Qendrat Shëndetësore 24-orëshe ulin fluksin në Pediatri

Pas hapjes së tre qendrave shëndetësore, situata duket e normalizuar. Pacientët e paraqitur vlerësuan faktin se këto qendra prej më shumë se dy muaj po funksionojnë 24 orë. Sipas tyre, mjekët përgjigjen në kohë dhe është ndihmë për ta që këto qendra të qëndrojnë të hapura. ”Me ostoperozë, me anemi, të gjitha llojet e diagnozave dhe vij këtu, kurohem, marr mjekimin. Shkoj tek specialisti pastaj ja tregoj mjekut të familjes këtë. Shërbimi këtu është i mrekullueshëm. Janë mjekë të mirë, personel i mirë, doktorët shumë të mirë. Ne na presin mirë. Ne jemi të kënaqur”. Mjekët e Pediatrisë bënë apel për të gjithë prindërit, të mos e anashkalojnë mjekun e familjes, që të evitojnë pritjen dhe në urgjencë të trajtohen vërtet rastet që kanë nevojë për trajtim të specializuar.

”Qendra jonë shëndetësore nr.7 në Laprakë, qendra shëndetësore nr.8 dhe qendra shëndetësore nr.10 prej datës 3 shtator 2019 ofrojnë shërbimin 24 orë pediatrik. Fluksi gjatë muajit të parë dhe dytë, gjatë shtatorit dhe tetorit ka qenë në rritje ndërsa gjatë muajit nëntor fluksi është në rënie. Nuk është se është e njëjta epidemi që kishim në dy muajt e parë. Ka një fluks në rënie por duke qenë se temperaturat ambientale filluan të ndryshojnë, kemi një fluks në rritje vizitash ditore për fëmijët. Nuk është fluks që nuk përballohet por gjithsesi në ofrojmë shërbimin tonë 24 orë falas për të gjithë moshën pediatrike nga 0 deri në 18 vjeç. Urgjenca pediatrike është e kompletuar”,-u shpreh Ermela Shllaku, pediatër në Qendrën Shëndetësore nr.7.

Dhurata Shametaj, pediatre pranë qëndres shëndetësore nr. 8 thotë se jo të gjitha rastet mund të konsiderohen urgjente ndaj edhe prindërit duhet të mos alarmohen duke iu drejtuar QSUT. Sipas saj, fëmijët në çerdhe e kopshte kanë qenë më të predispozuar ndaj zhvillimit të infeksioneve virale. Gjatë dy muajve të fundit në shërbimin e Urgjencës Pediatrike janë paraqitur rreth 1200 pacientë, një fluks shumë i pazakontë, i përballuar me shërbim të përforcuar nga mjekët dhe infermierët e këtij shërbimi.

SHKARKO APP