Shengeni Ballkanik, Porti Durrësit dhe Serbia
Nga Ing. Xhevair Ngjeqari –
Interesi direkt i Serbisë është shfrytëzimi portit Durrësit pa taksa, në emër të unitetit Shengenit Ballkanik. Ky është qëllimi kryesor. Serbia, Maqedonia e Veriut (MV) dhe Rusia janë të gatshëm të derdhin financimet pa kufi, vetëm e vetëm të dalin pa pengesa ose të përfitojnë bonusin e një koncesioni portual ose të një zone të lirë në bregdetin shqiptar. Atë që nuk arritën Pashiçët në luftën e parë botërore, atë që nuk gllabëroi Druzhe Titua në emër të kampit socialist, po materializohet nga Salep Milosheviçi Serbisë, në emër të interesave shqiptare dhe të demokracisë pan ballkanike. I besuari popullit shqiptar me fisnikërinë e mbrojtjes detit, duhet të evidentojë dinakëritë që fshihen në modulin e Shengenit, sepse interesa ekonomike vendore nuk ka.
Cilat janë bazat e Mini shengenit
Të gjitha format organizative duke filluar nga bërthamat e familjeve të mëdha apo të vogla, fermave, federatave, konfederatave, kampeve socialiste apo kapitaliste, pashallëqeve deri te mbretëritë, që nuk kanë në themel ekonominë, por formohen mbi bazën e dëshirave, sigurisë, unitetit, fantazive të perspektivës apo pasionit të dukurive të veprave të mëdha ,deklaratave të medias shkruar apo vizive, janë të destinuara të falimentojnë. Aksioma e marrëdhënieve midis njerëzve, komuniteteve , shteteve janë interesash në radhë të parë. Që nënkupton se të gjitha format e bashkëpunimeve e bashkëjetesave të natyrës shengenave, që nuk bazohen mbi marrëdhënie ekonomike ,me ekuilibër të plotë interesash e përfitimesh, nuk jetojnë gjatë. Ato edhe po u organizuan ,bazuar në statuset juridike, do të mbijetojnë duke grabitur pasuritë e njëri tjetrit, duke e pësuar shteti më i varfër, deri sa të evidentohen pabarazitë e kooperimit dhe të shpërthejnë konfliktet. Kjo nënkupton se Ngrehina e Mini Shengenit Ballkanik, në se nuk vendos në themel interesat ekonomike , shqiptare dhe kosovare, që evidentohen nëpërmjet të shkëmbimeve dhe shërbimeve jetësore, nuk i shërben vendi tonë.
Kampi socialist dhe Shengeni Europian
Në 50-60 vitet e fundit mendimi njerëzor ka dy njohur eksperienca grupimesh, apo bashkëjetesash. I pari ishte kampi socialist. I cili bazohej në diktaturën e proletarialit, mungesën e lirisë shoqërore dhe ekonomike etj. Me gjithë parullat e propagandën, bashkëjetesa me druzhe Titon, me baba Stalinin, Hrushovin dhe At Mao Ce Dunin u shkërmoqën ,duke vlerësuar si histori suksesi jo perspektive. E kundërta ndodhi me konfederatën apo Bashkimin Europian. Arkitekti themelimit ose promotori Europës bashkuar është doktrina e R.Shumanit (1886 -1963). Më 9 Maj 1950 për herë të parë propozohej zyrtarisht që prodhimi i karbonit dhe çelikut në Francë dhe Gjermani të vendoset nën një autoritet të lartë të përbashkët, nën një organizatë të hapur, me pjesëmarrje të vendeve të tjera të Europës. Kjo formulë pragmatike ndërtonte një sistem që nuk angazhonte vetëm fjalë, por interesat në radhë të parë. Mbasi unifikuan prurjet historike, liritë dhe të drejtat e njeriut , mbikaluan krimet dhe zullumet naziste, vendosën si gur themeltar nismën e drejtimit përbashkët të Qymyr-Çelikut. Organizimi dhe ecuria e së cilës çoi në formimin e Asamblesë Europiane në vitin1958, formimin europës bashkuar, këshillin e mbrojtjes atlantikut. Bashkimi midis Francës dhe Gjermanisë, konceptohet për herë të parë në vitet 1930 nga Aristid Brian. Por nazistët i çuan energjitë e popujve në drejtim të gjakderdhjes. Progresi drejtimit të Karbon- Çelikut dhe strukturave të tjera të përbashkëta detyruan De Golin që në 2 Shtator 1962 gjatë një vizite në gjermani të deklaronte se “nëse dje, ishte detyra jonë të ishim armiq, sot është detyra jonë të jemi Vëllezër”. Golistët që dikur kishin kundërshtuar dhe Shumanin e quanin “BOSHI”, ju bashkuan progresit të bashkimit Europian. Nga ky moment dimensionet e Europës do të shënojnë vetëm zmadhim. Procesi standardizimit unifikimit dhe dixhitalizimit ekonomik vazhdon. Vlen të theksohet se nismën e bashkimit europian e përkrahën menjëherë Italia dhe vendet e Beneluksit. Tashmë EU numëron 28 vende dhe mbi 513 milion banorë. Për tu bashkuar me BE kërkohet arritja e treguesve ekonomikë, lirisë dhe demokracisë .Të cilat kërkojnë vite përgatitje. Mendimi shoqëror, social, ekonomik, organizativ dhe filozofik tashmë ka një eksperiencë, të cilën mund ta shfrytëzojnë me racionalitet për të çuar përpara ekonominë dhe bashkëjetesën midis shteteve , kombeve , etnive.
Minishengeni Ballkanik dhe Shqipëria
Në arenën Ballkanike mediat kanë informuar se përfaqësuesit e shteteve të Serbisë, MV dhe Shqipërisë kanë dhënë besën për të realizuar një tip Minishengeni Ballkanik. Duke vendosur në bazë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Promotori i idesë është një duel midis kryeministrit shqiptar dhe presidentit serb. Ky i fundit, Vuçiç, nxitoj të theksonte se kostruktori ishte Ai. Në parim të risësh gradët e lirisë ose qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, aq më tepër në Ballkan nuk ka asgjë të keqe. Në fazën fillestare natyrisht mund të mos ketë përputhje të plotë të treguesve social-ekonomik ,por në rast se shtetet pjesëmarrëse kanë strategji me tregues ekonomik në rritje dhe gradualisht nivelet e prodhimit, shërbimit dhe përpunimit, mund të ekulibrohen, unifikimi mëtejshëm i bashkëjetesës sjell vetëm prosperitet. Nëse lëvizja e njerëzve është përgjithësisht e realizuar, ose plotësohet pa kosto ekonomike, qarkullimi mallrave është i lidhur me kostot dhe aftësitë e prodhimit dhe për rrjedhojë dhe taksat e tarifat doganore janë në varësi cilësisë prodhimit dhe kostos jetesës. Shqipëria ka bilanc negativ midis importit dhe eksportit. Ne importojmë rreth 75% të mallrave dhe eksportojmë 25%. Ky tregues shumë negativ, pothuaj ka rreth 30 vjet që nuk ndryshon. Ndërsa me Serbinë dhe MV ka një raport edhe më negativ të import-eksport. Për disa zëra, treguesit janë edhe më të lartë se 80-20%. Kjo tregon se vendi promotor i Shengenit Ballkanik ka një ekonomi të dobët, për të mos thënë në proces falimentimi. Sipas ekonomistëve, në parajsën e Shengenit Ballkanik humbjet në ekonominë shqiptare do të jenë të mëdha. Bazuar në interesat ekonomike vendi ynë nuk ka interes të hapi portat, pa llogaritur mbrojtjen e interesave ekonomike vendore.
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe Serbisë
Shqipëria nuk luan asnjë rol në zhvillimin ekonomik të Ballkanit, përveç vlerës së pozicionit gjeografik, në Jug të Adriatikut dhe Veri të Jonit, ose në mesoren e Ballkanit Jug Lindor.Trualli dhe bregdeti Shqiptar shërben si rrugë më e shkurtër tokësore dhe detare për vendet e Europës Jug Lindore, kur udhëtojnë për në Italinë Jug Qendrore dhe sidomos në vendet e Atlantikut, kontinentin amerikan, Europën Jugore, duke kursyer 300-1180 km në krahasim me tranzitin e detyruar nga porti Selanikut. Kjo nënkupton se bregdeti shqiptar është i gjithi port natyral dhe magazinë distributor për tranzitin Euro-Atlantiko-Ballkanik. Por në bregdetin Shqiptar porte nuk ka, tranzit nuk realizohet dhe rrjedhimisht nuk ka anjë përfitim ekonomik. Por Ministria e Transportit vazhdon të mashtrojë se ne kemi portin e Durrësit dhe nuk kemi nevojë për porte të tjerë.
Të gjitha Shtetet e Ballkanit, por sidomos Serbia dhe MV dhe Kosova kanë interesa shumë të jetike të tranzitojnë mallra nëpërmjet bregdetit shqiptar ose nëpërmjet portit të Durrësit. Të tre shtetet kursejnë 740-1240 km rrugë detare dhe tokësore duke tranzituar mallra drejt kontinentit Amerikan, Afrikës Veriore dhe Italisë, në krahasim me portet helene.
Interesi direkt i Serbisë dhe MV është shfrytëzimi portit Durrësit pa taksa dhe detyrime shtesë, në emër të unitetit Shengenit Ballkanik. Ky është objektivi kryesor i Serbisë dhe MV. Ata janë të gatshëm të propozojnë dhe ndërtime të porteve të reja, duke derdhur financimet pa kufi, pa asnjë detyrim ekonomik, vetëm e vetëm të dalin pa pengesa ose të përfitojnë bonusin e një koncesioni portual, ose edhe një copë në bregdetin shqiptar. I cili përveç aftësisë portuale është dhe bregdeti më balnear, më turistik, më panoramik dhe më mjedisor i gjithë Mesdheut. Me këtë rast po informojmë dhe gazetarin Edmond Harizaj mbi aftësitë natyrale të bregdetit shqiptar.
Interesimi për thellimin e portit dhe takimi në Durrës është i lidhur me interesat e Serbisë për daljen e lirë në bregdet. Kjo është normale, sepse portet kryejnë shërbime internacionale. Por kushtet me të cilat serbët do të binjakëzohen me portin dhe bregdetin shqiptar do të evidentojnë dritë hijet e bashkëjetesës së Shengenit Ballkanik.
Mashtrimet apo krimet kombëtare mbi aftësinë e Portit të Durrësit
Nga viti 2000 -2019 informacionet dhe deklaratat e Ministrisë Transportit lidhur me kapacitetin e përpunimit në portin e Durrësit dhe aftësinë e përpunimit anijeve nuk kanë qenë të sakta. Më kryesoret janë.
- Në vitin 2009-2010 Ministria deklaroi se Porti Durrësit do të përpunojë deri V=11 milionë ton mall. Në vijim do të deklaronte, sa po të thellojmë portin H=12,5m dhe do të përpunojmë në anije V= 40–50 mijë tonë. Para vitit 2005, ministria deklaronte se do të përpunojmë në anije me kapacitet V=10-20 000 mijë tonë, ndërsa në vitin 2009- 2010 ,deklaroi se vendi ynë ka aftësi të lira portuale deri në V=14 milionë tonë mall/ vit. Në vitin 2010 Autoriteti Portual i Durrësit deklaroi, sa po të thellohet porti dhe kanali do të përpunohen anije N = 30-40 mijë tonë. Në vitin 2019 kryeministri deklaroi se në Portin e Durrësit do të përpunohen anije DWT 10-20 000 Tonë.
- Aktualisht monopoli i Porti të Durrësit ka një shërbim ordiner, shërben me kosto të lartë dhe asnjëherë nuk ka përpunuar anije deri në DWT 10000 tonë dhe vëllim vjetor mbi 4,2 milionë tonë mall/vit. Disinformimet e shtetit shqiptar bëhen për të përfituar kredinë e thellimit dhe interesat që rrjedhin prej saj. Për deri sa treguesit e parashikuar asnjëherë nuk janë realizuar, nënkuptohet që financimet nuk ka shkuar në destinacion. Lidhur me gjirin, portin, perspektivën e Portit Durrësit, deri dhe variantin e kthimit Durrësit në ishull dhe përmirësimin urbano-mjedisor të kënetës, ka një studim të materializuar në botimin “Mesdheu-Adriatiku. Projektimi i porteve tregtare, turistike, peshkimit dhe realizimi në bregdetin Shqiptar”, i cili argumenton se deklaratat e fundit të kryeministrit ngjasojnë me paraardhëset. Ndërtimet e terminalit të kroçierave midis terminalit konteinerëve dhe mineraleve nuk janë funksionale. Porti i Durrësit ka nevojë për një rikostruksion, rikonceptim, gjeneral, mbi bazat e shërbimeve portuale të europiane dhe mesdhetare. Një vizion konkret ose një variant mbi rikostruksionine portit jepet në botimin e “Mesdheut”. Është fatkeqësi kombëtare që këshilltarët apo specialistët vazhdojnë të dizinformojnë ministrat dhe drejtuesit e shtetit, mbi portet dhe monopolin e portit Durrësit etj.
Mbi thellësinë e kanalit hyrës dhe Portit Durrësit
- Pozicionin gjeografik i Portit të Durrësit, si nyje më e afërt e Tiranës urbane, me detin dhe bregdetin e ka zgjedhur koha. Porti është vendosur mbi gjurmët dhe aktivitetin e molos ekzistuese. Gjiri Durrësit me sipërfaqe rreth 30 km2 shtrihet nga Porti deri në Karpen ose Kalaja e Turrës, ka një vijë bregdetare rreth L=24 900 ml, një kordë K=18 300ml, me reze eliptike R=7200 ml, dhe megjithëse gjendet H=15 700 ml më brenda se ishullit Sazanit dhe nuk ka prurje aluvionale, formon gjirin më të cekët të Adriatikut .Thellësia e shtratit gjirit arrin 6,5-9 m. Për hyrjen e anijeve në port është ndërtuar nji Kanal në shtratin e detit me gjatësi L=6,7 km , gjerësi B=80 -120-150m, me thellësi 8-10 m. Gjurma e kanali është zgjedhur i lakuar që të anashkalojë gjuhëzat e çregullta të rërës në fundin e detit. Në pamundësi që të thellohet tabani i detit, operatorët kanë gjetur mundësinë të thellojnë një kanal hyrës duke zgjedhur një trajektore në pjesët më të ulëta në tabanin e detit dhe duke u shmangur relikeve të mbytura. Për të ruajtur thellësitë e 5-8-10 m, operatorët vazhdimisht kryejnë punime thellimi. Ministria dhe Autoriteti Portual kërkojnë të realizojnë një Kanal Hyrje me thellësi 10-12,5 m, në një hapësirë ose në një det të hapur (mbi 30 km2) dhe me thellësi natyrale të shtratit detit shumë të çrregullt 6,5–9 m. Nga sa kuptohet, kërkohet që tabani i shtratit të kanalit të jetë 2-4 m më i thellë se gjithë hapësira e shtrat detit për rreth. Por në qoftë se thellohet në kuotën e kërkuar, brenda një dy dallgëzimeve detare kanali tenton të nivelohet në nivelin e shtrat detit rrethues. Që të ruhet thellësia në parametrat e kërkuar (si pretendon Ministria) duhet që një dragë gërmuese dhe transportuese të punojë çdo vit minimumi 4-6 muaj. Kjo është e pamundur për arsye të kostos. Duke mos ditur dhe njohur ligjet e batimetrisë dhe gjeometrinë, e lëvizjes grimcave dhe aluvioneve në shtratin e gjirit Durrësit, ministria vazhdon të dizinformojë opinionin mbi kapacitetin e portit dhe aftësinë e basenit ujor në përpunimin e anijeve. Monopoli i portit mesjetar të Durrësit, gjysëm shtet gjysëm privat, me shërbimet ordinere, kostot dhe asnjë perspektivë zhvillimi me paaftësinë e përpunimit anijeve dhe tranztin e Euro ballkanik të mallrave, po luan një rol negativ në zhvillimin portual në bregdetin shqiptar. Por Serbisë nuk i duhen argumentet hidromaritime të portit Durrësit , ajo dëshiron të materializojl juridikisht një status mbi marrëdhënien me bregdetin shqiptar.