Reportazh/Zereci i muzakajve, gjurmë historie

Reportazh nga: Besnik Bedollari

Zereci, një ndër fshatrat me histori të lashtë dhe me pozitën gjeografike më të bukur në njësinë administrative Moglicë, pjesë e rrethit të Korçës. Që të arrish në fshat duhet të udhëtosh me mjet automobilistik në një distancë prej gati 61 km nga qyteti i Korçës. Duhet të ndjekësh rrjedhën e lumit Devoll, duke lënë pas qytetin e Maliqit, qytezën e Lozhanit të Ri dhe për të mbërritur më pas në qytezën e vogël të Moglicës. Rruga që gjarpëron herë majtas dhe herë djathtas lumit Devoll është tërheqëse, duke çlodhur shikimin në relievin natyror, megjithëse rruga automobilistike Korçë-Gramsh në disa akse të saj has problematika për gjatë udhëtimit si për shoferët ashtu dhe udhëtatrët.

Kështu nga Korça për në Moglicë duhet të udhëtosh për gati dy orë me makinë. Pasi arrin në njësinë administrative Moglicë duhen dhe gati 35 minuta me makinë tip xhip për të mbërritur në fshatin Zerec, pasi rruga malore është e amortizuar dhe jo e shtruar me asfalt. Dhe në këtë qytezë të vogël që par gati 5-6 vjet ka gumëzhuar nga puntorët e shumtë me rastin e ndërtimit të Hec Moglicës, një vepër madhore për vendin, por dhe zonën në tërësi. Aty na pret djaloshi nga fshati Zerec punonjës në zyrat e njësisë administrative Desar Veliasi. Hipin në mjetin tip xhip, i cili do të na ngjiti në fshat në një lartësi gati 520 m mbi nivelin e detit. Rruga degëzon në të majtë të Moglicës me urën mbi lumin Devoll. Pas disa minutash udhëtim, ky i vështirë nga tereni, na shfaqet përballë fshati Zerec disi i fshehur në një kodër bashkë me pesë lagjet e tij. Rruga gjarpëron gati në të gjitha lagjet e fshatit. Zbresim nga makina dhe fillimisht ndalim pak çaste duke soditur natyrën kur ndërthurej e bukura me ashpërsinë e heshtur në një ‘dashuri të ndaluar’ relievesh.

Fshati shtrihet në jugperëndim të qytezës së Moglicës. Dielli i buzëqesh në mëngjes në Gurshqipe dhe largohet në Çukën e Korbit. Përbëhet nga pesë lagje dhe nga fiset: Marjanaku, Zhupani, Lami, Kalari, Murati, Luli, Merdani, Pallashi, Isallari, Kena, Koçias , Hoxha, Veliasi. Ndër fiset më të vjetra janë Veliasi, Hoxha dhe Murati. I gjithë fshati mbetet rrethuar në mbretërinë e lartësive të Qafës së Gjarprit, Gurit të prerë, Malit Koshnicë, që shekuj të tërë nuk i janë trembur dhe gjunjëzuar erozioneve të kohës dhe historisë, as nga bora dimërore dhe as nga gjëmimet e predhave të pushtuesit që ka lënë gjurmë dhe këtyre anëve. Ajo çka na tundoi më tepër të vizitojmë këtë fshat në skaj të rrethit të Korçës që ndan me rrethin e Gramshit dhe Skraparit ishte ‘trokitja portës së arkivit’ gjurmëve të muzakajve kohës së Skënderbeut dhe pushtimit osman.

Sot tereni ku mendohej se kanë jetuar muzakajt quhet Bunga dhe bregu i qytezës. Aty tani mund të gjesh vetëm gërmadha gurësh të rrënuar dhe zbehur nga erozioni shekullor. Një vend i përshtatur më së miri. Në përëndim shtrihet lartësia e Koshnicës dhe në veri ashpërsia e shkëmbit të Dobërçanit që përbën pjesën më tërheqëse gjeografike të lumit Devoll. Kanione fantastikë dhe rrugën automobilistike që shkon buzë lumit. Këtu ndërthuhet bukur e magjepsura me frikën. Ndoshta kjo e menduar mirë nga të parët për t’u mbrojtur nga armiku. Një vend me ujë të bollshëm të freskët plot vlera minerale. Veç gurgullimës fliste më tepër për misteret e kësaj qyteze në agoni dhe letargjinë e fshehur në kohë pa kthim. Rrënojat me gjuhën ‘e thyer’ flasin heshtur se dikur mbi gërmadha ngrihej një qytetërim i tërë i krishterë ende pa u ndikuar nga pushtimi osman. Nuk e dimë saktësisht pse muzakajt emigruan në Berat, ndoshta dhe arsyet tregëtare që kanë mbajtur traditën deri në shekujt 19-20.

Një tjetër teren gjeografik me histori intriguese mbetet pjesa e liqenit, një bukuri ‘e vrarë’ sistemin e kaluar për arsye prodhimi ku ndoshta koha me të drejtë e la një dështim nga ide të cekëta dhe aspak vizionare. Kësaj bukurie nuk mund t’i shmangej njerëzimi që ndoshta e krijoi vetë apo ua fali natyra. Flitej se mbretëresha e fiseve kërkoi të varrosej buzë liqenit. Gojëdhënat flasin se ajo u varros me arkivol floriri, arsye që dhe sot shumë individë të vizitojnë këto anë duke gërmuar për thesare. Zbresim pranë fushës ku ka qënë liqeni e mbushur tashme me shallvare të shumta. Këmba dukej se shkelte mbi sfungjerë nga butësia që ajo krijonte, pasi poshtë shtresa e gjitha ishte ujë, fakt që e tregonte dhe burimi i madh në fund të fushës.

Largohemi nga ky reliev që fsheh lashtësia e historisë për të bërë një ndalesë në shtëpinë e kryeplakut të fshatit z. Fikret Kalari. Shtëpia e tij ishte muzeu ‘i gjallë’ i fshatit, 200 vjeçare në këmbë, pasi në shumë vende ku ishte përqëndruar interesi ynë gjenim veç gërmadha. Mes bisedës miqësore, me të mësuam për historikun e fshatit dhe lashtësinë e shtëpisë së tij, ku ishin një familje e madhe prej tre bezash që banonin sëbashku. Një ndërtesë fortesë e kohës e cila i rezistoi kohërave të zymta edhe në luftën italo-greke edhe pushtimit gjerman. Ajo shërbeu si spital partizan, ndonëse pushtuesi në operacionin e Qershorit derdhi gjithë potencialet e tij kundër çetave partizane.

Nga kryeplaku mësuam për emigrimine të banorëve si para sistemit dhe pas sitemin të kaluar, duke nisur që nga Amerika, Greqia, Italia dhe në qytetet kryesore të Shqipërisë pas viteve ’90. Na foli për ujësjellësin e vjetër të fshatit gati 400 vjeçar nga banorët e vjetër që gjurmët ende ishin aty lehtësisht të dallueshme. Fshati në kohën e kooperativave përbëhej në gati 196 shtëpi dhe afro 960 banorë. ndërsa sot në gati 30 familje. Një emigrim me përqindje shumë të lartë. Arsyet kryesore largësia nga zonat urbane, por dhe rruga që lë shumë për të dëshiruar edhe në momentin që flasim dhe shkruajmë. Ky fshat do merrte tjetër jetë nëse do vihej në zbatim projekti i aksit rrugor Korçë –Skrapar. E megjithatë prodhimet në fshat nuk janë zbehur në masë. Kultivohet misri, fasulja, patatja, e ndërsa drithrat nuk kultivohen më. Ndër pemët do të gjejmë më së shumti arrën, rrushin, mollën, fikun, qershinë, hurmën, dardhën, kumbullën, bajamet etj. Kjo si rrjedhojë e një vere disi të nxehtë dhe dimri jo fort të ashpër. Gjithashtu fshati ka rreth 700 krerë të himta, pa të cilat nuk mund të marrë kuptim fshati. Banorët krenohem me prodhimet bio dhe me vlerë këtyre relieveve të bukur malorë. Në fshat pamë dhe shtëpi të vjetra të lëna në harresë dhe derdhur në gërmadha. E megjitahtë ka dhe banorë që kthehen pas, për të ndërtuar shtëpitë e jetuar disa muaj në kohën e beharit. Njëri nga këta banorë është dhe z. Zenel Kalari i kthyer nga Tirana duke ndërtuar një shtëpi të këndëshme dhe çlodhëse. Ai është pjesë e atyre banorëve që nuk hedhin gurin mbrapa kur largohen nga vendlindja.

Më pas ndalesëm e radhës e bëjmë në qendër të fshatit kur dikur mbi gërmadha ngrihej kisha e fshatit dhe shtëpia e kulturës ku mbante plot gjallëri aktivitetin kulturor të tij. Në skaj të fshatit dikur ishte dhe xhamia. Kjo tregon për trashëgiminë e bashkëjetesës fetare, vlerë e popullit shqiptar. Mirëpo erozionet e kohës ‘i shembën’ dhe lanë ‘dhimbjen e nostalgjisë’ mbi gërmadha. Vazhdojmë vizitën në familjen Jonuz Pallashi. Aty pimë një gotë raki kumbulle dhe provojmë mjaltin bio dhe plot vlera kultivuar nga bletët që i përshtaten mirë klimës dhe relievit. Një familje punëtorësh, popullore dhe mikpritëse.Tri orëve eksplorim gjithë fshatit. Ishte çlodhëse biseda e ngrohtë me këta familjarë që mbartin me vete vlerat mikpritëse oparake. Shumë shpejt dhe pa kuptuar fillon të bjerë muzgu dhe ndalesën e fundit e bëjmë pranë familjes së Muharrem Veliasit, mësuesit në pension dhe familjarëve intelektualë.

Mikpritja e ngrohtë dhe fisnike u reflektua në bashkëpisedimin e gjatë në mbrëmje mes gotës së rakisë dhe produkteve bio të fshatit. Kujtuam me nostalgji vitet e gjata si arsimtar dhe bukuritë dhe vështirësitë e kohës. Padyshim dhe historikun e fshatit. Ditën e nesërme duhet të niseshim përsëri me mjet me dy diferencialë që në orën 5:00 të mëngjesit. Ende ishte muzg dhe i gjithë fshati mbulohej nga errësira. Ne po largoheshim, por për banorët do të çelte një tjetër ditë e re, e zakonshme dhe me aktivitetin ritual të përditshëm. Lamë pas një fshat me plot histori dhe banorë të thjeshtë, bujarë dhe fisnikë. Ata njerëz punëtorë larg qytetit dhe zonës urbane, ku më lehtë e kapin kryeqytetin nga Gramshi sesa nga Korça. Jetojnë aty mes malesh dhe presim me shpresën se nesër rruga do jetë më e mirë. Emigrimi mos vazhdojë ‘emoragjinë’. Zona të përfitojë resurse turistike dhe mos humbasë lavdinë që i ka falur historia. Politikat shteruese ndër vite me radhë duhet të kthejnë shikimin nga zonat rurale që nesër mos jetë vonë, ku gjithçka po shkon drejt boshatisjes sociale.

SHKARKO APP