Shqiptarët janë bërë më të lumtur! Raporti i OKB për 2020-ën, përmirësim mjaft i lehtë, por në fund të Europës

Organizata e Kombeve të Bashkuara publikon çdo vit një prej raporteve më të rëndësishme, që shërben edhe si bazë krahasuese mes vendeve të ndryshme të botës; atë të lumturisë. Paçka se kujtdo mund t`i duket paradoksale në një situatë të tillë, ku e gjithë bota është  “pushtuar” nga pesimizmi, edhe këtë 20 mars, OKB ka publikuar raportin e lumturisë, ku radhit 153 shtete të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria.

Por si ka ndryshuar lumturia e shqiptarëve 365 ditët e fundit?

Jemi bërë më të lumtur. Progresi është mjaft i lehtë, po flet për një rritje të nivelit të lumturisë si dhe një ripozicionim të vogël në tabelën botërore, duke u ngjitur në vendin e 105-të nga vendi i 107-të i vitit paraardhës.  Progresi i lehtë nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me pozitat në Europë.  Vijojmë të jemi vendi i dytë më i palumtur në kontinentin e vjetër, me Ukrainën e “gjymtuar” nga një konflikt i tejzgjatur, në vend të fundit.

Madje, Shqipërisë këtë vit ja ka kaluar edhe Venezuela, vend i cili është në një krizë të thellë humanitare. Raporti i referohet periudhës 2017-2019. Një tjetër e dhënë tregon se Shqipëria është vendi i 13-të në botë me rënien më të madhe të nivelit të lumturisë në popullatë nga periudha 2008-2013 në periudhën 2017-2019.

Sa i përket një tjetër klasifikimi, Tirana renditet e 126-ta në botë ndër 186 qytete sa i përket cilësisë së jetesës. Në Tiranë jetohet më mirë se në Prishtinë, Kiev apo Izmir, thotë raporti i lumturisë për 2020-ën. Në nivel global,  vendi më i lumtur në botë vijon të mbetet Finlanda, e ndjekur nga Danimarka, ndërkohë që Zvicra është ngjitur në vend të tretë.

SHKARKO APP