Romina Veseli, 10-vjeçarja që agjëron në çadër: Lutja kryesore është të më ndërtohet shtëpia

Edhe pse e vogël dhe jeton në çadër për shkak se shtëpia e saj është dëmtuar nga tërmeti i 2019-ës, 10-vjeçaren, Romina Veseli, nuk e pengon asgjë që të agjërojë në muajin e madhërishëm të Ramazanit. Ajo thotë se lutja e saj kryesore është që të rindërtohet shtëpia e saj.

Jetesa në çadër nuk e ka penguar këtë 10-vjeçare në Fushë-Milot të Kurbinit që të agjeroje në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në emër të besimit, Romina Veseli ka sfiduar moshën dhe kushtet e vështira të jetesës, duke kryer të gjitha ritualet e Ramazanit.

“Do ta mbaj deri në fund.”

Ndërtimi sa më parë i shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të, është lutja kryesore e vogëlushes.

“E mbaj për familjen time, Allahun që na ndihmon ishalla dhe bëhemi me shtëpi.Me shpresë te Zotit, edhe shtetit ti bjerë ndërmend se ne jetojmë në çadër dhe është shumë nxehtë në këto ditë.”

E zonja e shtëpisë, Etleva Veseli, teksa tregon vështirësitë me të cilat po përballen që prej tërmetit, thotë se ka qenë dëshira e vetë vajzës 10-vjeçare për të agjeruar.

“Ishalla bëhet ndonjë mrekulli e madhe se bëmë dy vjet në çadër, kushtet janë të vështira. Kemi besim shumë të madh”.

Familja Veseli jeton prej gati 2 vitesh në çadër dhe ende nuk ka asnjë sinjal për rindërtimin e shtëpisë. /Ora News

Romina Veseli, 10-vjeçarja që agjëron në çadër: Lutja kryesore është të më ndërtohet shtëpia

SHKARKO APP