Reformë apo truk?

Nga Erjon Murataj –

Në kakofoninë politike që shpërtheu pas 5 Qershorit me një marrëveshje ku palët u morën vesh për mos ndryshuar asgjë, sot pyesim veten; a do jenë më demokratike zgjedhjet e 25 prillit?

Në fakt historia e dakordësimeve në kurriz të ligjit dhe shqiptarëve nuk është e re për asnjë nga ne. Ashtu sikurse u prodhua “Dushku” në vitin 2005, siç u ndryshua Kushtetuta në 2008, njëlloj vazhdon dhe sot historia.

E pra, duke parë këtë panoramë i hyra një analize Ligjit Zgjedhor që nga pikënisja e pluralizmit në vendin tonë. Konstatova me keqardhje se kemi bërë regres në ushtrimin e demokracisë direkte dhe sovranitetit. Sot të gjithë mediat dhe përfaqësuesit politikë gëlojnë dhe marrin flakë me deklarimet e tyre lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor.

E dini çfarë jemi më mirë se çfarë ishim përpara tyre? Ua thotë një i ri që është më opozitar se opozita. E dini përse? Sepse me në fund do i jepet mundësia qytetarit të njohë përfaqësuesin. Sepse të gjithë ata që e ka zhvatur këtë vend do dalin me emër në listë. Ndryshimi? Nuk vjen të dashur miq me përllogaritje meskine qurravecësh për një grusht votash. JO! Duhet frymë.

Deputet 30 votësh nuk ka dhe nuk duhet të ketë. Njerëz që i urren publiku dhe i do kryetari nuk duhet të jenë në Parlament. A do të këtë do pyesni ju? Po patjetër që do të ketë fshesaxhinj të xhaketave që nuk qëndrojnë kurrë pa punë.

E ndërsa diskursi politik e shoqëror duhet të jetë tek një shteg i ri i pa njohur për mbarë njerëzimin i cili po përballet me një ndryshim drastik që po shkërmoq ekonomitë e brishta dhe gjunjëzon gjigandët ekonomikë të planetit, këtu ka ende nga ata që kanë hallin mos nuk kanë kujt i fshijnë xhaketën nesër.

E drejta për tu zgjedhur ushtrohet kur të zgjedhin jo kur do që të zgjidhesh. Diskursi sot duhet të ishte për të rinjtë për studentët e gjimnazistët që do të përballen me një model aspak të njohur për mësimdhënien apo mësimnxënien.

Qe nesër o zotërinj fshesaxhinj xhaketash do të jenë ata që do mjekojnë, ndërtojnë dhe japin dije shoqërisë së këtij vendi. Diskursi sot duhet të ishte tek mijëra e mijëra vende pune të humbura për shkak të pandemisë. Në atë që ju zotërinj fshesaxhinj xhaketash e quani jetike për vendin dhe rritjen ekonomike.

Diskursi sot duhet të ishte tek mjekët, mësuesit, pa të cilët ju nuk do të flisnit për shpresën e të ardhmes. Pasi në këtë situatë që po kalojmë jeni prej tyre dhe jo politikave apo “reformave” që bëni apo propozoni. Se ju keni bërë, apo më keq akoma, edhe propozoni reforma apo jo?

Po në fakt kur në pushtet ishte opozita e sotme nisi reformën për statusin e nëpunësit civil. Po nuk e bëri ose më saktë dështoi. Më pas nisi reformën në arsim, pastaj atë në polici, atë në shëndetësi e shumë të tjera. Më pas erdhi mazhoranca e sotme me një pjesë të opozitës së sotme e më pas e vetme. Nisi sërish reformën për nëpunësin civil, atë në arsim, atë në shëndetësi, rilindje urbane etj, etj.

Në secilën prej tyre do të rinisë një reformim i ri nëse kemi sërish të njëjtin rrotacion dhe e dini pse? Sepse dhe në të vetmen reformë që në letër është e tillë si ajo e drejtësisë, ju e gjeni gjithmonë një truk për ta sabotuar. Sepse xhaketat e vjetra dhe fshesaxhinjtë e tyre të dashur miq këtë dinë të bëjnë.

SHKARKO APP