Rosela Gjylbegu: Muzika ka ngjyrën e zemrës, të gjakut që na pulson ndër vena

Nga Albina Gjergji 

Rosela Gjylbegu është një emër i mirënjohur dhe mjaft i dashur për publikun shqiptar. Prej pothuajse 15 vitesh në skenë, repertori i saj muzikor numëron këngë të cilat jo vetëm kanë mbetur në mendjet e njerëzve, por edhe këndohen njëzëri në ambiente e atmosfera të ndezura. E vlerësuar nga artistë dhe evenimente të shumta për zërin e veçantë, Gjylbegu vazhdon të jetë një nga këngëtaret më të duatrokitura shqiptare, ku edhe pse tregu muzikor, për hir të së vërtetës shfaqet kaotik, ajo ka ditur të ruajë linjën e saj me fanatizëm.  Sivjet Rosela merr pjesë në Fesivalin “Kënga Magjike” me baladën e titulluar, “Maratonë”. Një bashkëpunim ky që vjen nga Darko Dimitrov dhe tekstshkruesi, Lindon Berisha. Shumë i klikuar në Youtube, por edhe i vlerësuar në emisionet radiofonike për veçantinë e saj, këngëtarja shkodrane për “Koha Jonë” tregon sesi lindi ky projekt, çfarë mesazhi mbart në vetvete kënga, si dhe nuk lë pa cekur disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me muzikën, por dhe deformimin e saj në ditët e sotme.

(Foto: Armand Habazaj)

Sot e çela siparin e ditës me këngën “Luleborë”, një version, këtë herë kënduar nga ju Roselë. Cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend sa herë i jepni frymë këtij “himni”?

Ah, kjo është vërtetë një këngë hymn, që unë e dua shumë dhe e këndoj shpesh kudo ku më jepet rasti. Ka një melodi të ëmbël, përkëdhelëse e një tekst shumë kuptimplotë e përfaqësues për bukurinë e vajzave shkodrane.

Lidhjen tuaj me jaret shkodrane, si do ta përkufizoje?

Jaret janë perla dhe jo çdokush mund t’i këndojnë. Të këndosh jare është si të japësh provim (qesh). Personalisht e konsideroj veten me fat që kam lindur në qytetin e jareve dhe duke e kultivuar kaq shumë veshin më ka ndihmuar t’i realizoj ato natyrshëm…

Po me rrugicat e saj karakteristike?

Sa herë shkoj në qytetin tim, patjetër që dal e eci në këmbë. Më merr malli për ato rrugica e gjithë kujtimet që kam aty. Kam kaluar një fëmijëri shumë të bukur dhe e bindur them se e kam zemrën plot.

Çfarë ka marrë dhe çfarë ka lënë në Shkodër një qytetare si Rosela?

Kam marrë padiskutim edukatën dhe kulturën, dashurinë për të bukurën e zemërgjerësinë, ndërsa mendoj se kam lënë atje shumë kujtime, disa të afërm dhe shtëpinë e vjetër, mbushur me copëza të gjalla jete.

Shumë pasionante në çka bëni, duket se lidhja juaj me repertorin e vjetër të këngëve shqiptare është kimike dhe s’u ndaheni dot. Nisur nga kjo më vjen ndërmend një pyetje, “dje”, apo “sot”; ku e gjeni veten më shumë?

Ju falenderoj shumë për këtë pyetje, sepse me të vërtetë më duhet ta them që unë e gjej veten tek “dje”, pasi sot arti është në udhëkryq. Më vjen keq ta them, por vërtetë nuk po dëgjojmë më muzikë, melodi, tekste dhe emocione, por thjeshtë po shikojmë televizor.

Në sytë tuaj, çfarë ngjyre ka dashnia për muzikën Roselë?

Ngjyrën e zemrës e të gjakut, të asaj që na pulson ndër vena.

Sa vite u bënë që lodroni mes tingujve muzikorë?

Në marsin e vitit 2017, pra diku edhe 3 muaj unë bej 15 vjet që merrem me muzikë.

Në ditët e sotme duket se këngëtar quhet kushdo e vetëm ai që e meriton jo. Si e shikoni kaosin e madh të krijuar vitet e fundit në tregun muzikor shqiptar?

Një kaos që po sjell vetëm kaos dhe po dëmton muzikën. Siç e thashë më lart, arti sot gjendet në udhëkryq. Deri vonë kam shpresuar se gjërat do të ndryshojnë për mirë, por fatkeqësisht shoh qe ky dëm veç vjen e thellohet, aq sa po kthehet në diçka normale dhe njerëzit s’po e kuptojne me. Është vërtetë për të të ardhur keq, pasi ne kemi mundësi për të bere shume me shume.

Përtej muzikës, jeni ndjerë ndonjëherë e censuruar për ta thënë mendimin tuaj hapur, flas nga frika se nuk gjeni mirëkuptim dhe a mendoni se rrjetet sociale kanë një lloj peshe faji në këtë mes?

Nuk kam kurrefarë frike te jap mendimin tim, sepse besoj tek vlerat, por a ia vlen ta them mendimin tim? Kjo është çështja.  Rrjetet sociale… hmmm! Sigurisht që kanë peshën e tyre të fajita, sepse po  keqpërdorin  informacionet dhe po u krijojnë njerëzve varësi ndaj një realiteti virtual, ku mbizotëron falsiteti e hipokrizia. Kjo po që i dëmton dhe largon njerëzit nga njëri-tjetri.

Krahas një karriere dinjitoze muzikore, ju punoni prej vitesh edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Nisur nga dinamika e jetës dhe kaosit që muzika po pëson, sa dhe ku e gjeni veten më mirë në ditët e sotme po të bëni një krahasim mes dy profesioneve që ushtroni?

Momentalisht e gjej vetën me të konsoliduar tek puna që bëj dhe që më pëlqen. Sigurisht nuk e lë mënjanë muzikën, sepse është ushqimi i shpirtit dhe aty përmbushem, por që aktualisht e shoh në kaos muzikën dhe nuk e di më në çfarë drejtimi po shkon…

Njiheni si një nga artistet besnike të Festivalit “Kënga Magjike”, ku edhe sivjet jeni pjesë e saj. Si e përjetuat faktin që kënga juaj u përqafua menjeherë nga publiku Roselë?

Doja të vija ndryshe këtë herë. Në repertorin tim kam shumë balada dhe këtë herë vendosa të vij po prapë me baladë, por më pop, me një ritëm ku sëbashku me tekstin doja të shprehja një thirrje timen të brendshme. Në këtë realitetin tonë më shumë halle doja të sillja një këngë me mesazh pozitiv, me mesazh forcë për të zgjuar shpresën brenda njerëzve, duke thënë që, pavarësisht se jeta jonë është e gjatë si një maratonë, ku ne ndeshemi me shumë sfida e pengesa… dashuria është ajo që na frymëzon e triumfon. Ne duhet të besojmë e shpresojmë në të.

“Maratonë” titullohet kënga, e cila për bashkëpunëtorë ka Darko Dimitrov dhe Lindon Berishën? Pse pikërisht këto emra?

Me Darkon kam realizuar disa këngë si për shembull, “Tjetra”, “Rruga e Zemrës”, “Sikur të isha ti”, “Egoist”. Ai është një nga producentët me të mirë të viteve të fundit, por edhe një mik shumë i mirë, të cilit i besoj shumë dhe e di që bën më të mirën në çdo bashkëpunim, ndërsa me Lindon punoj për herë të parë. Ishte Darko ai që ma sugjeroi dhe… “pse jo”, thashë… diçka ndryshe dhe kështu u realizua “Maratonë”.

Një tekst, i cilësuar i fuqishëm nga dëgjuesit dhe komentuesit në rrjetet sociale. Çfarë mendoni se e bën kaq emocional dhe të veçantë?

Jetojmë në një realitet të vështirë dhe kemi nevojë për mesazhe frymëzuese, shpresëdhënëse, por me fjalë të vërteta të thëna me zemër. Edhe në këtë tekst ka shumë vërtetësi, është i prekshëm dhe mendoj që të gjithë gjejnë veten aty.

Muzika, vokali, apo teksti, cilin prej ketyre komponentëve e shikoni si më të rëndësishmin në një këngë?

Të gjitha sëbashku e bëjnë një këngë të bukur, por mbi të gjitha interpretimi. Pra edhe mënura sesi ia përcjell publikut emocionin e çdo note a fjale ka shumë rëndësi në një këngë. Sidomos kur është baladë.

Thënë pa dorashka dhe larg klisheve, sa të rëndësishme janë çmimet për një artist. Po për ty?

Thënë pa dorashka janë shumë të rëndësishme, sepse na motivojnë të gjithëve për të bërë akoma më shumë e me më përgjegjësi. Sigurisht nuk janë gjithçka, por kanë rëndësi për secilin prej nesh.

Ka pasur raste që jeni ndjerë e lodhur nga mënyra sesi funksionon muzika tek ne dhe kur ka qenë ai rast?

Ndjehem shpesh trishtueshëm teksa shoh që nuk po ndryshon asgjë e askush nuk bën diçka për ta bërë të funksionojë siç duhet këtë industri, por vazhdojnë manipulojnë dhe induktojnë tek të rinjtë atë që është gjithçka, por veç art jo…

E nisa këtë pyetësor me tinguj të bukur dhe po me aq të bukur do ta mbyll. Në sfond dëgjohet “Karajfilat që ka Shkodra”, kënduar nga Myfit dhe Rosela Gjylbegu. A është ky kujtimi juaj më i bukur dhe që ju bën të derdhni më shumë lot Roselë.

Po në mënyrën më absolute është kujtimi më i bukur dhe që më emocionon tepër dhe lotët nuk ndalen.

(Rosela me të ndjerin, babain e saj)

SHKARKO APP