Sollzhenjicini – desidenti nobelist

Nga Nikolla Sudar

 Aleksandër Isajeviç Sollzhenjicini, ky krijues vigan, me të drejtë konsiderohet si shkrimtari më i madh i letërsisë ruse për shekullin XX dhe vazhdues i denjë i letërsisë klasike të shekullit XIX. Ruajtja e shpirtit njerëzor në kushtet e totalitarizmit dhe kundërvënia e brendshme ndaj tij, mbështetur në idealin liberal fetar, përshkojnë tërë krijimtarinë e këtij kolosi të letërsisë ruse dhe botërore. Fati tragjik i personazheve pasqyrohet nën dritën e moralit dhe idealit fetar. Veprimtaria e tij dallohet për një krijimtari të bollshme, të larmishme dhe shumë të suksesshme. Ato sot përblidhen në 30 vëllime dhe janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Vepra e parë që edhe i dha famë Sollzhenjicit u bë romani ”Një ditë e Ivan Denisoviçit” e cila u botua në vitin 1962, në kohën e “shkrirjes së akujve” të Hrushovit. Por me rënien e tij nga posti, regjimi burokratik sovjetik dhe sidomos KGB-ja filloi një fushatë të egër kundër tij. Romanet “Në rrethin e parë” dhe “Pavijoni i kancerozëve” u botuan jashtë vendit, në vitin 1968 (brenda vendit u botuan me fashikuj dhe u shpërndanë dorazi). Ciklit të famshëm djetëvëllimësh “Rrota e kuqe”, i kushtoi njëzet vjet jetë (1971-1991). Mbi bazën e një dokumentacioni shumë të pasur dokumentar analizohen shkaqet e fitores së revolucionit në Rusi: dobësia e pushtetit carist, degradimi i fesë dhe radikalizmi shoqëror. Ecuria e tij zbërthehet, duke u mbështetur në platformat politike dhe ideologjike të partive dhe grupimeve të ndryshme në Rusi. Ndërkohë ai jep dhe alternativën e mundshme të asaj kohe, të proceseve historike në vend. Në krijimtarinë e Sollzhenjicinit zë një vend të dukshën edhe publicistika e tij e famshme. Në një radhë artikujsh si: “Pendimi dhe vetëkufizimi si kategori të jetës kombëtare”, “Të jetosh pa gënjeshtra”, “Letër udhëheqësve të BS” (të vitit 1973, ai paralajmëron hapur disfatën e socializmit, zbulon paqëndrueshmërinë morale dhe ekonomike të tij dhe mbron vlerat fetare, kombëtare e klasiko-liberale.

Ai lindi në vitin 1918 në Kisllovodks, në një familje të shtresës së mesme. Disa javë para lindjes i vdes i ati aksidentalisht. Në vitin 1924 familja shpërngulet në qytetin Rostov mbi Don. Këtu në vitin 1941 kryen me sukses fakultetin e matematikë-fizikës dhe me korrespondencë ndjek fakultetin e filozofisë, të letërsisë e historisë, që nuk e përfundon për shkak të fillimit të luftës. Në vitin 1942 dërgohet në front ku komandon një bateri artilerie. Për merita luftarake dekorohet me urdhra dhe medalje. Madje arrin edhe gradën e kapitenit. Në vitin 1945 arrestohet për qëndrim të hapur antistalinist. Ai dënohet me tetë vjet punë të detyrueshme. Në vitin 1950 sëmuret nga kanceri, kurse pas dy vjetësh operohet në Tashkent të Uzbekistanit. Në vitin 1953 dërgohet për internim të përjetshëm në fshatin Kok-Terek të Kazakistanit. Pas rehabilitimit në vitin 1956 vendoset në një një fshat të Rjazanit, ku punon si mësues. Në këtë kohë i përkushtohet edhe letërsisë. Ishte periudha hrushoviane e zbutjes së klimës politike, prandaj në vitin 1962 botohet romani i tij “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Në këtë vepër nxjerr në pas realitetin çnjerëzor të sistemit demagogjik sovjetik si dhe forcën e rrallë artistike të autorit në pasqyrimin e karaktereve, në koncentrimin e veprimeve të tyre, ku shkriheshin jeta me simbolikën. Me këtë vepër ai fiton admirimin e miliona lexuesve, sepse me guxim çjerr maskën e vërtetë të fshehjes së qëllimshme të realitetit të gënjeshtërt të regjimit sovjetik. Ndërkohë punon me vrull për përfundimin e romaneve “Në rrethin e parë” dhe “Pavijoni i kancerozëve”.  Pas rënies së Hrushovit në vitin 1965, situata acarohet në tërë BS. KGB-ja i sekuestron tërë arkivin personal të tij. Në vitin 1967, me një letër të hapur Sollzhenjicini i drejtohet Kongresit të 4-t të shkrimtarëve sovjetikë, ku kërkon me insistim heqjen e cezurës. Në vitin 1968 përfundon veprat madhore, “Pavijoni i kancerozëve” dhe “Në rrethin e pare”, të cilët botohen jashtë vendit. Në vitin 1970 i jepet çmimi “Nobel” në letërsi. Ndërkohë regjimit hidhet në sulm për diskreditimin e tij. Në vitin 1973 përsëri KGB-ja famëkeqe i grabit dokumentacionin personal. Botimi në këtë kohë në Paris i romanit “Arkipellagu Gulag” tronditi thellë regjimin në fuqi në BS. Në të përshkruhet eliminimi sistematik i popujve të Rusisë nga regjimi totalitar Bolshevik dhe ngrihen lart idealet e lirisë e të mëshirës kristiane kundër së keqes në mbretërinë e “telave me gjemba”. Në një situatë të tillë shpërthyese, në vitin 1974 autoritette e përzënë nga BS. Në fillim jeton disa vjet në Evropë, ndërsa më pas për mjaft kohë vendoset në Vermont të SHBA-s. Çmimin “Nobel” e tërhoqi vetëm në vitin 1975. Vepra e tij kryesore në dhjetë vëllime “Rrota e kuqe” u shkruajt në një periudhë të gjatë kohore, nga viti 1971 e gjer në vitin 1991. Në veprimtarinë e vet ai fshikullon fort edhe moralin Perëndimor. Shkakun kryeor të katastrofës botërore e sheh në lagimin e njerëzimit nga Zoti, në përdhosjen e vlerave morale, në ambicien e shfrenuar, në etjen e papërmbajtur për pushtet etj. Këto kritika ndaj civilizimit të sotëm i bën nga pozitat e një liberali kristian. Veprat e tij filluan të botohen lirisht në Rusi vetëm pas vitit 1990. Më 1994 kthehet në Rusi dhe merr pjesë aktivisht në jetën shoqërore. Në këtë kohë kritikon rreptë reformat e presidentit Boris Jelcin si dhe organet e pushtetit. Më 11 dhjetor të vitit 1998, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, presidenti Boris Jelcin e dekoron me urdhërin e lartë : “Apostulli i shenjtë Andrej Përvoznanij” me motivacionin: “Për shërbime të shquara ndaj atdheut dhe për kontributin e madh në letërsinë botërore”. Por në mospranimin e tij thekson: “Nuk mund ta pranoj urdhrin nga udhëheqja e lartë, e cila e ka Rusinë vendin në këtë gjendje katastrofike”.  Vitet e fundit të jetës Sollzenjicini i kaloi në periferi të Moskës, në Troje-Llikovo, ku edhe vdiq nga zemra, në vitin 2008, në moshën 90-vjeçare. 

Rreth romanit “Pavijoni i kancerozëve”

 Ky roman u shkrua në vitet 1963-66. Në të ai pasqyron mbresat e veta nga qëndrimi në një spital të Tashkenti (Uzbekistan), ku edhe operohet nga kanceri. Sollzhenjicini me një vërtetësi tronditëse na pasqyron debatet, përplasjet për probleme ideologjike, për luftën kundër sëmundjes së tmerrshme dhe vdekjes si dhe botën e brendshme të pacientëve të pavijonit. Figura më negative e romanit ëhtë shefi i kuadrit, Pavel Rusanovi, përfaqësuesi tipik i burokracisë së re komuniste: njeri i mësuar me privilegje, i cili tmerron punonjësit me sajimet e tij specifike, duke marrë në qafë familje të tëra. Madhështia e romanit qëndron në faktin se autori vë në të njëjtin plan kancerin dhe simbolin e kësaj sëmundjeve të tmerrshme, që kishte depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë sovjetike. Në vështrim të parë romani duket sikur përfundon pozitivisht: Kostogllotovi shërohet dhe së shpejti do të fitojë lirinë. Por burgu dhe internimi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme n shpirtin e tij. Ai detyrohet të ndrydhë në vetvete dashurinë për mjeken Vera Ganhart, sepse e kupton se nuk është më i aftë ta bëjë të lumtur. Si në të gjitha veprat e tij, Sollzhenjicini dallohet për gjuhën e tij shumë të pasur. Si njohës shumë i mirë i të gjitha shtresave të shoqërisë, këtë e ka pasqyruar edhe në gjuhën e personazheve. Meritë të veçantë përveç përkthimit, ka redaktimi i një niveli të lartë nga Prof. J. Doksani dhe angazhimi serioz për botimin cilësor të veprës i drejtorit të shtëpisë botuese “Fan Noli”, z. Rexhep Hida.

Përkthyes dhe historian 

SHKARKO APP