Shërbimet për pasuritë e paluajtshme, DPT: Ja rastet ku tatohen

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tatimpaguesit se furnizimi i shërbimeve që lidhen me një pasuri të paluajtshme, janë të tatueshme në Shqipëri, vetëm nëse pasuria e paluajtshme ndodhet në Shqipëri.

Sipas njoftimit, disa nga këto shërbime përfshijnë shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliarë,  furnizimin e strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë që kanë funksion të ngjashëm me të, dhënien e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimet për përgatitjen dhe bashkërendimin e punimeve të ndërtimit si edhe shërbimet e arkitektëve dhe ndërmarrjeve që mbikëqyrin zbatimin e punimeve;

DPT tha se ligji parashikon shërbimet të cilat janë të tatueshme në vendin ku ndodhet pasuria e paluajtshme. Si shërbime të një natyre të tillë përmenden:

1. Punimet e ndërtimit të çdo lloji;

2.Shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliarë, si:

– shërbimet e vlerësimit të pasurive të paluajtshme;

– shërbimet e ndërmjetësimit në blerje, në shitje apo në qiradhënien e pasurive të paluajtshme nga agjentët imobiliarë;

– shërbimet për ndarjen apo kufizimin e pasurisë;

3.Furnizimi i strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë të ngjashëm me të;

4.Dhënia e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme ku përfshihen:

– qiradhëniet e pasurisë së paluajtshme për përdorim banimi, industrial, tregtar apo bujqësor;

– të drejtat e përdorimit të rrugëve të komunikacionit dhe veprave të artit;

– transferimet apo koncesionet e të drejtave të gjuetisë apo të peshkimit në një pjesë të përcaktuar të territorit;

– shërbimet e magazinimit, ruajtjes së përkohshme të mobilieve të zyrës e të tjera mjete;

5.Shërbimet për përgatitjen dhe bashkërendimin, super vizimin e punimeve të ndërtimit. Përveç këtyre shërbimeve, konsiderohen si shërbime që kanë një lidhje mjaft të ngushtë më pasurinë e paluajtshme shërbimet e mëposhtme, lista e të cilave nuk është shteruese:

-shërbimet e pastrimit të pasurisë së paluajtshme;

-shërbimet e ruajtjes/mbikëqyrjes së pasurisë së paluajtshme;

-shërbimet e riparimit dhe të mirëmbajtjes të pasurisë së paluajtshme;

-shërbimet e ekspertëve në lidhje me vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimet e caktuara për riparimin e dëmeve të shkaktuara pasurisë së paluajtshme, etj.

SCAN

SHKARKO APP