Ramës po i shpërbëhet iluzioni që ai kishte për veten si i pazëvëndësueshëm

Nga Armand Maho

Edi Rama, në këto zgjedhje po shkon më i zbardhur në flokë e mjekër, por më i nxirë në imazh para opinionit publik. Ai misionanari i dikurshëm, sot është kthyer në besëthyerin më të madh të Shqipërisë të këtyre 30 viteve. Njeriu që kish’ ngritur një kështjellë rëre, të bazuar vetëm në batuta, por pa program e ide, po shikon se si po shpërbëhet pak nga pak iluzioni që ai kishte për veten si i pazëvëndësueshëm. Kjo u pa dhe në hartimin e listave me të cilët ai do përfaqësohet në zgjedhje.

Dështimi po vihet re në të gjithë sektorët që ai me stërmundim rraskapitej t’i paraqiste si sukesese. Rrënimin e shëndetësisë nuk mund t’ja mbulojnë flokët e kuqe rrezëllitëse të Najada Çomos. As dështimin me rindëritmin s’mund ta eklipsojë mosha e Luljeta Bozgos. Ato vetëm risi nuk mund të quhen, janë aty si statuja të dëshmisë për papërgjegjshmërinë me të cilën u menaxhuan këto dy fatkeqësi në këtë vend.

Faturën e fajit për integrimin u mundua t’ja hedhë Ditmir Bushatit. Ministrat e suksesshëm të Rendit, u zhdukën një nga një nga lista ose u degdisën në fund të saj. Reforma në drejtësi sot përfaqësohet vetëm nga Ulsi Manja, që për servilizëm mund të krahasohet me Spiropalin. Të tjerët u fshinë me një të rënë të lapsit. Fisnikëria dhe buzëqeshja e Pandit, përfundoi e nëntëmbëdhjeta në listën e Tiranës, i pamundur për të qenë pjesë e parlamentit.

Vlerësimet për Fatmir Xhafën u katandisën në numrin njëzetë e tre në listë, vetëm një vend më lart një deputeti të “opozitës së re”, që të vetmen vlerë që ka është se nuk di se çfarë bëhet në parlament. Luftëtarët e Reformës në Drejtësi si, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Adnor Shameti, e të tjerë u konsideruan si “relika muzeumi” të PS-së por nuk e quajtën aspak të tillë Gramoz Ruçni, Erjon Braçen (që nga matura ka punuar vetëm si deputet) apo Bashkim Fino që e dërguan në Fier.

Sandër Lleshajn që pretendonte të drejtonte Lezhën, e nxorri në pension të parakoshëm dhe nuk ka më asnjë haber nga ai. Olta Xhaçkën, preferoi ta hiqte nga Dibra duke parandjerë disfatën atje përballë Xhelal Mziut. Sot Rama ka të vetmen qeveri ku në pjesën dërrmuese në qarqe nuk përfaqësohet me sukseset e tij, por me njerëz të panjohur që premtojnë ndryshimin imagjinar.

Duket qartë se Rama, ka nevojë ulëritëse që t’a besojnë! Sepse atë s’e besojnë më të sëmurët me COVID, e përçmojnë të pastrehët, e përzënë fermerët, e mallkojnë pensionistët! Dhe kur sheh se nuk ngjit tek askush, atëherë nxjerr në pah pjesën më të ligë të tij, gjuhën bulliste me të cilën komenton listat e klundërshtarit. Rama tashmë s’është më kryeminsitër!

Në diskurin e tij ai ka adaptuar gjuhën e atyre plakave telendare që ndesh rëndom në lagje të inatosura me çdo gjë që nuk i shkon pas avazit. Një gjuhë aspak e denjë për një kryeministër. Një tërbim që mund të kthehet në rrezik për sistemin në rast të një mandati të tretë. Kushdo tashmë e ndjen ose e di se një mandate i tretë për këtë kryeministër, nuk do ishte më marrëzi, e tillë ishte në këto tetë vite që kaluam. Një mandat i tretë për Ramën do të ishte një fatkeqësi, më e madhja që pas komunizmit…

SHKARKO APP