Rënia e euros, arsyetimi: Problemi kryesor janë shqiptarët që nuk e duan lekun

Prej muajsh në tregun e brendshëm ka filluar rënia e monedhës së euros, e cila gjatë kësaj kohe ka prekur edhe pikën e saj më të ulët që nga viti 2009, duke shkuar poshtë vlerës 127 lekë.

Pse po ndodh kjo rënie, a ka një arsye konkrete?!

Bankierët e mbështesin procesin e de-euroizimit, duke pranuar se niveli i përdorimit të euros në vend është shumë i lartë, ndonëse ata janë pak skeptikë për rezultatet për shkak të lidhjeve të forta që kanë shqiptarët me euron, sidomos në kahun e kursimeve.

Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania pohon për Monitor:

Është për t’u habitur që individët preferojnë të mbajnë depozitat e tyre në Euro që është e nënçmuar, me normë interesi zero, ndërsa instrumentet financiare në lek ende gëzojnë një kthim shumë interesant. Mund të ketë më shumë veprim për të ndryshuar sjelljet e tilla, duke vepruar në dy drejtime: përmirësimin e edukimit financiar të qytetarëve dhe detyrimin e përdorimit të monedhës vendase në sistemin lokal.

Edhe Z. Gazmend Kadriu, drejtor i Union shpreh shqetësimin për sjelljen e individëve:

Përdorimi i valutës së huaj në ekonominë kombëtare nuk ka qenë rezultat i ndonjë kompleksi masash, nuk ka pasur VKM apo rregullore të Bankës Qendrore që ka nxitur përdorimin e euros. Shumë interesante është se si Shqipëria u konvertua nga dollari në euro, pasi nuk kishte ndonjë organ që e mori këtë vendim dhe e drejtoi. Çfarë dua të them është se përdorimi i euros është një gjë që buron nga agjentët ekonomikë dhe kjo për arsye objektive të një ekonomie të vogël dhe të hapur, me një komponent të fortë të emigracionit.

Përdorimi i euros është rezultat i këtyre elementeve objektive. Si rrjedhojë, masat që tentojnë që ta ndryshojnë, ose që e shtyjnë situatën objektive drejt një zhvillimi, mund të rezultojnë nga njëra anë, joefektive, sepse faktorët objektivë janë më të fortë se sa faktorët e vendimmarrjes rregullative, apo qeveritare mbi to. Nga ana tjetër, mund të shkaktohet një dëm më i madh, pasi sforcohen agjentët ekonomikë, pasi ky mund të jetë një element që nuk përkon me situatën e tyre objektive.”

Megjithatë bankierët janë të mendimit se duhet bërë shumë punë në edukimin e klientëve.

Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) thotë se banka e tij ka ndërmarrë veprime paralelisht me këtë nismë përpara masave të Bankës së Shqipërisë.

Ai shprehet:

Ne po ftojmë konsumatorët që të konvertojnë kredinë e tyre nga Euro në Lek duke u dhënë atyre fleksibilitet (lehtësi). Rreziku nga kursi i këmbimit është faktor shtesë për ekonominë dhe hendeku midis aseteve dhe detyrimeve duhet të reduktohet. Mund të konsiderohen si masa paraprake radikale, por kufizimi i individëve në marrjen e kredive në euro (nëse të ardhurat e tyre nuk janë në euro, ose niveli i të ardhurave të tyre nuk është i mjaftueshëm për të menaxhuar luhatjet në kursin e këmbimit) mund të sjellin kontribut shtesë.”

Edhe z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri është i të njëjtit mendim.

“Ne duhet të promovojmë më shumë kreditimin në monedhë vendase, për të shmangur rrezikun nga kursi i këmbimit për klientin. Efekti është tashmë këtu me rritjen e huadhënies në monedhë vendase.”

Maltin Korkuti, drejtori i Credins Bank, vlerëson të rëndësishme edhe masat përtej sistemit bankar, në sistemin ekonomik të vendit, ku parësore është pjesa e informalitetit dhe nxitja e përdorimit të monedhës vendase në pjesën dërrmuese të transaksioneve brenda vendit.

Korkuti rekomandon: Fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar,”

Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, bie dakord që niveli i “euroizimit” në Shqipëri është shumë i lartë, edhe në krahasim me shtetet fqinjë, duke shkaktuar një sërë zhvillimesh, që duhet të menaxhohen me kujdes nga autoritetet. Lidhjet e thella me shumë ekonomi europiane, si Italia dhe Greqia, fluksi ende domethënës i remitancave po ashtu dhe niveli i Investimeve të Huaja Direkte e kanë bërë përdorimin e euros shumë të lartë, duke krijuar disa shtrembërime, që patjetër duhet të korrigjohen.

Pasojat kryesore, sipas tij, mund të jenë reduktimi i efektivitetit të politikës monetare, norma më e lartë e interesit në monedhën vendase, si dhe luhatshmëri më e lartë në kursin e këmbimit të monedhave; masat që janë zbatuar tashmë janë një përpjekje për të adresuar çështjet e theksuara. Megjithatë, ai pohon se rrënjët e problemit janë, nga njëra anë, qëndrimi i shqiptarëve për të mbajtur kursimet e tyre në euro (pavarësisht tendencës konstante të zhvlerësimit të euros ndaj lekut) dhe, nga ana tjetër, pjesa e lartë e pagesave të brendshme, që kryhen në valutë të huaj.

Drejtori i Alpha Bank, z. Georgios Papanastasiou shton se ky është një proces afatgjatë, i cili do t’i japë rezultatet në një kohë të mëvonshme dhe ne besojmë se, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, ky tranzicion do të jetë i qetë. Edhe ai pohon se kanë vënë re që klientët janë ende skeptikë për kalimin e depozitave nga Euro në Lek, pavarësisht se normat e interesit janë më të larta në monedhën vendase. “Nga ana tjetër, gjatë kohëve të fundit është vënë re se klientët që janë duke aplikuar për kredi, janë më të gatshëm për të kërkuar kredi në monedhën e njëjtë me të ardhurat e tyre, për të mos u ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit”.

Znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit Shqipëri rekomandon se është shumë e rëndësishme që ky plan të shoqërohet dhe me masa shtesë, të cilat duhet të synojnë:

  1. Rritjen e besimit të depozitorëve ndaj monedhës LEK dhe stimulimin e kursimit në këtë monedhë;
  2. Kufizimin e marrëdhënieve tregtare brenda vendit për të cilat shlyerja bëhet në valutë të huaj; si dhe
  3. Në kushtet kur fenomeni i pikës 2 nuk mund të eliminohet tërësisht, është e rëndësishme që këto flukse të kanalizohen në platforma klerimi lokale për valutën.

Bozhidar Todorov, CEO i Fibank Albania pohon se masat që kanë të bëjnë me bankat, kanë ndikim të caktuar në rritjen e kostove, por ai është i sigurt se të gjitha bankat janë të përgatitura për zbatimin e rregullave të reja.

Ai shprehet: Megjithatë, për të parë efektet e ndryshimeve të fundit, do të duhet pak kohë pasi nuk mund të shihen në afat të shkurtër. Si rrjedhojë është e vështirë të bëhen parashikime.”

Paketa de-euroizimit

Në fillim të muajit shkurt, Banka e Shqipërisë miratoi strategjinë Për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare. Këto masa synojnë ta bëjnë më pak të preferuar veprimtarinë në valutë të sektorit bankar, si dhe të forcojnë ndërgjegjësimin e kredikërkuesve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë.

Portofoli i masave konsiston në rritjen e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë të sektorit bankar kundrejt uljes së saj për detyrimet në lek; rritjen e kërkesës minimale rregullative për aktivet likuide në valutë; dhe pajisjen paraprake të huamarrësve në valutë me një shembull konkret, që tregon mënyrën e ndryshimit të këstit të kredisë, në rastin e ndryshimit të pafavorshëm të kursit të këmbimit. Këto ndryshime hyjnë në fuqi pas muajit qershor të këtij viti.

SHKARKO APP