Shtohen kërkesat për terapi në çift, psikologia: Mosmarrëveshjet për financat dhe karakterin

Gjithmonë dhe me shumë çiftet po i drejtohen psikologëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. 5-6 raste në javë trajton psikologia, Valbona Tresa, ndërsa përmend se ndër problemet kryesore është marrëdhenie financiare.

Për të mos shkuar në divorc çiftet i drejtohen psikologut.Në pesë vitet e fundit numri i seancave për konfliktet në çift është rritur ndjeshëm.

Psikologia, Valbona Tresa, thotë se vetëm pranë qendrës së saj paraqiten 5-6 raste në javë.

“Gjatë vitit 2021 kemi pasur një rritje të martesave prej gati 25% në krahasim  me vitin e kaluar apo me 2019. Ky është një reflektim i problemeve brenda familjes dhe detyrimisht këto probleme brenda familjes bëjnë partnerët që ti afrojnë edhe më shumë psikologut.”

Shtimi i kërkesave për terapi në çift lidhet edhe numrin në rritje të martesave gjatë vitit 2021.

“Numri i çifteve që kanë ardhur për terapi familjarë këtu e pesë vjet përpara ka qenë pothuajse inekzistent. Ka qenë një rast në 6 muaj, në një vit. Ndërkohë që sot flasim për një numër që të paktën në qendrën tonë shkon diku te 5-6 konsulta të terapisë në çift gjatë javës.”

Mosmarrëveshjet kryesore janë ato financiare, por edhe probleme me karakterin.

“Luhatjet e mëdha financiare ndikojnë. Nga ana tjetër mirërritja e fëmijëve dhe të mos qenurit në të njëjtën mënyrë të prindërimit të dy prindërit për mirërritjen e fëmijëve dhe kjo sjell problematika të tjera. Nga ana tjetër kërkesa e vazhdueshme e grave për pavarësi nga bashkëshorti sjell një konflikt mes mentaliteteve.”

Kryesisht janë  grupmoshat 30-50 vjeç që kërkojnë ndihmën e psikologut dhe terapitë kanë pasur sukses kur çështjet janë trajtuar herët.

Jo vetëm nga Tirana por interes ka pasur edhe nga qytetarë të qyteteve të tjera, më pak ose aspak shihen çiftet që banojnë në periferi. /Ora News

SHKARKO APP