Qeveria s’ka lekë për pandeminë dhe tërmetin, Ministria e Drejtësisë bën tender për kolltukë luksozë

Shqipëria po kalon kohë të vështira për shkak të pandemisë së koronavirusit por edhe problemeve të mbetura nga tërmeti i një viti më parë. Sigurisht që barra nuk bie mbi popullin e thjeshtë por mbi liderët politikë që na udhëheqin dhe merren me gjithë problematikat tona. Ndaj edhe kanë vendosur që të paktën për një herë të mendojnë për veten e tyre dhe të relaksojnë pak “kockat”.

Ministria e Drejtësisë për shembull ka hapur një tender, nga i cili do të blihen 16 karrike rrotulluese për “rangun drejtues”. Ftesa për ofertë është bërë dhe tenderi do të hapet paraditen e 9 nëntorit, megjithatë kërkesat janë shumë të qarta dhe nuk ka vend fare për mashtrime. Për të gjithë të interesuarit, Ministria i ka bërë kërkesat shumë të qarta… Duan karrige me lëkurë origjinale natyrale ngjyrë të zezë, me 2 leva, njëra për të realizuar uljen dhe ngritjen, dhe sendilje të gjerë që sa vjen dhe ngushtohet. Pra e kanë ndarë mendjen për atë që duan, dhe e dinë që detajet kanë vlerë…

“Karriget duhet të jenë me tapiceri prej lëkure origjinale natyrale tek pjesa e ndenjëses dhe mbështetëses, me ngjyrë të zezë. Karrigia duhet të përbërhet nga ulësja dhe mbështetësja. ulësja duhet të jetë me përmasa minimumi 65 cm dhe vjen duke u ngushtuar,”-shkruhet në tender.

E vetmja gjë, problem në këtë tender është që nuk janë përfshirë edhe punonjësit e tjerë të Ministrisë. Megjithatë ata mund të shtyjnë edhe pak kohë me karriget e vjetra, peshën e punës e mbajnë “kokat”… Dosja.al

SHKARKO APP