Sigurimi nga zjarri, në rënie me 28% gjatë këtij viti

Këtë vit shqiptarët po sigurohen edhe më pak për dëmet nga zjarri dhe nga forcat e tjera të natyrës. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të vitit, primet e sigurimit për këtë kategori ranë në vlerën e 464 milionë lekëve, 28% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.  Klasa më e rëndësishme e sigurimeve vullnetare zë një peshë mjaft të ulët në strukturën e të ardhurave të siguruesve shqiptare, me vetëm 7% të primeve të shkruara bruto.

Në shumicën dërrmuese, primet vijnë nga sigurimet e detyrueshme, si sigurimet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta apo sigurimet e jetës dhe pronës të kërkuara nga institucionet e kredidhënies.

Rritja e sigurimeve të mirëfillta vullnetare ngelet e vështirë, për shkak të kulturës modeste të sigurimeve, por edhe përpjekjeve të pamjaftueshme të kompanive për ta zhvendosur fokusin e biznesit të tyre te sigurimet vullnetare. Për 5-mujorin e këtij viti, raporti mes dëmeve dhe primeve në sigurimin ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës ishte 20%, ndjeshëm më i ulët krahasuar me sigurimet e detyrueshme motorike. Në afatin e gjatë, edhe për vetë kompanitë do të ishte shumë e leverdishme një rritje e peshës së sigurimeve vullnetare në strukturën e primeve, sepse gjasat për të pësuar një dëm janë më të ulëta krahasuar me sigurimin e automjeteve. / SCAN

SHKARKO APP