Si t’i përgatisni të sigurt në shtëpi ngjyruesit e ushqimeve
Kur vjen puna tek perceptimi i shijes së një ushqimi, njerëzit ndikohen nga ngjyra.
Ushqimet me ngjyra të forta e bëjnë trurin të ketë pritshmëri që ato do të kenë një shije të caktuar.
Pra, sa më e ndezur të jetë ngjyra e një ushqimi, aq më intense presim që të jetë shija e tij.
Ka raste kur disa ushqime ose gatime mund të ngjyrosen për t’i bërë ato më argëtuese dhe interesante.
Ngjyruesit ushqimorë mund të përgatiten vetë në shtëpi për një qasje shumë të shëndetshme, ndryshe nga ato industrialë që janë të dëmshme për shëndetin.
E kuqja
E kuqja industriale përmban shumë substanca kancerogjene.
Për të krijuar një ngjyrues të kuq të shëndetshëm mund të përdorni kokrrat e shegës dhe lëngun e tyre.
Portokallia
Për të krijuar këtë ngjyrë, shtrydhni karrota
.Lëngun e tyre, ziejeni në tenxhere së bashku me një lugë gjelle spec djegës, një portokall të qëruar, një patate të ëmbël dhe gjysmë panxhari të qëruar.
Pas zierjes, futini përbërësit në mikser dhe lëngun ruajeni në frigorifer për deri në 2 javë. Ngjyra do të jetë shumë e ndezur.
E verdha
Tumeriku pluhur ka një ngjyrë të verdhë të ndezur dhe lë njollë lehtë.
Mjafton të zieni çerek gote ujë dhe një gjysmë luge çaji tumerik pluhur për pesë minuta.
Ngjyruesin e lëngshëm mund ta mbani në frigorifer për dy javë.
Jeshilja
Për të arritur ngjyrën jeshile, mjafton të zieni një filxhan çaji spinaq për pesë minuta dhe më pas ta kaloninë mikser.
Lëngun e trashë mund ta ruani në frigorifer për deri në dy javë.
Ngjyra blu
Tingëllon e çuditshme, por ngjyra blu përftohet nga lakra e kuqe.
Mbushni një filxhan çaji me lakër të grirë dhe ziejeni në ujë (4 filxhanë). Lëreni të ziejë për 15 minuta.
Më pas shtoni dy lugë gjelle uthull të bardhë.
Këtë ngjyrues mund ta përdorni për të ngjyrosur vezët për Pashkë.
Mund ta ruani në frigorifer për 2 javë.
Ngjyra vjollcë
Boronicat e ofrojnë me bollëk ngjyrën vjollcë. Hidhni dy lugë ujë në një mikser, shtoni çerek filxhani me boronica dhe përziejini.
Më pas kullojeni lëngun dhe ruajeni në frigorifer për 2 javë.
Roza
Në një mikser hidhni një çerek filxhani panxhar të zier lehtë dhe një lugë çaji nga lëngu i tij.
Përpunojeni mirë dhe ngjyruesin e trashë ruajeni në frigorifer për deri në dy javë. /AgroWeb