Samiti i Tiranës ishte i treti drejt konkretizmit të Mini-Schengenit rajonal.
Nga DW/Samiti i Tiranës ishte i treti drejt konkretizmit të Mini-Schengenit rajonal. Kjo nismë shihet si strategji që jo vetëm do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik e shoqëror të rajonit, por edhe kohën e anëtarësimit në BE.
Një rajon me treg pune dhe sisteme të unifikuara, kufij të hapur, lehtësira transporti dhe tregtie, joshës për investitorët e huaj! Një rajon që synon përmes bashkëpunimit mes vendeve të përshpejtojë afrimin me standartet e jetesës dhe vlerat e e BE që të shkurtojë kohën e anëtarësimt tek ky bashkim. Një Ballkan Perëndimor, (BP) që synon të garantojë 4 liri themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.
Këto synime i shprehën qartë liderët e katër vendeve të BP, pjesëmarrës në Samitin e Tiranës që përfundoi punimet e tij të shtunën, (21.12.2019).Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vučić, Kryeministri i Shqipërisë, vendit mikpritës të samitit, Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë në një mendje për domosdoshmërinë e funksionimit efikas të Mini-Schengenit Ballkanik. Ata e përfytyrojnë realizimin e tij në praktikë si një strategji që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajonit dhe kohën e anëtarësimit në BE, që mbetet aspiratë e pandryshuar për të 6 vendet e tij.
Origjina e Mini-Schengenit Ballkanik
Në fakt nisma për krijimin „de jure” dhe „de facto” të Mini-Schengenit Ballkanik në thelbin e saj nuk është e re. Forcimin e bashkëpunimit rajonal si një instrument efikas për impulse të reja në procesin e integrimit të BP në BE, e artikuloi për herë të parë Kancelarja gjermane Merkel, në gusht 2014, kur lanҫoi nismën diplomatike të njohur si Procesi i Berlinit. Baza e nismës së tanishme janë marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, por të parealizuara, gjatë 5 viteve të këtij procesi. Liderët e 4 vendeve të BP thanë njëzëri në samitin e Tiranës se Mini- Schengeni është një „Berlin plus”.
A zëvendëson Mini-Schengeni ballkanik integrimin në BE?
Qartë dhe pa ekuivoke katër liderët e BP deklaruan që kjo nuk ka asnjë gjasë të ndodhë. “Ky process është në koherencë të plotë me ambicien e të gjitha vendeve të BP dhe angazhimin e tyre për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Duke bashkuar forcat përshpejtojmë” procesin e integrimit në BE dhe krijojmë” në hapësirën tonë standardet që i përgjigjen 4 lirive të BE: lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”, theksoi kryeministri Rama.
Rama vuri në dukje në konferencën e përbashkët për shtyp se „vendet e BP i kanë të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje të arritura më parë në kuadër të procesit të Berlinit, të CEFTA apo nismave dhe tryezave të tjera”.
Kurse Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović e vlerësoi nismën e Mini-Schengenit Ballkanik si “një mundësi të shkëlqyer për të përmirësuar besimin mes vendeve të rajonit dhe forcuar kapacitetet për bashkëpunim në kuadër të nismave më të gjera me BE, ku duan të integrohemi. ”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vučić e sheh me „rëndësi të jashtëzakonshme nismën dhe bashkëpunimin intensiv e efikas rajonal”. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u ndal në lehtësirat kufitare në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Ai tha, se tanimë është nënshkruar marrëveshja ”one stop shop” në kalimet kufitare, ku do të përdoren sisteme elektronike dhe qytetarët në gjjithë rajonin do të kalojnë pikat kufitare me kartat e identitetit. „Do të këtë një procedurë të unifikuar, të vetme për dhënien e lejeve për punës. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin mesazhe pozitive në pranverën e 2020-s,” tha Zaev duke lënë të nënkuptohet mundësia e hapjes së negociatave të anëtarësimiut në samitin e pranverëss BE & BP në Zagreb.
Vučić : Nuk ndryshohen rregullat e lojës
Shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në pranverën e ardhshme përforcojnë përqasjen se Mini-Schengeni Ballkanik nuk zëvendëson integrimin në BE. „Ne dëshërojmë të jemi anëtarë të BE. Për këtë kemi kohë që punojmë. Nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë drejtimin strategjik. Nuk kemi marrë ndonjë informacion të ri që do të na bënte të ngurronim dhe të thonim që nuk duam të shkojmë në BE. Përkundrazi kohët e fundit kemi deklaruar se jemi kundër ҫdo ideje për të ndryshuar rregullat e lojës tani. Rregullat e lojës janë përcaktuar dhe vendosur në Selanik në vitin 2003. Ne bëjmë atë që kemi në dorë: organizojmë rajonin dhe kjo nuk varet nga fuqitë e mëdha”, tha Vučić
Në samitin e Tiranës u theksua, se nisma e Mini-Schengenit Ballkanik mbështetet nga SHBA dhe Komisioni Europian, i cili do t’i japë rajonit vitin që vjen1,2 miliardë euro grante për progresin në realizimin e bashkëpunimit rajonal.
Nismë për të ardhmen
Rama e cilësoi nismën e Mini-Schengenit ballkanik – nismë për të ardhmen e rajonit. Ai e quajti të gabuar refuzimin e autoriteterve të Kosovës për të mos marrë pjesë në samitin e Tiranës. „Kjo nismë është gjithëpëfshirëse,nuk përjashton askënd, nuk ka asnjë kusht. Katër vendet e rajonit kanë hapur derën edhe për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën që kanë nevojë për zhvillim. Refuzimi është vetëvrasje në planin ekonomik dhe politik. Kjo nismë është urë mes së shkuarës dhe të ardhmes. E shkuara na ndan, e ardhmja na bashkon. Vetëm duke bashkëpunuar shërojmë plagët e të shkuarës”, tha Rama.
Në samitin e Tiranës morën pjesë përfaqëquses të Komisionit Europian, Departamentit Amerikan të Shtetit, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Bankës Europiane të Investimeve që po mbështesin nismën e Mini-Schengenit Ballkanik. Samiti vijues do të zhvillohet në Beograd në fillim të shkurtit 2020.