Satira “Downsizing” hapi Festivalin e Filmit në Venecia

Në filmin “Downsizing”, që është projekti më i ri i regjisorit amerikan Alexander Payne, aktori Matt Damon – në rolin e Paul Safrenek – tkurret deri në miniaturë, së bashku me gruan e tij Audrey (që luhet nga Kristen Wiig).

Duke u zvogëluar deri në miniaturë, ata bëhen pjesë e një projekti të cilin e kanë iniciuar shkencëtarët për të gjetur zgjidhje lidhur me mbipopullimin e botës. Ky eksperiment shkencor e ka për qëllim të përmirësojë jetën e njerëzve, por sidoqoftë njerëzit e madhësisë së vogël përballen me një seri sfidash, theksohet në DW.

Satira e Payne ka hapur Festivalin e Filmit në Venecia, të mërkurën, duke sjellë në ekran një kombinim të humorit dhe kritikës sociale. Për çmimin “Golden Lion” (Ariu i artë) sivjet në konkurrencë janë 21 filma. Filmi i Payne është njëri nga shtatë produksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një numër ky i pazakonshëm i pjesëmarrjes amerikane në festivalin më të vjetër të filmit në botë. Producentët e Hollywoodit e kanë vërejtur që Festivali i Venecies është kthyer në një karrem të mirë drejt sezonit të ceremonisë “Oscar”.

Disa nga filmat në konkurrencë në festivalin Italian të filmit, vitin e kaluar i kishin marrë çmimet më të mëdha në ceremoninë e “Academy Awards”. “La La Land”, që hapi festivalin e Venecias vitin e kaluar, më pastaj kishte marrë vëmendje botërore. Dhe kjo është arsyeja pse filmat e realizuar nën regji të George Clooney, Darren Aronofsky, Guillermo del Toro dhe Paul Schrader, që do të shfaqen premierë ditët e ardhshme, të kenë shpresa të mëdha. Këta regjisorë kanë sjellë me vete një grup yjesh në këtë festival. Mes tyre Matt Damon, Julianne Moore dhe Jennifer Lawrence, të cilët përbëjnë listën e emrave të mëdha që do të parakalojnë mbi tapetin e kuq. Edhe dy legjenda amerikane të filmit, pritet që t’u bashkohen yjeve më të reja të Hollywoodit në këtë festival: Jane Fonda dhe Robert Redford të cilët do të marrin çmimin për arritje jetësore “Golden Lion” (Ariu i artë), ndersa edhe do të prezantojnë filmin më të ri, në të cilin kanë luajtur së bashku, “Our Souls at Night” të regjisorit Ritesh Batra.

Sidoqoftë, festivali nuk do të ishte ai që është, nëse nuk do të përfshinte edhe emra të mëdhenj të kinematografisë evropiane dhe asaj aziatike. Franca ka në garë tre filma, të realizuar nga regjisorët Xavier Legrand, Robert Guédiguian dhe Abdellatif Kechiche. Filmi i Kechiche, “Mektoub, My Love: Canto Uno”, është një prej filmave më të shumëpritur. Regjisori i lindur në Tunizi ishte fitues i “Palmës së artë” në Festivalin e Filmit në Cannes më 2013, me filmin e tij “Blue is the Warmest Color”. Si vend nikoqir, edhe Italia ka disa regjisorë të tij në garë. Filmbërësi, fitues i çmimit “Oscar”, Paolo Virzi është ndër më favoritët.

Fakti që filmat dokumentarë janë të përfshirë në konkurrencën e një prej festivaleve më të mëdha të filmit, më nuk është risi. Megjithatë, dokumentari i realizuar nën regji të artistit kinez Ai Weiwei, me titull “Human Flow” që flet për refugjatët në gjithë botën ka marrë vëmendjen e mediave ende pa nisur mirë festivali.

Gjermania ka kontribuar për financimin e këtij dokumentari, sikurse edhe për financimin e filmit izraelit “Foxtrot”, nën regji të Samuel Maoz, që është një dramë mbi fajin dhe vuajtjen e rezultuar nga politikat problematike të Izraelit. Përfshirja e Gjermanisë në këto vepra ndërkombëtare filmike e kompenson paksa faktin që sivjet festivali nuk ka përfshirë asnjë regjisor gjerman në konkurrencë. Lista me filma që do të shfaqen gjatë festivalit kompletohet me projekte filmike nga Japonia, Kina dhe Australia. Filmat më të mirë në garë do të kurorëzohen me “Ariun e artë” dhe “Ariun e argjendtë” – çmime që ndahen më 9 shtator.

Presidentja e jurisë sivjet është aktorja amerikane Annette Bening. Jashtë konkurrencës, në këtë festival do të shfaqen premierat e filmave të filmbërësve të njohur ndërkombëtarë si; Stephen Frears, Abel Ferrara apo Takeshi Kitano. Seksioni “Venice Virtual Reality” do të fokusohet mbi të ardhmen e filmit, ndersa seksioni i mirënjohur retrospektiv, “Venice Classics” do të shfaqë filma legjendarë në versione të restauruara së fundi.

SHKARKO APP