Shpirtrat e vjetër të Tiranës

Nga Rea Godo-
‘’Ne jemi të gjithë të thyer – ja pse rrezet munden të na depërtojnë.’’- kjo shprehje e njohur e Hemingway nuk perëndonte nga mendimet e mia gjatë festimeve për ditëlindjen e tij. Adhuruesit e letërsisë, shpirtrat e vjetër, të cilët enden në botën moderne, libërdashësit dhe nostalgjikët e Brezit të Humbur, në mbarë botën ditëlindjen e Hemingway e konsiderojnë si pikën shënjuese, kur lindi eleganca e të shkruarit, lidhja e pandashme e plumbit të lapsit, magjisë së fjalës, tymit të puros dhe aromës dehëse të rumit. Magjinë e letërsisë, më mirë se Hemingway nuk ka ditur asnjë autor tjetër ta përjetësojë. Mbrwmjet e 20-21 Korrikut, veçse të nxehta mes-vere, përfaqësojnë agimin e kësaj figure të rëndësishme botërore, me veprat e të cilit frymëzohen mijëra lexues, ëndërrojnë qindra mijëra të tjerë dhe mësojnë kuptimin e lirisë, dashurisë dhe lumturisë.
Në Tiranën e pushtuar prej shpirtrave të vjetër, të hareshëm, të gëzueshëm, të dëshiruar për më shumë dritë, mbase edhe të thyer festimet për ditëlindjen e Hemingway nuk mund të mjaftoheshin me vetëm një ditë, ndaj Hemingway Jazz Fest No.7 rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve. Përditshmëria jonë gëlon nga arsyet, shqetësimet dhe ankthi për të mos lënë veten të lirë, për t’u trembur e për të penguar shpirtin të gjejë udhën e tij, por mes gjithë atyre ëndërrimtarëve, të cilët festonin sikur ato të ishin të fundit mbrëmje jazz, me ritme të ëmbla, atmosferë pushtuese dhe grimca të thekshme fluturuese dashurie, lehtësisht të deshifrueshme në ajër së bashku me tingujt e trumpetave.
Për plot dy net, zemra e Tiranës ritmonte në kopshtin e Universitetit Politeknik të Tiranës, e bashkë me festën ambjentet e rrepta universitare u bënë ftuese dhe të këndshme. Festa të tilla, të pazakonta për përditshmërinë e të rinjve, plot presion për një jetë luksoze, përgjegjësi dhe dëshirë të zellshme për t’u përshfaqur janë ato të cilat më bëjnë të gjej veten. Lëvizjet vallëzuese, shkujdesi, nevoja për të rrokur kuptimin e jetës, e cila gjendet në gjërat e vogla, me pasojë gëzime të mëdha bënin që mes pjesëmarrësve, të ndiheshe lirisht si mes miqsh.
Veçantia e festës ishte qëllimi i saj, të dëfryerit duke dhënë mesazhe paqe, dashurie, bashkëjetese harmonike mes të ndryshmish sensibilizonin, njësoj si letërsia e papërsëritshme e Hemingway. Si një e sapodiplomuar, mes udhëkryqesh të mjegullta, mbushur me një tufë me ëndrra, rrotull një pesimismi masiv se ky vend është i pashpresë, pa të ardhme dhe dëshirë për t’u zhvilluar, brenda një feste energjike, me të rinj të cilët të bashkuar mundën të zgjonin gjithë Tiranën, të falnin optimizëm zemërthyerëve dhe të shëndërroheshin në diell pozitiviteti edhe përgjatë mesnatës unë u ndjeva njësoj si Hemingway, një zemërthyer e ushqyer më shpresën se dashuria do të ndryshojë botën, se vendi ynë ka nevojë për atë energji të pashtershmë, se largimi i të rinjëve nuk është zgjidhja.
Emigracioni është një temë e nxehtë, e dhimbshme, e cila ka prekur shoqërinë moderne shqiptare, qysh në zanafillën e saj e nuk di të ndalet. Mbase si një fenomen i pashmangshëm, si prurje e lirisë, në kërkim të mirëqënies, ekperiencave dhe avantazheve të cilat burojnë prej demokracisë së shumëdëshiruar, megjithatë ai lëmsh i zjarrtë i përkushtuar për të tejçuar dashuri dhe festë nuk mund të largohet në drejtim të paditur. Rinia ndodhet në një qorrsokak, pa qëllim e drejtim, ku kryefjala e jetës është vecçse largimi. Festa të tilla si ato tw organizuara nga Hemingway Fan Club Albania të mbushin me frymëzimin se ikjet nuk përkthehen në zgjidhje problemesh, por në plagë të freskëta. Përgjatë kërcimeve të shkujdesura u binda se ai grumbull njërëzish të lirë, adhurues të muzikës së vërtetë e letërsisë së bukur, së bashku do ndryshojnë drejtimin e Shqipërisë duke e transformuar nga një vend ikjesh në një vend qëndrimesh, ndërtimesh, zhvillimesh e dashurie.

SHKARKO APP