Sami Repishti, Qytetar Nderi i Shkodrës

 

Në mbledhjen e rradhës të fundvitit, Këshilli Bashkiak i Shkodrës, me propozim të shoqatës më të madhe të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë, atë të Shkodrës, nderoi sot me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës” profesorin shqiptaro-amerikan, Sami Repishti. Kryetari i këtij Këshilli, Xhemal Bushati, lexoi motivacionin që shoqëron dhënien e këtij titulli:

“Për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave qytetare dhe demokratike të bashkëqytetarëve tanë të Shkodrës si studiues, publicist dhe veprimtar i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me qendresën përballë diktaturës dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Shkodrës, Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë, ai është bërë shëmbull frymëzues për bashkëkohësit e tij.”

Kryetari i Komisionit të Ekspertëve për Vlerësimin e Figurave, profesor Romeo Gurakuqi, tha përpara këshilltarëve bashkiakë se titulli i jepet një shqiptari dhe shkodrani të ndritur, që megjithëse në SHBA, ia ka kushtuar jetën dhe veprën e tij Shkodrës dhe  Shqipërisë.

"Asht një nder i veçantë që Bashkia e re e Shkodrës të nisë punën e saj në dhanien e titujve me vendimin për dhanien e titullit “Qytetar Nderi” profesor Sami Repishtit, të cilin unë e kam konsideru dhe e konsideroj udhëheqësin e vertetë të bashkësisë shkodrane dhe një lidër të mirëfilltë të të gjithë shqiptarëve ne procesin e emancipimit për nga liria, mbrojtja e institucioneve të saj, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Epirin e Jugut".

Një vlerësim të veçantë dha në emër të Komisionit të Këshillit Bashkiak edhe kryetari i tij, Maxhid Cungu.

"Ne vlerësojmë rolin dhe kontributet e profesor Sami Repishtit për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave historike, demokratike si dhe për qendresën në lidhje me mbrojtjen e parimeve demokratike dhe kombëtare".

Këshilltarët bashkiakë shprehën mirënjohje për kontributin dhe përpjekjet e profesor Sami Repishtit si kundërshtar i vendosur i diktaturës komuniste, por edhe veprimtarë  kritik i proceseve demokratike në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Keshilltari bashkiak Filip Guraziu u shpreh:

“E kam për nder që jam sot anëtar i Këshillit të Bashkisë dhe ne së bashku votojmë për këtë figurë të madhe, këtë patriot, këtë antikomunist, por mbi të gjitha humanist”.

“Repishti është konfirmim i thënies se: duaje atdheun edhe kur të vret. Kultura e tij e gjërë është receta që fton mendjet e mbydhura që të hapen, ta shohin të vertetën e hidhur në sy dhe jo ta vrasin atë perditë, duke sajuar gjithçka për mbijetesë materiale në kurriz të moralit qytetar”, tha këshilltari Fatlum Nurja.

Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi tha se me nderimin për profesor Sami Repishtin, Shkodra i rikthehet vlerave të saj.

"Për mua personalisht, profesor Repishti shpesh është udhërrëfyes, është mbështetje, është një lexim kritik edhe i asaj që ndodh në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit. Me këtë rast, për Bashkinë e Shkodrës është një e mire që i vjen qytetit, të gjithë shkodranëve. Përmes nderimit të tij ne nderohemi  dhe unë i uroj shëndet dhe shpresoj shumë që të vazhdojë të punojë, të na mbështesë e të vazhdojë të jetë për ne ashtu sikurse asht".

Profesor Sami Repishti ishte kundërshtar i regjimit komunist, regjim që e dënoi me 15 vite burgim, nga të cilët bëri vetëm dhjetë vjet.

I përndjekur vazhdimisht, ai arratiset në vitin 1959 dhe në 1962 emigron në SHBA, ku zhvillon një veprimtari të gjërë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.  

 

Profesior Repishti luajti rol të dorës së parë në krijimin e tri organizatave shqiptare në SHBA; Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Megjithëse në moshën 90 vjeçare Profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë.

SHKARKO APP