Solidariteti është në zemër të Bashkimit Europian
Nga Luigi Soreca *-
Shqipëria po kalon një nga episodet më tragjike të historisë së saj të kohëve të fundit. Fjalët e mia të para janë për të shprehur, në emër të Bashkimit Evropian, si dhe në nivel personal, simpatinë dhe ngushëllimet e mia më të thella.
Familjet, miqtë dhe komunitetet kanë pësuar humbje që janë shkatërrimtare. Historitë personale që kemi dëgjuar javën e kaluar na kanë tronditur të gjithëve ne deri në palcë.
Dëshiroj të ndaj një mendim për familjen Lala në Durrës dhe familjen Cara në Thumanë, të cilat kanë humbur 9 dhe 8 anëtarë. Tragjedi të tilla shkojnë përtej asaj çka mund të imagjinohet apo të shprehet.
Çifti i ri, Almir dhe Lorena, që së shpejti do të martoheshin. Diena, vajza dhe nëna e saj. Xhesika, e cila ndërroi jetë në Tiranë të shtunën.
51 histori që të copëtojnë zemrën, që është e pamundur të harrohen dhe që kanë prekur Shqipërinë dhe mbarë Evropën. Dhimbja juaj është dhimbja jonë. Trishtimi juaj është trishtimi ynë.
Unë gjithashtu ofroj simpatinë e përzemërt të Bashkimit Evropian për qindra shqiptarë që u plagosën nga tërmeti dhe për mijëra që nuk mund të kthehen ende në shtëpi. Ne po punojmë pa ndërprerje për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare të sigurojnë që të kthehet njëfarë normaliteti dhe jete në zonat e rrënuara.
Të martën në mëngjes, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e tij Anëtare, kanë ofruar menjëherë ndihmë. Edhe një herë, bujaria dhe shpejtësia e Shteteve Anëtare të BE-së vërtetuan se Shqipëria nuk është vetëm e afërt gjeografikisht, por edhe afër zemrave dhe shqetësimeve tona.
Ne jemi krenarë për efikasitetin e Mekanizmit tonë të BE-së për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm 18 orë pas aktivizimit të tij për të ngritur një ekip prej 11 ekspertësh të udhëhequr nga Peter Glerum dhe për t’i dërguar në Shqipëri. Të ardhur nga Austria, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, ata tani koordinojnë reagimin humanitar.
Dua të falënderoj ekipet e kërkimit dhe shpëtimit të dislokuara me shpejtësi nga Kroacia, Franca, Greqia, Italia dhe Rumania. Kur katastrofat godasin, ju jeni në vijën e parë. Admirimi ynë dhe mirënjohja e popullit shqiptar shkojnë te më shumë se 250 heronj anonimë që kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.
Tani kemi kaluar në një fazë të dytë të reagimit dhe ndihmës sonë: vlerësimi pas katastrofës së dëmeve. Inxhinierë të strukturës, të ardhur nga 6 vende të ndryshme, janë në terren duke inspektuar ndërtesat e dëmtuara. Kjo po vazhdon, siç e kam monitoruar dje në Durrës, duke u dhënë përparësi shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës thelbësore. Kjo fazë do të zgjasë disa ditë. Të gjitha fushat shqetësuese do të trajtohen në mënyrë sistematike nga ekipe të përbashkëta të ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Ekipi i BE-së për Mbrojtjen Civile është duke punuar ngushtësisht me autoritetet vendore dhe donatorët për të konsoliduar vlerësimin e nevojave me përparësi për ndihmën në natyrë. I jemi ndërkaq mirënjohës Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë, Italisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë që kanë siguruar tenda, shtretër, thasë gjumi dhe sende të tjera. Ato janë thelbësore për popullatën që jeton në situata shumë të vështira pa akomodimin e duhur.
Në një fazë të tretë, ne do të shqyrtojmë se si Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Shqipërinë të rindërtohet me një perspektivë nga afatmesme deri në afatgjatë. Ky diskutim do të fillojë të enjten me vizitën e Komisionerit tonë të ri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič. Planifikimi i rindërtimit do të kërkojë një vlerësim të plotë të nevojave pas katastrofës dhe një koordinim efikas të donatorëve, që BE-ja është e gatshme t’i mbështesë.
Solidariteti është në zemër të Bashkimit tonë Evropian. Ai lidh së bashku kulturat, etnitë dhe gjuhët tona. Ai është rrënja e asaj çka jemi ne si kontinent, pas shekujsh lufte dhe konflikti.
Ne mbështesim njëri-tjetrin. Dhe sot ne mbështesim Shqipërinë.
Këtë javë, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të lidhjeve të thella të miqësisë midis popullit shqiptar dhe pjesës tjetër të Evropës. Janë 30 vjet që shqiptarët mund të studiojnë apo jetojnë jashtë vendit; që qytetarë të BE-së vendosen në Shqipëri ose e vizitojnë atë; që krijohen lidhje në çift; që mund të përfitohet nga Erasmus. Të gjitha këto kanë krijuar lidhje dhe një rrjet të dendur simpatie, që u bë e qartë nga dhurimet spontane dhe shprehjet e solidaritetit kudo në Evropë. Në mes të pikëllimit, hidhërimit dhe frikës, kjo javë ka treguar lidhjet e vazhdueshme mes shqiptarëve dhe miqve të tyre në BE.
Zemrat tona janë ngrohur gjithashtu nga mobilizimi i menjëhershëm i shoqërisë civile – mijëra veprime të jashtëzakonshme kontributi dhe mirësie nga shqiptarët për bashkëqytetarët e tyre.
Pak në Evropë kanë pësuar ato që kanë kaluar shqiptarët në shekullin e kaluar. Edhe para kësaj tragjedie, jeta e përditshme shpesh është një luftë për shumë njerëz. Por ne e dimë se shqiptarët janë një popull i fortë dhe i papërkulur. Përmes vështirësive, gjendja juaj shpirtërore nuk është mposhtur. Siç deklaroi Presidentja Von der Leyen, ne duam që ju ta dini se Bashkimi Evropian është përkrah jush me dhembshuri dhe veprim. Ne do të qëndrojmë me ju për ta ndihmuar Shqipërinë të rimarrë veten nga kjo fatkeqësi.
*Fjala e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca – Konferencë për shtyp mbi reagimin e BE-së ndaj tërmetit të datës 26 nëntor 2019