Sesion Shkencor kushtuar Nënë Terezës

Nga Ina Reçi (New York, Shtator 2016)

New York, Monroe College. Edhe pse disa anëtare të Organizatës së Gruas  Shqiptare – Amerikane (The Women;s Organization “Hope & Peace”) u ndodhën në Vatikan më datë 4 Shtator 2016, për të marë pjesë në Ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ato nuk u mjaftuan me kaq, por me kthimin në SHBA mbajtën në New York, Simpoziumin Letraro – Shkencor me Temë “Jeta dhe Vepra e Shenjtores Mother Teresa”.
Në një nga ambjentet e Monroe College në Bronx, ku morën pjesë artistë shqitarë e të huaj, Zëvëndës Presidentë të Monroe College, dipllomatë shqiptarë, shkrimtarë, mësues, studentë, drejtues të NGO që veprojnë në SHBA, nën drejtimin e aktores amerikane Iliene Kristen dhe gazetares Mimoza Dajçi zhvilloi punimet ky sesion letraro – shkencor, ideuar kohë më parë. Për disa orë si në një film u hodh dritë mbi jetën e veprën e humanistes e bamirëses Gonxhe Bojaxhi – Nënë Terezës. Si traditë e çdo tubimi edhe ky sesion hapi siparin e tij me Hymnet Shqiptare dhe Amerikane.
Nderuan veprimtarinë me kumtesat e tyre, aktivistja e njohur e komunitetit shqiptar në SHBA – inxhinierja kimiste Znj. Merita Shkupi, Zëvëndës Presidenti i Monroe College (indiani – amerikan) Dean Alex Ephrem Shah, i cili solli pasazhe të rëndësishme e të panjohura më parë nga jeta e bamiresitë e Nënë Terezës në Indi, Kryetarja e Organizatës së Grave “Marigona”në New Jersi – shkrimtarja Sabije Veseli, arsimtarja Violeta Mirakaj, studentët Ina Reçi, Shpresim Haxhaj etj.
Aktori Xhevat Limani interpretoi në shqip dhe anglisht poezi – krijime të Nënë Terezës, dhe poezi kushtuar Nënë Terezës, si dhe mbajti një kumtesë interesante rreth fakteve të jetës dhe respektit të saj në Shkup nga populli ynë, ku dhe kritikoi disa politikanë shqiptarë, të cilët sot tha ai u hodhën të parët në përkrahje të saj në Vatikan apo gjetkë, mbështetje të cilën ata duhet ta kishin treguar me kohë për Nënë Terezën. Këngëtari, shkrimtari dhe përkthyesi Z. Vasil Marku njëherësh autor edhe i një libri për Nënë Terezën, në referencën e tij, lexoi përveç të tjerave edhe shprehje e thënie të Nënë Terezës, perla që ajo i kishte praktikuar gjatë gjithë jetës së saj.
Ky aktivitet u përshëndet edhe nga të rinj shqiptarë, studentë të shkëlqyer nëpër universitet amerikane, të cilët vinë nga familje ish të persekutuara politike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Lideri i Stacionit Policor Nr. 49 në Bronx, dhe Lideri i Distriktit Nr. 80 në Bronx, ish piloti amerikan Z. Joseph Thompson, një nga mbështësit kryesor të fushatës së Assamblyman Z. Mark Gjonaj në fjalën e tij, pasi vlërësoi këtë simpozium të rëndësishëm për Nënë Terezën, u ndal tek puna e palodhur dhe përpjekjet e Organizatës “Hope & Peace” për të evidentuar figura të larta si Nënë Tereza, por edhe mbështjen që kjo organizatë i jep femrës shqiptare dhe amerikane në rast nevoje e humane në tërësi.
Eshtë e vërtetë që shumë nga diaspora shqiptare u vunë në lëvizje e mbajtën aktivitete të ndryshme me ratin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, vendosjen e Bustit të saj nëpër vende të rëndësishme në New York, gjë të cilën kjo organizatë e vlerësoi shumë dhe e ka mbêshtetur, por edhe ato si nëna, vajza dhe gra shqiptare të Organzatës së Gruas “Hope & Peace” e ndjenin si obligim shpirtëror të mbanin një veprimtari shkencore, si trashëgimtare të Motrës së tyre të Shenjtë, pasi sipas tyre të gjithë besimtarët e përkrahësit e saj e kanë për detyrë të respektojnë Shenjtoren shqiptare, aq më tepër thotë Znj. Mimoza Dajçi, që në kohën e komunizmit asaj nuk ju lejua të takonte për së gjalli nënën dhe motrën e saj, por e gjitha familja u nda nga kjo botë pa përqafimin e lamtumirës.
Arstistja amerikane Znj. Ilene Kristen anëtare e Organizatës “Hope & Peace” e ndjeu veten mirë dhe të gëzuar që ju dha rasti të ishte pjesë e këtij eventimenti dhe ta drejtonte si moderatore. Ajo si aktore profesioniste me inteligjencën e mjeshtërinë e saj artistike diti ti japë ngjyra të këndshme takimit, duke biseduar me të ftuarit si miq të vjetër e dashamirës të saj.
Monitori i vendosur në krye të sallës herë pas here shpaloste në ekranin e madh pamje filmike nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës. Për efektetet  elektronike të programit u kujdes veprimtari i palodhur i komunitetit Prof. Haxhi Berisha. Në mbyllje ky simposium, fokusi i të cilit ishte figura e Nënë Terezës, u mbyll me këngëtaret e njohura Sebahate Berlajolli dhe Fllanxa Sela Pollozhani, repertori i këngëve dhe interpretimet e të cilave u duartrokitën nga të pranishmit.
Organizata e Gruas “Hope & Peace”, një subjekt i pavaruar shoqëror në SHBA me drejtim human e bamirës nuk rresht së kujtuari, vlerësuar e nderuar njerëz të rrallë të komunitet që me përpjekjet e tyre në emigracion angazhohen edhe me veprimtari tē ndryshme kulturore, humane e bamirëse në dobi të diasporës shqiptare dhe amerikane. Një nga drejtueset e kësaj organizate Znj. Mimoza Dajçi në prononcime të ndryshme të saj tha se, ngritja e këtij paneli shkencor sot këtu, dedikuar Nënë Terezës është një nga mënyrat e gjetura që ne si femra në diasporë të nderojmë motrën tonë Shenjtore Nënë Tereza, e më shumë se kujtdo thotë ajo na takon edhe ne si gra e vajza shqiptare për ta ngritur zërin tonë paqësor e human për Nënën e Bamirësen e përkushtuar ndaj varfërisë e të sëmurëve në botë, Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza.
Duke falenderuar të gjithë pjesëmarësit, si për praninë e referencat e tyre Znj. Dajçi u ndal në kohën që ata shpenzojnë duke marë pjesë edhe në evente të tilla, pasi tha ajo koha është shumë e çmuar për të gjithë dhe ju falenderoj të gjitheve së bashku që i kushtuam pak kohë figurës së Shenjtores së Ndritur Shqiptare Nënë Tereza.
Drejetoresha Ekzekutive e Zyrës së Kontrollorit të New York-ut Z. Scott Stringer, Znj. Ashley Torres dhe artistja Ilene Kristen u ndanë “Çertifika Mirënjohje” infermieres Cynthia Arzu, veprimtares Merita Shkupi, poetes e publicistes së njohur Elida Buçpapaj, aktivistes Altina Siqesa Sina, veprimtares Nexhmije Hoxha, veprimtareve Sabije Veseli, Pranvera Reçi, Violeta Mirakaj, Gonxhe Meta, Zyre Musliu, Sebahate Berlajolli, Nebahat Berlajolli, Fllanxha Sela Pollozhani, Kimete Haxhaj, Zëvëndës Presidentit të Monroe College Z. Dean Alex Ephrem Shah, aktivistit Z. Elvis Arzu, dipllomatit Z. Skender Shkupi, Prof. Haxhi Berisha, veprimatërt Gentian Gjinaj dhe Armand Gjinaj, Shpresim Haxhaj etj.
*   *  *
Në një nga takimet mes shqiptarëve dhe Presidentit Bujar Nisahni në New York, ku drejtueset e kësaj organizate patën rast të takonin Zonjën e Parë të Shqipërisë Znj. Odeta Nishani, i afruan asaj në shenjë respekti një “Mirënjohje” të tillë, e cila e vlerësoi dhe mirëpriti me kënaqësi.
Kjo organizatë ndihet shumë e lumtur që nëpërmjet veprimtarive të tyre të vlerësojnë individë të ndryshëm, të sakrificës për kombin, popullin shqiptar e amerikan, pasi thotë Znj. Dajçi, atdheu ynë Shqipëria akoma edhe sot e ka shumë të vështirë të ndajë Medalje me shumicë, apo të respektojë e nderojë njerëzit e dalluar të kombit. Megjithëse kohët e fundit ka përmirësime në këto drejtime, por akoma ka punë për tu bërë, pasi thekson ajo duhet të shkundemi nga burokracitë e së shkuarës, të përfitojmë nga e sotmja e veçanerisht nga vlerat pozitive të botës së qytetëruar veçanerisht perëndimit.
Nga podiumi i këtij auditori një falenderim special ju drejtua drejtuesve të Monroe College në Bronx dhe Prof. Haxhi Berishës për oportunitetin që i jep diasporës shqiptare për të organizuar aty aktivitete të ndryshme.
Pas përfundimit të këtij Sesioni disa anëtare të kësaj organizate u drejtuan për në Qendrën e Misionereve Mother Tereza – NewYork, ku shfaqej filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës, si dhe u hap ekspozita dedikuar Nënë Terezës. Në këtë qendër ku ka qëndruar kohë pas kohe qysh prej viteve 80′ Nënë Tereza, Organizata “Hope & Peace” u prit me dashamirësi dhe respekt nga Motrat e Misionit Mother Tereza, takimet e tyre u lanë të hapura për bashkëpunime të reja.

SHKARKO APP