust, institucionin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, më pas do të hapej rruga e hyrjes në programin Erasmus, e nëse kushtet për tregun e brendshëm janë plotësuar, do të mund të livrohen edhe ndihmat e para strukturore për vendin kandidat.

“Kriteret për progresin nga një kapitull në tjetrin duhet të përcaktohen saktësisht dhe të sigurohet verifikimi i vazhdueshëm i zbatimit të tyre”, shkruhet në formë rigoroze. Përveç kësaj duhet siguruar që procedura e anëtarësimit është e rikthyeshme, nëse një vend nga ana politike bën hapa prapa. Shpresa e vetme në dokumentin francez është deklarata që “Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia e Mali i Zi janë pjesë e Europës si nga ana kulturore dhe gjeografike.”

E kanë francezët seriozisht me Ballkanin?

Diplomatët e BE kanë reaguar pjesërisht ashpër, dhe vënë thelbësisht në pikëpyetje vullnetin e francezëve për të pranuar vende të tjera në BE. Përveç kësaj në dokumentin francez, kërkohet jo vetëm reformimi i procesit të anëtarësimit, por i gjithë BE. Kjo tregon vetëm, se francezët nuk e kanë shumë seriozisht me Ballkanin, sipas tyre.

Për Gjermaninë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e bëri shumë të qartë në vizitën e tij në Shkup javën e kaluar, se ka një mospajtim me Francën. Shtyrjen e sërishme të çeljes së bisedimeve të anëtarësimit, ai e quajti “gabimin më të madh të BE” në kohët e fundit. Edhe njëherë Maas ka theksuar, se integrimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Europë.

Frankreich Paris | Emmanuel Macron und Ursula von der Leyen (Getty Images/AFP/L. Marin)Ursula von der Leyen në një vizitë në Paris u shpreh: “Ne duhet të mbajmë fjalën dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit.”

Edhe kreu i Këshillit të BE në largim, Donald Tusk para largimit u shpreh qartë për francezët. Duke bërë alegori për intervistën e Macron në “Economist”, ku presidenti francez kërkoi një politikë të re ndaj Rusisë, Tusk deklaroi shumë hapur. “Rusia nuk është partneri ynë strategjik, por problemi ynë strategjik.”

Edhe nga Parlamenti Europian vijnë kundërshtime. Për socialdemokratët gjermanë, Katarina Barley tha: “Është e rëndësishme që ne të mos i thyejmë premtimet ndaj vendeve kandidate. Prandaj është e papranueshme që të përdorësh si justifikim reformimin e procesit të zgjerimit, për t’i refuzuar bisedimet e anëtarësimit vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që pjesërisht kanë bërë reforma shumë të thella.”

Pavarësisht kësaj, mund të flasim për rirregullimin e procesit të anëtarësimit. Në këtë pikë propozimet e Macron përmbajnë “pika të diskutueshme, si për shembull përcaktimin më të qartë të stadeve të anëtarësimit.” Por në këtë pikë diplomatët europianë shtrojnë pyetjen, nëse kandidatët që në fillim duhet të kapërcejnë pengesën më të lartë, pra zbatimin e plotë të standarteve europiane, në drejtim të shtetit ligjor, siç e kërkojnë francezët.

Politikisht zgjerimi bën hapa prapa

Në raundin e parë të madh të zgjerimit të BE, para 15 vjetësh, ishte Franca ajo që kërkonte, që edhe Rumania dhe Bullgaria të bëhen sa më shpejt pjesë e BE-së. Ishin vende të tjera ato që kishin rezerva në atë kohë, kujton Erwan Fouere nga instituti “Centre for European Policy Studies” në Bruksel. Vetëm pasi më vonë u pa, se tek të dyja vendet u bënë hapa prapa në drejtim të shtetit ligjor dhe korrupsionit, ndërroi edhe qëndrimi i oponionit publik. Fouere beson, se Macron ka në mendje sidomos zgjedhjet lokale në Francë në pranverën e ardhshme.

Deutschland Westbalkan-Gipfel Merkel und Macron (Reuters/M. Sohn)Samiti i ballkanit në Berlin, Macron dhe Merkel, 29.04.2019

Megjithatë eksperti i BE shikon disa pika pozitive në propozimet franceze, veçanërisht ku bëhet fjalë për të mundësuar ndihma nga fondet strukturore për vendet kandidate që para anëtarësimit. Disa nga këto propozime franceze janë të zbatueshme brenda rregullave ekzistuese, ato mund të trajtohen shpejt. Fouere është i mendimit, se edhe pa kërkesat franceze duhet bërë një mbikqyrje më e fortë për hapat reformuesve të vendeve kandidate, kjo është e rëndësishme për shkak të besueshmërisë për zgjerimin brenda vendeve anëtare.

Por ndryshimet kryesore të nevojshme do të zgjasin deri në mars, shton eksperti nga Brukseli, vetëm se nuk dihet, nëse Macron do ta ndryshojë mendimin pas zgjedhjeve lokale e do t’u hapë rrugën vendeve kandidate. Për këto vende është jomotivuese, kur hapat e reformave që bëjnë ato nuk shpërblehen. E vende të tjera si Kina, Rusia, apo Turqia janë gati për t’i ofruar mbështetje dhe miqësi vendeve të Ballkanit.

Tani për tani propozimet franceze janë në tryezën e ministrave të Jashtëm e të Europës në Bruksel. Ata diskutojnë të martën (19.11.) mbi procesin e zgjerimit të BE.

SHKARKO APP