Shqiptarët, ndër popujt më të trishtuar të Europës
Thonë se në jetë nuk ka lumturi, por vetëm grimca lumturie. E me sa duket, kjo është e vërtetë. Të paktën në bazë të raporteve të herë pas hershme, statistikat tregojnë se jo të gjithë shtetet e botës kanë të njëjtin nivel lumturie.
Kështu, në një renditje të bërë sëfundmi nga Vemaps, vendi ynë renditet ndër të fundit, sa i takon lumturisë. Pra, nuk jemi një vend i lumtur, por një vend i trishtuar.
Për të bërë këtë renditje, janë marrë në analizë disa faktorë, siç është GDP-ja e shtetit, faktorët socialë, faktorët ekonomikë, liria e zgjedhjes, gjendja shëndetësore por edhe niveli i korrupsionit.
Në vend të parë renditet Finlanda, me një nivel lumturie 7.7. Ajo ndiqet nga Danimarka, me nivelin e lumturisë të llogaritur në vlerën 7.6 dhe më pas Norvegjia, me 7.5.
Shqipëria renditet e katërta nga fundi, pra në vendin e 42-të nga 45 vende të marra në analizë. Niveli i lumturisë në vendin tonë është llogaritur në vlerën 4.7. Shqipëria ndiqet në këtë klasifikim nga Armenia, Gjeorgjia dhe Ukrahina, e cila është e fundit e listës.