Pse shmangiet e Peter Handke nuk e fshehin dot të vërtetën

Në fjalimin e tij gjatë pranimit të çmimit Nobel për letërsi këtë fundjavë, fituesi Peter Handke u përpoq përsëri t’i shmangej çështjes së mbështetjes së tij për Sllobodan Millosheviçin dhe mohimit të krimeve të luftës në Bosnjë, por taktikat e tij të ngathëta për ta bërë këtë nuk po funksionojnë.

Peter Handke, fituesi i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019.

Para se të ishte Peter Handke, ishte Dobrica Cosiç.

Cosiç, një ideolog i turbullt, punimet e të cilit për revizionizmin historik kërkoheshin të lexoheshin nga një brez studentësh të pashpresë të letërsisë serbe, në fakt nuk e mori çmimin Nobel për letërsi në vitin 2011.

Një shaka e orkestruar me zgjuarsi bëri që disa njerëz të thjeshtë të besonin, për pak a shumë ndonjë orë, se ai e mori këtë çmim dhe se kjo përligjte përpjekjen e zymtë për të krijuar territore shtetërore etnikisht të pastra në vitet 1990.

Handke është natyrisht një stilist më i realizuar se sa Cosiç ,por ka shumë pika që i bashkojnë ata: në veçanti një vetëvlerësim monumental dhe një mungesë vetë ndërgjegjësimi që maskohet shumë pak nga një ndjenjë e fryrë e tyre rëndësie kulturore.

Handke është gjithashtu më finok. Ndërsa Cosiç shijonte titullin “baba i kombit” që rridhte nga pozicioni i tij si një engjëll i rënë i autoritarizmit komunist, Handke përfiton nga aleancat e tij të dyshimta, të cilat ai vazhdimisht i mohon, duke e paraqitur në vend të kësaj si një njeri i torturuar nga përgjigjet thelbësisht të parëndësishme të njerëzve të tjerë përsa i takon ndërhyrjeve të tij politike të keqinformuara, të cilat ai i synonte si art dhe që nuk i kishte kurrë seriozisht.

I gjendur përballë pyetjeve, ai përpiqet, gjithnjë e në mënyrë më të ngathët, të largohet. Para se t’i thoshte një gazetari në konferencën e tij për shtyp të enjten e kaluar “nuk dua t’ju përgjigjem asnjë prej pyetjeve tuaja”, ai i tha një tjetri që e pyeti nëse i kishte ndryshuar opinionet e tij: “Nuk kam pasur kurrë ndonjë opinion.”

Kjo strategji e shmangieje nuk është unike për Handke. Ajo u ndërmor nga Anders Olsson, kryetari i komitetit të çmimeve të Akademisë Suedeze, i cili u tha kritikëve në një seri letrash se “kur Handkes t’i jepet çmimi, qëllimi është të festohet vepra e tij e jashtëzakonshme letrare, jo personi. Çmimi nënkupton vetëm këtë estetikë vlerësimi dhe asgjë më shumë.”

Vetë Handke zbaton të njëjtën formë solipsizmi, duke i thënë një personi që e pyeti se ai s’mund të pyetet: “Unë jam një shkrimtar, vij nga Tolstoi, Homeri, Servantesi. Më lini të qetë dhe mos më bëni pyetje të tilla.”

Përfundimi i synuar është që artisti nuk është politik dhe nuk duhet të ndyhet nga shoqërimi me realitetet politike, edhe nëse pyetjet e shtruara rrjedhin nga puna e tij.

Qëndrimi i politikës tejkaluese është, natyrisht, një qëndrim tepër politik. Qëndrimi artistik që pretendon të mos jetë një këndvështrim, ose që tërhiqet në qëndrimin e thjesht të bërjes së gjërave të bukura për t’u konsumuar nga borgjezia, është një qëndrim grupimi të fortë me marrëdhëniet ekzistuese të pushtetit dhe pabarazisë.

Ai është gjithashtu, pa dyshim, një klithmë larg mendjemadhësisë provokuese që i dha famë Handkes dhe vendosi pozicionin e tij si një nga tregtarët më ngulmues të markës së njohur botërore teutonike të vetë-keqardhjes pa humor.

Ky qëndrim i ri, më i përshtatshëm, ishte tepër i dukshëm në Ligjëratën për çmimin Nobel të Handkes të shtunën, në të cilën ai pranoi çmimin e letërsisë si rezultat “i vlerësimit estetik të tij dhe asgjë më shumë”.

Fjalimi, si një konferencë për shtyp e një personi të famshëm, është shumë më e dukshme për ato që ai nuk thotë sesa për ato që ai thotë. Ai përqendrohet në “jetën e tij si shkrimtar”, duke u tërhequr në banalitete si “Mos e shpërfillni kurrë atë që ka për të të thënë një pemë ose një sipërfaqe uji.”

Duke i hedhur poshtë aventurat e tij aspak gazetareske në Ballkan si “ekskursione narrative ose ekspedita “, ai endet vetëm herë pas here në fushën e realitetit mbi të cilin ndikimi i tij ka qenë aq malinj.

Ai nderon ushtarët nazistë “të rënë në fushën e nderit” (ata “vdiqën si heronj për atdheun”) dhe në një moment tjetër nderon laureatin e dyshuar Nobel, Knut Hamsun (me të drejtë, ai përmend edhe Johnny Cash dhe Leonard Cohen). Kujtimet sentimentale të nazizmit janë të ndara nga shprehjet pacifiste: “Ngjyra blu e maleve është e vërtetë – kafja e një këllëfi armësh jo.”

Handke ka një arsyetim strategjik për të reduktuar të gjithë prodhimin e tij letrar, përfshirë ndërhyrjet e përllogaritura politike. Transcendenca e letërsisë shndërrohet, nga kjo gjimnastikë, në pagabueshmërinë e letërsisë.

Pagabueshmëria justifikohet përmes një estetike të arratisjes: “Unë nuk jam njeri juridik. Unë nuk jam gjyqtar”, thotë shkrimtari i cili u citua nga Sllobodan Millosheviç (dy herë) në deklaratën e tij mbrojtëse para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Teksa u pyet të shpjegonte opinionet e tij, Handke deklaron: “Më pëlqen letërsia, jo opinioni.” Në të gjitha pikat ai i lejon vetes që të pretendojë pozicionin unik, për shembull, për mbajtjen e fjalimit në funeralin e një diktatori që kreu gjenocid dhe duke pretenduar më vonë se ai nuk donte të thoshte asgjë me këtë.

Duke lënë mënjanë evokimet romantike të lumenjve, luleve dhe maleve, askush që ndjek dalje publike të Handkes nuk mund të mos vërejë përdorimin e tij bujar të vulgaritetit. Ai përdor sharje njësoj si të gjuante predha në një bulevard për këmbësorë nga një pozicion në malet mbi një qytet të rrethuar.

Ai u thotë qytetarëve të shqetësuar që t’i fusin shqetësimet e tyre “në prapanicë”. Ai u thotë protestuesve “vafshi në djall”, duke shtuar ndërkohë se ata tashmë janë në ferr. Ai tepër i lumtur i përshkruan njerëzit që i kanë shkruar si “mut”.

Vulgariteti është, natyrisht, një teknikë letrare e nderuar. Ai ka shumë qëllime të mundshme, ndoshta më kryesori është vëmendja. I dalë nga pozicioni i të margjinalizuarve dhe të dëbuarve, vulgariteti mund të jetë art, duke treguar refuzimin e vlerës së imponuar, ose projeksionin hipokrit të pushtetit. I ardhur nga një estetikë e vjetër tepër komode nën mbikëqyrjen e Akademisë Suedeze, vulgariteti është arrogancë e zakonshme.

Pretendime të dyshimta për “të vërtetën”

Në shtetet e ish-Jugosllavisë ku ndërhyrjet politike të Handke (më falni, elegancë poetike) kanë qenë kaq të dëmshme, njerëzit kanë përvojë të madhe me kompozitorë letrarë që marrin përsipër autoritetin e shkencës shoqërore, duke ofruar pretendime të dyshimta për “të vërtetën” dhe duke u tërhequr më pas në fortesat pa dritare të popullaritetit kulturor.

Kjo është historia e romancierëve që prodhojnë memorandume që shndërrohen në libra udhëzues për spastrim etnik, regjisorë filmash që shndërrohen në komandantë paraushtarakë prirjet vetëvrasëse të të cilëve zbulohen shumë vonë, poetë të dështuar që hartojnë projekte gjenocidale, përpara se të të rishfaqen përsëri si shërues.

Përgjegjësia e fryrë e këtyre artistëve të kthyer në politikanët ka hedhur një hije të përhershme në rajon mbi pretendimet për autonominë e artit, dhe mbi luftën, e cila përbënte thelbin e fjalimit të Handkes në Stokholm të shtunën, që arti mund të informojë jetën.

E njëjta frymë e nxiti botuesin e Handkes ta përshkruante atë dhe apolegjetikën e tij, në mënyrë të përsëritur, si “kritika mediash”. Kritika e përfshirë konsiston në një pretendim se Serbia ishte trajtuar padrejtësisht në mbulimin e luftës.

Ky nuk është një pretendim i pambështetur dhe prova pro dhe kundër mund të gjenden në hulumtimin shumë voluminoz të kryera në lidhje me këtë temë nga shkencëtarë të kualifikuar që mbledhin të dhëna aktuale.

Por nëse Handke di ndonjë gjë nga ky organ pune, ai s’e përmend atë në asnjë nga punët e tij. Përkundrazi, ai pretendon një pozicion që është njëherësh evaziv dhe vetëmohues: “Ndihem i detyruar vetëm para drejtësisë. Apo ndoshta edhe vetëm ta vënë në pikëpyetje, për të ngritur dyshime”, shkroi ai dikur.

Qëndrimi i pretendimit vetëm për të dyshuar përbën një pretendim drejt transcendencës, me një rrugë shpëtimi: Handke pretendon autoritetin e filozofisë dhe largon përgjegjësinë për përmbajtjen. Kjo është e dukshme në fjalimin e Handkes në funeralin e vitit 2006 të Sllobodan Millosheviçit, i cili e kishte cituar atë si një autoritet në mbrojtjen e tij kriminale katër vjet më parë.

Në një mbrojtje të Millosheviçit që vetë Handke e përshkroi si njëkohësisht “të dobët” dhe “të drejtë”, ai deklaroi: “Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Jugosllavinë, Serbinë. Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Sllobodan Millosheviçin. E ashtuquajtura botë e di të vërtetën. Prandaj e ashtuquajtura botë sot mungon, dhe jo vetëm sot, dhe jo vetëm këtu. E ashtuquajtura botë nuk është bota. Unë e di që nuk e di.”

Kjo ofroi mundësinë që botuesi i tij, Suhrkamp Verlag, të ofronte shpjegimin se vetë Handke filloi të kishte dyshime në funeral” ku ai mbajti fjalimin.

Komplotistët politikë e përshkruajnë këtë lloj shmangieje të planifikuar si ofrim të një “mohimi të besueshëm”, por ky mund të jetë i vetmi rast në të cilin është thirrur parimi i mohimit të besueshëm për të shpjeguar një fjalim në një funeral. Parimi themelor është më i thjeshtë: si një fanatik i së bukurës, artisti nuk mund të mendohet si përgjegjës për atë që thotë dhe bën.

Handke e ka praktikuar edhe më parë këtë formë arratisjeje. I pyetur në vitin 2010 në lidhje me akuzat se ai kishte rrahur ish-partneren e tij Marie Colbin, ai u përgjigj fjalë për fjalë: “‘Rrahje’ është një shprehje idiote sepse tingëllon si vetëgjyqësi.”

Vëzhgimi i tij për lidhjen e ngushtë midis vetëgjyqësisë dhe idiotësisë mund të jetë i saktë, nëse nuk është i keqorientuar. Në të vërtëtë po flasim për art banal, të cilin mund ta përkufizojmë si normalizim të ideologjisë dhe rikapitullim të saj në formën e bukurisë.

Kthimi në tallje i dhunës në familje me anë të lojës së fjalëve është art banal. Racizmi anti-islamik i maskuar si dyshim filozofik është art banal. Falsifikimi i historisë është art banal. Degradimi i viktimave është art banal. Ngritja e “letërsisë” mbi përmbajtjen e saj është art banal. Vetë Handke është artist banal.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

SHKARKO APP