Reforma në stan…

Ore, si në ato që jep televizori, të thom. Kryefjala ishte reforma. Donin të dinin shumë gjëra. Ja për shembull; ç’do të thotë “reformë”. Unë, me këtë rradaken time, u them se janë forma të reja që kërkon drejtësia në situata të reja…

Fejton nga Thoma Goga

Përsëri më preu rrugën ai kafshari që Çeçua im e përdor si korrier. Më dha një copë letër dhe iku si veriu. E hapa shpejt se Çeçua i ka ca të hidhura, ca të kripura e ca djegëse këto të shkreta letra.

“… Fort i dashur byrazer,

Humbe si gurët e çakmakut një herë e një kohë, a derëzi. Të kujtonet ajo kohë, mo. Bridhnim tërë pazarin dhe një shkrepëse apo një gur çakmaku mezi e gjenim me mik… Nejse. Pa më thuaj, u lodhe ca me këtë biçim reforme? Po pse a t’u mbylltë e zgjatët kaq shumë? Pak reforma kemi kaluar na, të brezit tonë?! Harrove zotrote reformën në ushtri?! Të kujtonet kur i futën një koqe plumbi atij kalit çil që i kishte shërbyer puçistëve?…Jo bënet, jo s’bënet! U bë mo, u bë si deshi kumandari dhe atëherë ushtria jonë s’pyeste për imperializmin dhe revizionizmin… Po reforma në naftë? Hajde reformë, hajde! O do të dilte naftë ku thoshte AI, o do shkonin në të sëmës ATA. Reformë, jo shaka…

Po na dil këtej nga stanet tona, o byrazer, të mbledhësh kockat e të rehatohesh. Do bëhet reforma, do apo s’do ti. Kusuret i ka populli në kurriz e samari tij nuk mban më. A, zgjidhje është vetëm litari…Varja si kollarja në qafë ta ketë gati…Dua të dalësh këtej sepse edhe unë kam rënë në hall. Ti e di që kam ca hyzmeqarë “të punësuar” këtej nga stanet. Tashti që u bë reforma, kërkojnë të dinë shumë gjëra. E kam llafin se mos më akuzojnë që “po shkel të drejtat e hyzmeqarëve”. Ndërsa të drejtat e zagarëve e të gomarëve i kam vënë në terezi.

Një ditë u ulëm në hije të fikut që s’bën asnjë kokërr. Hyzmeqarët “i parkuan” shulthi gomarët, fare afër nesh. Zagarët lëpinin ndonjë kockë të hedhur aty. Si futëm dhentë e dhitë në stan, drodhëm nga një duhan.

– Ç’bënet andej nga qyteti, o shef Çeçua, na thuaj ndonjë llaf.

– Rropaten bijtë e popullit, rropaten, – u thashë.- Ja për të mirën tonë…

Dhe atë çast tundën kokat edhe hyzmeqarët, edhe gomarët. Nuk e di kush nga këta e kuptoi më shkoqur llafin tim!…Kaq u desh dhe plasi debati. Ore, si në ato që jep televizori, të thom. Kryefjala ishte reforma. Donin të dinin shumë gjëra. Ja për shembull; ç’do të thotë “reformë”. Unë, me këtë rradaken time, u them se janë forma të reja që kërkon drejtësia në situata të reja…

– Jo,- më hidhet ai kopili i Bakos,- drejtësia duhet të jetë sipas fjalës; e drejtë. Pse i japin formë të re?.

Pa i kthehem prapë me atë rradaken time.

– Pusho, edepsëz, i di partia këto punë.

– Kujdes, shef  Çeçua, se janë bërë 120 parti,- më hidhet zdapi i Llanes.- Për cilën parti e ke llafin?

Këtij ia ktheva xhevapin duke i treguar kërrabën…

Po kur pyeti edhe nipi i Adnan Pinxhos:

– Pse duhet gjetur formë tjetër? Drejtësia drejtësi mbetet. Një formë ka; formën “e drejtë”.

– Pusho Pinxho kapella,- ia ktheva. – Ti kauri i derrit je i ardhur në këtë fshat…

Dhe e dënova një muaj të mos i hipi pelës, se më duket ka rënë në dashuri me atë kuqalashen…Po më “i hidhur” nga hyzmeqarët është Muli, kalemxhiu i stanit. Është më i zgjuar nga të tjerët shejtani, sepse vetëm ky di ta shkruaj emrin e tij. Prandaj e kam graduar “shefin e zagarëve”. Fle me ta e gdhihet me pleshta…

– Ta zëmë se zotrote do bësh reformë në stan,- filloi shtruar-shtruar “kalemxhiu”, – si do ta bëje?

Kruajta kokën për të gjetur një xhevap të saktë.

– Më ke zënë ngushtë, o kalemxhi. Kot nuk të mbaj për “ideologun” e stanit…Hapni sytë e mbani vesh. Ja, ta zëmë se ky stani ynë është një shtet i vogël. Dihet që unë jam presidenti. Ju i dini detyrat që u kam dhënë? Domosdo, i dini. Gomarët kanë punët e tyre. Zagarët po ashtu…Dhe po shkelët mbi “ligjet” që kam vënë këtu në stan, unë filloj reformën. Domosdo, kumandar këtu jam unë.

Hyzmeqarët m’i kishin ngulur “fenerat” si ato të maçokut në errësirë.

– Dhe e dini ç’bëj? – ngrita zërin. – Ju shkarkoj, ju përjashtoj. Po nuk ju pushkatoj…Pastaj ju do bëni punët e gomarëve, kurse veshgjatët gradohen një shkallë më lartë; do ju zëvendësojnë juve. E po nga jashtë nuk do i marrim de…

E kuptova se kjo “reformë” nuk u pëlqeu hyzmeqarëve që varën turinjtë. Kurse gomarët tundën kokat gjithë qejf. Siç duket më kuptuan dhe u gëzuan…

…Ja, kështu o byrazer. Prandaj dua të më dalësh këtej nga stani të më japësh ndonjë mëndje-a, të më thuash ndonjë llaf-a për reformën që mund të bëj në stan. Ti fol sa të duash, po në stanin tim vendos unë, ore… Çeço Çobani, dora vetë”.

SHKARKO APP