Rumania mbyll me sukses Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian!

Nga Entela Binjaku – Gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti Rumania, mbajti Presidencën e saj të parë të Këshillit të Bashkimit Evropian. Marrja e Presidencës u shënua me me një aktivitetit të mbajtur nga Ambasada e Rumanisë në vendin tone, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në datën 22 janar 2019 në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë.

Në kuadër të këtij aktiviteti, në prani të përfaqësuesve të lartë të politikës shqiptare, kryetarit të Parlamentit dhe deputetëve të Kuvendit, diplomatëve të akredituar në Tiranë, në një prezantim mediatik, Ambasadori i Rumanisë, Mircea Perpelea paraqiti platformën e 180 ditëve të ardhshme të Presidencës së Këshilit të BE-së.

Shkëlqesia e Tij ambasadori Mircea Perpelea në fjalën përshëndetëse prezantoi vizion rumun të shprehur edhe në sloganin e kësaj presidence: “Kohezioni, një vlerë e përbashkët evropiane”.

Në datën 12 korrik 2019, u mbajt Ceremonia përmbyllëse e Presidencës po në “Shtëpinë e Evropës” ku në prani të diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë, sërish në një prezantim mediatik, SH.T.Z Mircea Perpelea, paraqiti rezultatet e këtij mandati parë.

„Ishte një mandat i parë kompleks dhe ambicioz, njëkohësisht unik dhe ciklik. Veçoritë e Presidencës sonë bazohen në risi, por edhe në sfida, që më shumë gjasa, do të rezultojnë të papërsëritshme pas 13 apo 14 vjetësh”- me këto fjalë ju drejtua të pranishmëve ambasadori i Rumanisë në vendin tonë SH.T. Mircea Perpelea, në aktivitetin mbyllës së Presidencës rumune të Këshillit të Evropës.

„Jam i bindur se në fund të këtij mandati Rumania ka forcuar profilin e saj në Evropë duke u bërë një zë më i fortë, më i besueshëm dhe më i sigurtë”- vijoi ambasadori Perpelea.

Përfaqësuesi më i lartë i shtetit rumun në vendin tonë e mbylli fjalën përshëndetëse me disa prej pikave të referimit në historinë bashkëkohore siç ishin: hyrja e Rumanisë në NATO (2004), pranimi në Bashkimin Evropian (2007), Presidenca e parë e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian (2019).

Për ta mbyllur këtë periudhë 6 mujore me mirënjohje dhe falënderime, Ambasada e Rumanisë në vendin tonë kishte rezervuar në mjediset e Hotelit „Rogner” një pasdite miqësore dhe të ngrohtë.

Shkëlqesia e Tij ambasadori Perpelea, si përfaqësuesi më i lartë i Rumanisë në vendin tonë shprehu edhe vendosmërinë e shtetit rumun për ruajtjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rumanisë që i ka rrënjët thellë në histori dhe që vijon të mbesë një vlerë e përbashkët mes dy shteteve tona.

Si në një ceremoni ndarjesh çmimesh, sic u shpreh vetë Ambasadori me humor, u ndanë disa mirënjohje për ata që kishin kontribuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve të Ambasadës gjatë  kësaj periudhe 6 mujore.

Vlerësimet dhe falënderimet nisën me Kryetarin e Grupit Parlamentar dhe sekretarit të përgjthshëm të PS, Z. Taulant Balla,  jo vetëm cilësinë e politikanit, por dhe në cilësinë e një dashamirësi të Rumanisë, si ish student në Universitetin e Jashit.

Falënderime shkuan gjithashtu për diplomatë, Bashkinë e Tiranës, Qeverinë shqiptare, për shoqatat e arumunëve në vendin tonë, për individë nga fusha të ndryshme si ish ambasadorë, media, akademikë dhe njerëz nga kultura.

Më tej aktiviteti vijoi në mënyrë miqësore ku të pranishmit ndanë me njëri-tjetrin çaste që i lidhnin me shtetin rumun.

Vlen për tu theksuar se prej vitit 1994 Rumania ofron çdo vit rreth 100 bursa studimi për të rinjtë nga Shqipëria. Një pjesë e madhe e tyre janë kthyer në Shqipëri dhe shërbejnë me ekspertizën e marrë në sistemin arsimor rumun, në institucionet dhe shoqërinë shqiptare.

 

SHKARKO APP