Sot në TOB, soprano Ramona Tullumani me operan “La Boheme”


Soprano Ramona Tullumani do të jetë ditën e sotme në orën 19:00, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në interpretimin e rolit të Musetës, në operan “La Boheme”. Opera me katër akte e Giacomo Puccini-t vjen për publikun shqiptar nën interpretimin e Orkestrës Sinfonike dhe korit të TKOB, nën dirigjimin e Francesco Cillufo-s. Soprano Tullumani për interpretimin e Musetës në “La Boheme” thekson se, “Roli i Musetës është shumë i bukur. Ajo është një femër shumë kapriçioze, shumë moderne, shumë e rafinuar, mundohet që veshjet e saj të jenë nga më të bukurat. Meshkujt kthejnë kokën sa herë ajo kalon nëpër rrugët e Parisit. Rolin e Musetës, unë e kam luajtur fillimisht në Itali, nën regjinë e artistes së madhe Katia Riçiarelli. Ajo krijoi një personazh shumë të veçantë te Museta, duke e bërë shumë të dallueshme diferencën e saj me Miminë, e cila është drama e vërtetë në këtë opera. “Në TKOB, opera “La Boheme” vjen me një vënie shumë interesante. Është një vënie klasike, me veshje dhe skenografi që i përshtatet kohës në të cilën kjo opera është realizuar. Pasi këndon role si Gilda e Violeta, të këndosh një rol si Museta të duket një argëtim i vërtetë, një lojë dhe një kënaqësi shumë e madhe në skenë. Është një personazh, i cili të lejon të luash me të, nuk të vendos kufij. Kjo është diçka shumë e bukur dhe e rëndësishme për një artist kur është në skenë”, shprehet Tullumani, shkruan ATSH. 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?